Një pyetje fortlumturisë së tij kryepeshkopit serb të Malit të Zi
Frikë nga një klerik?! Sa pa kuptim! Fundjavën që shkoi vizitoi rrethinat e Shkodrës, fortlumturia e tij, kryepeshkopi i serbëve të Malit të Zi. Mediat për t'ia bërë jehonën më shumë se maksimumi, e pasqyruan vizitën e tij si një vizitë rutinë të ditës. Por që në të vërtetë ajo nuk ishte një vizitë e tillë.
Sipas atyre që i shkonin pas kryepeskopit serb të Malit të Zi, fortlumturia e tij vinte në një vizitë baritori. Baritor në një zonë që nuk i përket administrimit të tij?! Kjo, jo për t’u habitur, por për t’u ngritur më këmbë dhe për ta parë këtë situatë.
Sipas gjasave dhe me çfarë kam dëgjuar e lexuar, edhe famullia e Shkodrës me rrethina i përket kishës autoqefale shqiptare, të cilat janë nën varësi të fortlumturisë së tij, Anastas Janullatosit. Por kur themi vizitë baritore, sipas doktrinave u përket vetëm të zotëve të vendit (apo të parëve të fesë) që t’i vizitojnë administratat e tyre dhe të kryejnë shërbesat dhe miqtë janë bashkëcelebrues.
Që herët kam dëgjuar kur jetoja mes disa ortodoksëve malazezë në Shkodër, që ato (ne) i përkasim kishës serbe të Malit të Zi e jo asaj autoqefale shqiptare (!). Në fakt u vërtetua plotësisht. Vjen në një vizitë baritore një kryepeshkop serb dhe na celebron festat fetare dhe lutet në gjuhën e tij amë.
Madje, opinioni publik, merr nga mediat pamje sikur ai po triumfon dhe shërbesat e tij fetare kryhen nën vezhgimin e eskortes së tij shoqëruese dhe asnjë besimtari. Dua t’i bëj një pyetje fortlumturisë së tij, kryepeshkopit serb të Malit të Zi: Po as në Vrakë (Shkodër) nuk arrite t’i mbledhësh 2-3 besimtarë të tu, për të të mbështetur liturgjinë, apo ajo liturgji që ju po këndonin (Zoti më ndjeftë) është ajo e kobshmja e një muaji më parë në rrugët e Podgoricës, e cila e ktheu atë qytet simpatik në një sallahane lopësh dhe grykë zjarri??