E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një roman pa paraardhës



Duhet të pranoj fillimisht se “SOS, një buzëqeshje”, romani i ri i Zija Çelës, provokon qysh në titull. Për një çast më kujtoi Pashalimanin, ku për tre muaj mësonim radion “Mors”. Tashmë fjala shpëtimtare e përbërë nga tri pika, tri viza, sërish tri pika, së bashku me alfabetin mors është mënjanuar nga telekomunikacioni bashkëkohor, por jo nga nevoja për të shprehur kaq artistikisht titullin e një vepre letrare.

Çfarë ia kujtoi shkrimtarit të talentuar Çela këtë kod, që kumton për një jetë në kalvar? Këtu diçka fshihet, mendova duke këqyrur librin me kujdes dhe vetëm kur fantazinë po e braktiste harbimi i kontaktit të parë, nisa leximin. Kapituj që gëlojnë, të prekshëm, rrëmbyes e të ndërthurur mjeshtërisht. Një tension i brendshëm, që pulson në çdo faqe të librit, të bën t’i dorëzohesh urtë deri në fund. Brendësia e lëndës, e ngarkuar me magjinë e së thjeshtës, zbërthehet si në kriptogramë, dorë pas dore. Është si një lojë shahu, ku megjithëse lëvizjet vijnë duke u shtuar, pikërisht pse nuk përsërit lojërat e njohura teorikisht, nuk i dihet fundi. Në roman përfshihen thuajse të gjitha gjendjet e mundshme njerëzore. Prandaj, aq sa është gjuhë dhe letërsi e mrekullueshme, teksti dhe gjithçka që buron midis rrashtave janë gjithashtu kujtesë e trazuar. Një rast, ku i shurdhëri sikur dëgjon dhe i verbëri sikur shikon, sepse letërsia e vërtetë jo vetëm i mpreh, por edhe i rinovon shqisat. Është logjika e krijimit, e cila i përmbys arsyetimet e thjeshtëzuara.

Jeta në Balbonë, qyteti ku zhvillohen ngjarjet, ka shfaqje të larmishme që fokusohen rreth konfliktit kryesor. Por edhe mungesat, me finesë konceptimi, vihen në spikamë dhe pasurojnë mesazhet autoriale. Janë mungesa që i ndien në frymëmarrjen gulçuese të një populli që, në luftën e përditshme për ekzistencë, përjeton andralla dhe ëndrra, dëshira, pasione të kapshme e të pakapshme. Si kudo, edhe në Balbonë jeta ka në asht filozofinë e të fortit. Por asnjëra nga domethëniet e romanit nuk jepet si formulim i gatshëm, përkundrazi, ato burojnë vetiu përmes rrëfimit dhe mënyrës si zhvillohen ngjarjet.

Në roman çdo frazë rreh lehtë, ngjashëm me valët e padukshme të thellësisë. Kurse lëkundja mbi valë, siç është zgjidhja e shortit në dasmë me një vallëzim, është misteri i magjikes që mrekullon.

Kjo gjetje kaq e goditur, për një çast m’u duk e papranueshme. Edhe pikaloshët e majit ndeshen egër për të dashurën, mendova. Por shpejt e kuptova se isha nxituar. Hijet e personazheve në Balbonë, qytetin me kullë e sahat, që i humbet dhe i gjen shpejt minutat e humbura, rrethohen enkas me një lloj misteri, aq sa të duket se qëndrojnë vertikalisht, ndonëse dielli si kudo i sheh në çdo profil.

Në këtë libër nuk flitet për tmerre të gjakosura, por kuptohet lehtë se të gjithë kanë një dhimbje në shpirt. Çdokush mbart një plagë. Vejushat, jetimët, bashkëshortët që shtiren, të rinjtë e papunë që presin impulse të falura celulari etj. Prandaj, si mund të arratisesh në konflikte që qëndrojnë në hava, pa u zgjidhur hallet e rënda të përditshmërisë?! Dhe këtu është merita e autorit, sepse duke i qëndruar pranë realitetit njerëzor ekzistencial, ai jep gjithashtu mesazhe universale në nivel metafizik, duke operuar vazhdimisht me mjetet specifike të artit.

Midis rreshtave, ndërsa lexoja librin, më bëhej se dëgjoja një Te Deum për njerëzimin, një lutje prej shumë e shumë zërash për kthesën e madhe, si udhëzuese për shpirtrat që presin jo të ndotet, të katranoset edhe më keq jeta, por të begatohet dhe njeriu ta gëzojë.

Afër fundit, pasi çlirohesh nga makthet, kupton se aftësia e autorit për ta themeluar arkitekturën e veprës me copëza të përditshmërisë të duket e pakapërcyeshme. Gjuha me përftesa impresioniste të çon nga vështrimi te perceptimi. Ndër të tjera, kjo bëhet kulmore në skenën e dasmës teksa mendon zgjidhjen me vallëzim, ndërkohë që ndjen se edhe të mohuarit po me një vallëzim, është gjithashtu një vrasje. Dhe sot kështu vritesh më rëndë, me ca fjalë goje, me një “të shohim njëherë” apo “me ty do vallëzoj herën tjetër!”.

Origjinaliteti i personazheve në këtë roman modern më bëri të besoj se gati të gjithë janë të njohurit e mi të vjetër. Ato flasin thjesht e njerëzisht, por me gjuhë që të emocionon. Madje, ngjyrimet e befta të bëhet se i përjeton në kllapi.

“SOS, një buzëqeshje” është një roman pa paraardhës, libër vërtet i ri. Kaq spikat mjeshtëria e autorit, sa herë pas here edhe gjatë leximit të vijnë në mend fjalë përgëzuese. E po ashtu, edhe dëshira për analiza e këndvështrime të ndryshme të veprës. Por unë nuk mund të pozoj kritikun, pasi nuk ndjehem i tillë. I hodha këto shënime vetëm si lexues, i nxitur nga kënaqësia që të dhuron ky libër.

Athinë, maj 2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›