“Deutsche Bank” dhe “Alpha Bank”, fituese për financimin 250 milionë euro
Ministria e Financave zhvilloi tenderin për të marrë një financim prej 250 milionë eurosh. Ofertës së Ministrisë së Financave iu përgjigjën 7 institucione financiare ndërkombëtare. Pas hapjes së ofertave u zhvilluan negociatat me të gjitha institucionet e interesuara dhe u bë vlerësimi i tyre. Në përfundim të vlerësimit, oferta më e mirë rezultoi ajo e paraqitur nga “Deutsche Bank” dhe “Alpha Bank”. Ministria e Financave do t’u japë mandatin këtyre bankave për të siguruar financimin e kërkuar, duke rekomanduar që të përfshijnë në financim edhe bankat “Raiffaisen Bank” dhe “Credit Suisse”, të cilat kanë bërë oferta konkurruese.
Miratohet p/ligji “Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave"
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje p/ligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara, “Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave"”. Ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë thanë se aderimi në këtë konventë do të kishte një rëndësi të madhe për komunitetin e biznesit dhe ekonominë.
Ata sqaruan se ky hap erdhi edhe për faktin se një numër i madh biznesesh në vend ushtrojnë aktivitetin e tyre me partnerë të huaj dhe me vende të tjera. Tashmë, Shqipëria do të vendoset përkrah vendeve të BE-së, si dhe vendeve të OKB-së që janë palë dhe zbatojnë dispozitat e saj. Sipas tyre, aderimi në këtë konventë do të krijonte një instrument të njësuar juridik, që operatorët e ndryshëm ekonomikë, vendas dhe të huaj do të kishin në dispozicion për lidhjen e kontratave, duke krijuar një qartësi dhe siguri juridike më të madhe, si dhe evituar kompleksitetin dhe larminë e madhe që kontratat e shitjes kanë në shtete të ndryshme. Ajo kontribuon në heqjen e barrierave ligjore në tregtinë ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e saj.