Veshëm frakun, harruam brekët
Gjergj BUBANI
Më drekëherë nisej vapori jugosllav, që do të na shpinte në Atdhe. Në vapor u hasëm që të gjithë sa ishim nisur prej Athine.
Në barabitje me vaporët grekë, vapori jugosllav ishte shumë më i shtrenjtë edhe si biletë, edhe si ushqim e jo aq komod sa të parët. Prej Korfuzi e deri në Durrës u detyruash të paguaj aq sa më kishte kushtuar udha qysh prej Kostance e deri në Korfuz!
Spekulim i paturpshëm që rrjedh nga mungesa e kokurrencës.
Për në Durrës
Nga Vlora vapori u nis përsëri, duke marrë drejtimin e Durrësit. Ndonëse mesnata kaloi, asnjë shoku s’i flihet. Ethet e mbërritjes në Durrës na i mbajnë nervat të tendosura. Vendosëm ta gdhijmë. Një teste letrash-loje na ndihmoi tepër në realizimin e kësaj dëshire. Pokeri u thye ndaj mëngjesi, kur u shtrimë pak, që të zgjohemi prapë prej një vërshëllimi të vaporit, i cili na lajmëronte se mbërritëm në Durrës.
Panorama e Durrësit nga deti është shumë e bukur. Lart, nga maja e bregut, dominon Vila Mbretënore dhe, poshtë, pallati i Bankës Kombëtare.
Ndonëse limani i ri i Durrësit duket gati, vaporët vazhdojnë të ankorojnë përjashta, se brenda punohet për thellimin e tij. Furtuna mezi na jep leje të zbresim në motoranije dhe pas dy minutash jemi në doganë, një godinë e vogël dhe e shëmtuar, me nëpunës që i vënë pleshtit fre dhe i nxjerrin shpirtin së prapthi udhëtarit.
Desha të dija nëse ky zell i ekzagjeruar është i gjithmonshëm dhe m’u dha rasti të bindem se cerberët e doganës së Durrësit, që janë të pamëshirë përdrejt çdo të huaji ose shtetasi pa privilegje, transformohen në shqerra të buta, kur u del përpara ndonjë personalitet shqiptar me influencë. Si në doganë, ashtu dhe te policia e limanit, të zë malli të shohësh një buzëqeshje. Nuk gjenden veçse fytyra të vrenjtura, me vetulla të errëta, me sy dyshonjës, me buzë të lëshuara tatëpjetë. A thua të gjithë këtyre ua ka ngrënë gomari bukën?!
Për një të huaj që viziton Shqipërinë, përshtypja e hasjes së parë me këtë botë shqiptare nuk është e mundur të jetë e shkëlqyer. Kjo është arsyeja që na bën të insistojmë mbi këtë pikë e të përpiqemi t’u tërheqim vërejtjen kompetentëve. Për nder dhe dinjitet të Shtetit, duhet që nëpër dyert kryesore të Shqipërisë të gjithë nëpunësit të jenë shembull qytetërimi dhe sjelljesh të mira.
Lypësit e Durrësit
Më në fund, formalitetet u kryen dhe dolëm jashtë kangjellave të hekurta të limanit, përpara pallatit të Bankës Kmbëtare. Këtu, zhurmë e keqe. Një duzinë shofera bërtasin e zihen kush e kush të kapë më parë të paktët udhëtarë që janë për Tiranë. Asnjë rregull. Valizat e mia më shpëtuan nga dora, duke fluturuar njëra në një automobil, tjetra në një tjetër. I lashë të dy shoferët ta zgjidhnin si t’u dojë qejfi problemin. Shpejt çmimi i udhëtimit u thye, tue zbritun nga 15 lekë në 10. Më në fund, e pashë veten të hipur në një makinë. Por ora kalonte dhe automobili nuk nisej; shoferit i duheshin edhe dy udhëtarë të tjerë, të cilët s’i gjente dot.
Një jevgë plakë i qaset automobilit tonë me dorë të zgjatur. I jap një lek. Imprudencë (pakujdesi)! Në një minutë e sipër 7-8 lypës na kishin rrethuar dhe meazallah se na u ndanë, gjersa s’e bënë të tyren. Edhe sot e kësaj dite rri e çuditem ku i gjenin tërë ato fjalë, tërë atë zë të zvarrosur e qamatar lypësit e limanit të Durrësit, mjeshtër të mbaruar në zanatin e tyre.
Më në fund, shoferit i erdhi keq për ne dhe i dha urdhër automobilit, në kohën kur unë, i trallisur, vendosa t’ia raportoja Xhaxhait (Pandeli Evangjelit) shëmtimin e kartëvizitës me të cilën prezantohet Shqipëria në liman të Durrësit, që të merren masa, se bëhemi për turp përpara të huajve.
Durrës – Tiranë
Dolëm në fushë të hapur. Udha është e drejtë si fishek. Automobili e shtoi vitezën (shpejtësinë). Ecim tani me 60 km në orë. Udha diku-diku ka gropa, por shoferi i di përjashta, me sy mbyllur dhe i eviton. U fol në kohën e fundit se udha Tiranë-Durrës, arteria kryesore e Shqipërisë, do të asfaltohet. Shumë mirë do të jetë. Kjo punë mund të ishte bërë që shumë, po të mos na kish hyrë sevdaja ta lidhim Tiranën me Durrësin me ferrovijë.
Qysh? S’dini gjë, a? Ka nja dhjetë vjet që po flasin, punojnë dhe shpenzojnë për udhën e hekurt Durrës - Tiranë, e cila mu si pëlhura e Pinellopit, ditën thuret, natën shthuret, pa, sa për t’u mbaruar, kurrë s’ka ndër mend të mbarohet. Dhe, që të flasim të drejtën, as që është nevojë të mbarohet ndonjëherë, tue qenë se kamionët dhe veturetat që kemi sot, janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat e trafikut.
Çështja e ferrovijës Durrës - Tiranë nuk është e vetmja inspiratë fatzezë e politikanëve tanë. Luftanijet, që u blenë me flori dhe u shitën si teneqe e vjetër, tharja e fushës së Kavajës, që kushtoi disa miliona pa të thahet, janë eksperienca të hidhura, gabime trashanike të bëra prej njërit e tjetrit e të paguara peshin prej arkës së varfër të Shtetit.
Tirana ka bulevarde, por...
Tirana ka bulevarde të gjera dhe sheshe simetrike, por nuk ka kanalizim, nuk ka ujë të mirë dhe të mjaftë dhe asnjë banjë moderne komunale për t’u larë mileti. Dhe në Tiranë tetë muaj në vit bën vapë, ashtu që nevoja e së larës paraqitet edhe më e madhe. Aristokratët lahen nëpër shtëpitë e tyre ose në të dy-tri hotelet e mëdhenj. Po populli?
Në veprimin edilitar të Tiranës gjejmë pasqyrën e gjallë të një mentaliteti që është rrënjosur ndër ne; të gjitha punët i bëjmë për cipë, superficialisht. Edhe qytetërimin në këtë mënyrë e përqafuam: me bulevarde, elektrik, pallate, pa kanale, pa ujë, pa banjë. Shkurt: U veshëm me frak dhe këmishë mëndafshi, por harruam të ndërrojmë brekët!
Pallatet e Ministrive
Para se të nisem për Tiranë, kisha dëgjuar e kisha kënduar aq shumë mbi goditjen e pallateve të Ministrive – është botuar mbi këtë çështje një letraturë e plotë, sa në fantazinë time java-javës dhe dita-ditës ato godina rriteshin e zbukuroheshin, duke u barabitur me më të bukurat pallate që kisha parë.
Vetëm në këtë mënyrë shpjegohet deziluzioni që më kapi, kur u ndodha në atë gropë që, zakonisht, quhet Sheshi i Ministrive.
ǒjanë në realitet pallatet e Ministrive? Pesë-gjashtë kazerma moderne, pothuaj uniforme, të sërosura njëra pranë tjetrës me një simetri ushtarake që të lodh syrin, të lyera me të kuq përjashta – që të justifikojnë, duket, edhe paskëtaj mbiemrin e vjetër të Tiranës – dhe të vendosura në një gropë, ku ajri ndërrohet rëndë dhe mjegulla rallë e tek ngrihet!
Përse aq simetri? Përse aq uniformitet? Përse gjithë ai stil? Përse të jenë të gjitha Ministritë rreth e rrotull një sheshi dhe jo të shpërndara nëpër qytet, që t’i japin gjallëni e lëvizje Tiranës në të katër çipat e saj?
Dikush do na thotë se u vunë Ministritë njëra pranë tjetrës për lehtësimin e publikut. Dhe me të vërtetë, sot brenda në pesë minuta mund t’i vizitosh të gjitha dikasteret e Mbretnisë Shqiptare. Dhe po vendose të humbasësh një orë, ke gjithë kohën të pish një kafe në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Jashtme, një cigare nalt në Drejtorinë e përgjithshme të Reformës Agrare, një “sinalko” te Kryeministria, një tjetër kafe te Zyra e Shtypit, një tjetër cigare në Komandën e Përgjithshme të Gjindarmërisë në pallatin e Ministrisë së Brendshme, dhe nja katër-pesë kafe, cigare etj. në Financat, në Punët Botore, në Ekonominë Kombëtare! Një orë! Vetëm një orë! Pastaj?
Pastaj, në mërzite së ndenjuri, shko në kafe dhe luaj letra e tavëll.
U vunë Ministritë njëra pas tjetrës për lehtësimin e publikut! E ç’e pandehni shqiptarin? Amerikan me sahat në dorë dhe me çdo minutë kohe të okupuar? Ai i shkreti s’di si ta vrasë kohën e mezi gjen shkakun të lëvizë dy-tri orë në ditë, dhe ju dashki t’ia përmblidhni këto në disa minuta?!
(Kosova, v.I, 1932-1933. Vepra e zgjedhur, OMSCA-1)
17 Dhjetor 2007