E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gumi: Ndihmë ekonomike për të gjithë jetimët



Për herë të parë, me ndryshimet e bëra në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, jetimët do të përfitojnë ndihmë ekonomike, pavarësisht nëse jetojnë në rezidenca shtetërore. Mjafton që të kenë statusin e jetimit dhe do të përfitojnë ndihmë, ndonëse ndodhen jashtë qendrave sociale dhe jetojnë tek të afërmit e tyre, apo që largohen nga qendrat. Ministri i ri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, dje në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve ka vizituar Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, prej ku ka premtuar ndihmë shtetërore për të gjithë jetimët.

Ndryshimet

Sipas Gumit, kjo kategori do të ketë prioritet edhe në katër vitet e ardhshme. “Përmirësimi i kushteve të jetesës të shtresave në nevojë, nëpërmjet mbështetjes më të madhe me pagesa dhe shërbime, ka qenë dhe mbetet prioritet i politikave të qeverisë në katër vitet e këtij mandati. Kjo vëmendje dhe ky kujdes është i prekshëm edhe në rritjen e mbështetjes për kategorinë e jetimëve”, - tha ministri i ri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumi. Jetimët përfitojnë ndihmë ekonomike në masën 3.000 lekë në muaj, por Gumi premtoi se kjo do të shkojë me tendencë rritjeje nga viti në vit. Në vendin tonë, statusin e jetimit e përfitojnë 845 persona në të gjithë vendin. Aktualisht ata trajtohen me prioritet në punësim, u ofrohet formim profesional falas, u mundësohet e drejtë studimi sipas aftësive, mbështeten me bursë të plotë dhe trajtime veshmbathjeje nga shteti për të gjitha vitet e shkollimit, trajtohen me ndihmë ekonomike pasi kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë filluar punë, si dhe shërbim mjekësor dhe transport falas.

Në institucionet rezidenciale publike trajtohen 270 fëmijë. Shërbimi social në vend ofrohet në dy forma: shërbim publik dhe jopublik. Shërbimi publik për fëmijë ofrohet në 17 qendra, në nëntë prej të cilave për fëmijët jetimë biologjikë dhe socialë. Decentralizmi dhe deinstitucionalizimi i shërbimeve ka qenë sfida jonë në këto vite. Që nga viti 2005, kur ka filluar procesi i decentralizmit, gjashtë institucione sociale për fëmijët i kanë kaluar pushtetit vendor, për drejtim, menaxhim, financim dhe administrim.

Birësimet

Ndër objektivat primare të punës së Shërbimit Social Shtetëror, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Birësimit (KSHB) evidentohet asistimi me profesionalizëm i etapave më të rëndësishme në jetën e fëmijës jetim, duke filluar nga sistemimi në institucion, dhënia në kujdestari dhe, së fundmi, kthimi në familjen biologjike (ose gjetja e një familjeje birësuese). Ndërkohë, sipas statistikave, nga viti 2001 deri në vitin 2008 janë birësuar rreth 300 fëmijë, prej të cilëve 41 vetëm vitin e fundit, ndërkaq Komiteti Shqiptar i Birësimeve konfirmon se gjatë një viti birësohen mesatarisht 40 fëmijë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›