E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një qeverisje ndryshe

Publicisti Nexhmedin Spahiu ka vendosur që në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të garojë si kandidat i pavarur për Komunën e Mitrovicës. Ai ka thënë se lista e tij zgjedhore do të quhet “Të pavarurit e Mitrovicës”, me moton “Të ndershëm e të guximshëm”. Spahiu është i bindur se do të fitojë.
“Jam i bindur 100 për qind se do të fitoj në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Mitrovicë. Lista ‘Të pavarurit e Mitrovicës’ do ta ketë shumicën absolute në asamblenë e ardhshme”, ka thënë Spahiu, shkruan "Epoka e re"

Ai ka vlerësuar se Mitrovica ka nevojë për një qeverisje ndryshe, jo për regjim të qeverisjes siç është aktualisht. Sipas tij, qeverisja aktuale është duke cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Mitrovicës.

“Në zgjedhjet e kaluara, sado që kam qenë i bindur në fitore, kam pasur një fije dyshim se mund të më ikë fitorja nga duart në minutat e fundit dhe kështu pati ndodhur, ndërsa kësaj radhe nuk kam fare dyshim, por jam i bindur 100 për qind se fitorja do të jetë e imja. Mitrovica ka nevojë për një qeverisje ndryshe, për një qeverisje më të mirë, jo për regjim siç është aktualisht”, është shprehur Spahiu, duke shtuar se programi i tij do të bazohet në lirinë e qytetarëve nga regjimi, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›