Rrugët, miliarda lekë përmirësuan infrastrukturën në 4 vjet
Nëse do hedhësh sytë për të parë ku është më e dukshme vlera e investimeve që ka bërë qeveria “Berisha” në këto 4 vjet, sigurisht që është krejt e dukshme ajo që është thithur nga infrastruktura rrugore. Pas sigurimit të energjisë elektrike për 24 orë pa ndërprerje, komoditeti në rrugë është shumë i prekshëm nga qytetarët shqiptarë. Me mijëra kilometra rrugë të reja janë ndërtuar gjatë këtyre katër viteve, ndërsa me qindra kilometra të tjera janë në ndërtim e sipër, apo duke u rehabilituar në projektet që po zbatohen. Në këto katër vite një rëndësi të veçantë, veç ndërtimit të rrugëve, i është kushtuar edhe rikonstruksionit të akseve nacionale. Burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë bërë të ditur se në katër vitet e fundit qeveria shqiptare ka investuar rreth 9 miliardë lekë për një numër të konsiderueshëm projektesh me shtrirje në të gjithë vendin, për sistemim-asfaltim dhe riveshje, qëllimi i të cilave është të përmirësojnë gjendjen teknike të rrjetit rrugor kombëtar. Të dhënat nga ministria tregojnë se me fondet e akorduara nga ky dikaster janë riparuar rreth 1.948 kilometra aksesh nacionale në gjithë vendin nga viti 2005 deri tani. Këto akse kanë pasur nevojë për ndërhyrje, pasi ato ishin të amortizuara nga reshjet, por edhe cilësia e punimeve të rrugëve të ndërtuara në vitet e mëparshme. Kjo ka bërë që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të dyfishojë fondet për rikonstruksion rrugësh që nga viti 2005, krahasuar me 4 vitet e qeverisjes paraardhëse. Sipas burimeve nga MPPTT, në periudhën 2002-2005 u investuan 4 miliardë lekë për rikonstruksion rrugësh, kur gjatë viteve 2005-2009 u investuan 9 miliardë lekë. Vetëm gjatë këtij viti për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve në të gjithë vendin, qeveria shqiptare po investon mbi 1 miliard lekë. Në listën e rrugëve ku po investohet gjatë këtij viti renditet përmirësimi i shtresës së superstradës Tiranë-Durrës, sistemim-asfaltimi i rrugës Ura e Drinit-Ura e Bunës, Tale-Lezhë, riveshje dhe sistem asfaltimi për rrugën Vau i Dejës - K/Koman, K/Koman-Fushë-Arës, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, Pogradec-Tushemisht-Doganë, Fushë Krujë-Krujë, rruga hyrëse në Kavajë, rruga hyrëse në Berat, rruga Traget-Fierzë, B.Curri – Has, segmenti Rragam-Kam-Tropojë, rruga e Gjirit të Lalzit, Krutje-Fier Shegan etj. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, gjatë periudhës 2006-2009 janë investuar në rrugë nacionale dhe rurale 178 miliardë lekë, nga vetëm 27 miliardë lekë që u investuan në periudhën 2002-2005. Në tre vitet e fundit, vendit i janë shtuar 5.983 km rrugë të reja dhe rikonstruksione të rrugëve ekzistuese. Statistikat tregojnë se në vitet 2006-2009 janë ndërtuar 2.055 km rrugë të reja nacionale, të financuara nga buxheti i shtetit, 1.980 rrugë të financuara nga pushteti vendor, si dhe janë rikonstruktuar 1.948 km akse nacionale. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, që është nën varësi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, administron rrjetin rrugor kombëtar prej afro 3.300 km, ku pjesa më e madhe tashmë është e rindërtuar, rehabilituar apo në proces për t’u bërë e re. Shumica e investimeve në infrastrukturë janë ndërtuar me fonde nga buxheti i shtetit, por nuk ka munguar mbështetja nga donatorët. Por sipas MPPT&T-së, nga viti 2006-2009, në sektorin e investimeve të huaja në rrjetin kombëtar rrugor janë realizuar apo janë në proces ndërtimi rreth 15 projekte të mëdha të infrastrukturës rrugore, vlera totale e të cilave i kalon 1 miliard euro. Pjesë e këtyre projekteve janë projektet e përfunduara si Gjirokastër-Tepelenë, Vorë-Fushë Krujë, Mbikalimi i Kamzës, Lushnje-Fier, si dhe projektet në proces ndërtimi si Milot-Rrëshen 85%, Rrëshen-Kalimash 84%, Kalimash-Rexhepaj 45%, Levan-Damës-Tepelenë 3%, Levan-Vlorë 31%, Sarandë–Kranë–Konispol 26 %, Ura e Re e Bunës 44 %. Për sa u përket investimeve buxhetore për rrjetin kombëtar rrugor në vitet 2005-2006, të dhënat flasin për një plan investimi që arrin në vlerën e afro 120 miliardë lekëve, afro 1 miliard euro.