Politika dhe sfidat historike të saj
Vetëm disa ditë më parë personalitetet më të larta te financës dhe ekonomisë botërore kanë vënë theksin se janë vetë politikanët që duhet të punojnë më shumë për daljen e vendeve të tyre nga kriza. Sepse kur politika kërkon dhe përpiqet të gjejë zgjidhje gjithçka tjetër pastaj arrihet më shpejt. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, për të kuptuar më mirë mënyrën qeverisëse, agjencia Reuters, së fundmi, ka bërë një kërkim mbi këtë temë, mbushur plot pikëpyetje për qeverisjen e dy vendeve fqinje të Shqipërisë, që në të njëjtën kohë bëjnë pjesë edhe në Bashkimin Europian. Pyetjet janë të drejtëpërdrejta. Pse politikanët italianë dhe ata grekë janë kaq të pazotë? Si është e mundur që Italia dhe Greqia, djepe të shoqërive antike, janë të keqqeverisura nga politikanët e tyre modernë? Sepse sipas Reuters, ajo që i bashkon dy vendet është sistemi i korrupsionit dhe klientelizmi, të cilat kanë rrënjë historike dhe tashmë janë kthyer në të pandryshueshme edhe nga zhvillimet më të fundit. Në të dy vendet tashmë që kriza ekonomike po provokon vuajtje mes njerëzve të thjeshtë, politikanët tradicionalë po përballojnë “mllefin e popullatës” që deri tani kishte votuar për ta. “Por duket perspektiva e një ndryshimi të vërtetë” - nënvizon Barry Moody i agjensisë Reuters duke vazhduar më tej se në Itali zgjedhjet vendore i kanë dhënë një shuplakë politikanëve tradicionalë, ku ka fituar madje “jashtë çdo parashikimi” lëvizja e Beppe Grillos, një komik i cili i quan politikanët “diarre”. Të gjitha partitë janë të përfshira në skandale korrupsioni, madje edhe Lidhja e Veriut, një parti që sipas Reuters ishte “krijuar për të luftuar korrupsionin”. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Greqi ku më së shumti kanë humbur partitë tradicionale “duke e dërguar vendin në një rrugë që mund të jetë ajo jashtë euros”. Në zgjedhjet e 6 majit, politikanët e Athinës kanë kaluar më shumë kohë duke u zënë “keqazi”, duke mos gjetur një zgjidhje për daljen nga kriza. Dhe tani politikanët e kanë shpënë Greqinë drejt zgjedhjeve “të paparashikueshme” në muajin qershor. Në të njëjtën kohë vetë politikanët nuk janë të disponueshëm të shpjegojnë se votimi i 17 qershorit do të “jetë një zgjedhje mes qëndrimit në zonën euro apo me daljen jashtë saj, edhe pse një mesazh i tillë ka forcën për të risjellë vota tek partitë tradicionale”. Nga ana tjetër në vendin fqinj të Italisë partitë po rreken që të jenë me një aspekt “më të mirë” për zgjedhjet e ardhshme meqenëse për Mario Montin dhe politikën e tij të kursimeve rruga nuk do të jetë e gjatë. “Si në Itali por edhe në Greqi – shkruan Reuters - korrupsioni është ushqyer me shuma të nevojshme për të bërë politikë në epokën e televizionit dhe të ardhurat që vijnë nga shitja e aseteve shtetërore, kanë krijuar klasa politike që mendojnë vetëm për interesin e vet”. Si për t’i dhënë përgjigje agjencisë Reuters, presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti në një intervistë të tij ka nënvizuar se: Italia ishte në «një rrugë që në një moment të caktuar kishte një kthesë, dhe se duke shkuar drejt saj do të përfundonte në humnerë. Pra pati një kthesë (të cilën e kaloi) por terreni është akoma i përpjetë”. Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë Mario Monti në intervistën e tij në kanalin Rai ka shpjeguar më tej se: “Ka akoma një tunel, por që jashtë tij ka një perspektivë rritjeje më të madhe”. Sidoqoftë fatet e Italisë janë të lidhura ngushtë dhe me ato të Europës dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe vetë Mario Monti, kur thekson se «shumë gjëra do të varen me atë që do të bëjë Europa», duke shtuar - «Ja pse kush punon për Italinë duhet të kalojë shumë kohë në Pallatin Kixhi por shumë kohë edhe me vendet e tjera, në veçanti me ato Europiane sepse dalja jonë nga tyneli varet shumë nga ajo që do të bëhet në Europë». “Të evitosh humnerën varet nga ne, të dalësh nga tuneli varet nga ne, për të parë dritën e rritjes ekonomike varet nga ne, por në të njëjtën kohë i rëndësishëm është fakti që pjesa e Europës të fillojë me rritjen ekonomike dhe të na ndihmojë për ecur përpara”. Ndërkaq Monti është ndaklur edhe tek roli që mund të marrë Italia si ndërmjetësuese mes Francës të presidentit Hollande dhe Gjemanisë të Angela Merkel-it. Sipas Mario Montit raporti i Italisë me Francën dhe Gjermaninë nuk duhet të trajtohet si një çështje aksesh. “Kemi një raport shumë të mirë me të dy shtetet dhe Italia mund të lehtësojë bashkëpunimin mes dy vendeve”. Në fund presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë nënvizon se: “Besoj dhe shpresoj që në vitin 2013 mos të ndodhë asgjë, pra shpresoj që në pranverën e vitit 2013, Italia të jetë në kushte më të favorshme krahasuar me nëntorin e vitit 2011, kur kjo qeveri filloi nga puna”. Në mbyllje Mario Monti ka shtuar se shpreson që qeveria teknike të ketë qenë diçka e dobishme për Italinë.