E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një rrëfim për Ish Jugosllavinë

Fletë ditari, 2/10/1987: "Kam frikë: do të përfundoj në litar. Nuk janë të paktë ata që kanë përfunduar në këtë mënyrë, jo vetëm nëpër botë, por edhe këtu, pranë nesh. Ditë të gjata, net të gjata. Pa ushqimin e dashurisë, pa ujin e dashurisë, pa ajrin e dashurisë. Pa dashuri. Kjo, është e qartë, nuk është fjalimi e as zëri i arsyes, dhe të them të vërtetën nuk më ndihmon e nuk më shpëton, aspak. Por nëse mbyll sytë - e shoh: do të përfundoj me nyjën në fyt...". Abdulah Sidran gjendet në Shqipëri. Jo çdo ditë ndodh të takosh në Tiranë një poet, dramaturg, shkrimtar e skenograf kinematografik. Ai është një njeri i madh i Bosnjë-Hercegovinës, një nga ata intelektualë që zgjodhi të qëndronte në Sarajevë edhe në vitet e tmerrshme të luftës. Nën bomba, ka zgjedhur të shkruajë. Ndoshta ishte më e lehtë të hidhje mendimet në letër i ndodhur në këto kushte, ndoshta vetë lufta ishte një frymëzim për të gjithë, edhe për ata që nuk e dinin se ishin të aftë ta bënin këtë punë. Për herë të parë gjendet në Tiranë, ende nuk është njohur me qytetin, por premton se, nëse do t‘i shfaqet i bukur, ashtu si kanë thënë, atëherë do të kthehet sërish. Nuk ka ardhur për një vizitë turistike, por sepse në kryeqytet do të vijë sot premierë në Akademinë e Arteve në Tiranë, vepra e tij e parë teatrore, drama me tre akte, "Në Zvornik lashë zemrën time". Teatri i Metropolit dhe Teatri Social i Mantovës, do të sjellin këtë bashkëpunim italo-shqiptar, që vjen nën regjinë e italianes Federica Restani, me pjesëmarrjen e aktorëve Ema Andrea, Marco Casazza, Alert Çeloaliaj, Adriano Evangelisti, Helidon Fino, Gentian Hazizi etj. "Në Zvornik lashë zemrën time", sipas regjisores Restani të vësh në skenë këtë tekst do të thotë të njohësh vlerat universale të një zëri, që nuk devijon drejtimin edhe pse i duhet të përballojë stuhitë që ndesh drejt rrugës të së vërtetës, duke denoncuar thelbin e saj. E nëse dikush dëshiron të kuptojë me të vërtetë atë që ishte drama e ish-Jugosllavisë, lufta civile dhe lufta e Bosnjë-Hercegovinës, do t‘i mjaftonte të shihte këtë vepër të parë teatrore të Abdulah Sidranit. Forca e të shkruarit, në këtë dramë është krahasuar me atë të Harold Pinter, ndërtimi i personazheve është i thjeshtë e marrëdhëniet mes tyre duken gati rapsodike, të rastësishme e ti gati nuk kupton se ndërkohë një luftë ka nisur, që masakra po merr udhë... në një hapësirë skenë alternohen një dhomë e vetme hoteli, një recepsion në holl, një restorant, një lakanderi e nëndheshme e transformuar në burg, si dhe rruga përballë hotelit, kështu nis gjithçka në dramën e Sidran, në rrëfimin e tij drithërues dhe turbullues.
"Lufta është një e keqe e madhe, që të vjen në shtëpi, të hyn në shpirt dhe ta merr edhe shtëpinë, shpirtin gjithashtu", janë këto vargjet e Abdulah Sidran në "Poezi në gjuhë femrash", ndërsa rrëfen dramën e një gruaje dhe të familjes së saj gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, bashkëshortin që u bë pjesë e luftës, mungesave të saj, dhe mallin për dashurinë e konsumuar.
A do të dijë diçka për mua ai/ që natën, nën dritën e llambës dhe errësirës përreth/ do të lexojë këto vargje?... Vërtet, a do të dijë ndonjëherë diçka? Dhe Abdulah Sidran fliste për demokraci, në një kohë kur shpërthimet e bombave e krismat e armëve të bënin as të mos e mendoje këtë fjalë, por me forcën e shkrimeve të tij, Sidran rrëfen se arti mbetet art në çdo kohë, i bën ballë luftës, të ftohtit e madje edhe vetë frikës. Ai tregon se si aktorët ngjiteshin në skenë në çdo kohë e se si në kohë lufte, në teatrin e Sarajevës, ngjiteshin deri edhe 15 premiera në vit... E kështu fytyra e tij nis e merr një pamje prej krenari, që me flokët e thinjura të ngjan me fytyrën e një babaxhani. Ndërsa tregon se gjithçka ka ndodhur në Bosnje, i ngjan se e ka përjetuar edhe në një jetë tjetër... Ai hesht e pastaj, flet sërish, duket se ka shumë për të thënë, ndoshta sepse historia e vendit të tij ka diçka të ngjashme edhe me atë të shqiptarëve...
Ai ka ngjizur një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, në mos më të rëndësishmen mes tmerreve të luftës, ku konfirmon gjithnjë e më shumë forcën e madhe të të shkruarit prej tij, jo vetëm si shkrimtar e poet i madh, por edhe si një dëshmitar i madh i kohës së tij. Në poezitë e boshnjakut Abdulah Sidran shihet drejt qytetit të tij, historisë së vendit, përshkruhet lufta dhe e tashmja, njerëzit dhe "mrekullitë" e vendit prej nga vjen. Në poezitë dhe prozën e tij, teksa na flet për babanë, apo për të tjerë personazhe që ka njohur gjatë gjithë jetës së tij, Sidran në të njëjtën kohë tregon edhe për ata që nuk janë më. Janë të vdekur, por tepër prezentë në jetën e tij. Sidran sjell nëpërmjet veprës së tij burra e gra, të cilët i përcjell te lexuesi ashtu si i ka njohur, ose imagjinuar, shpesh i rrëfen nëpërmjet ironisë, duke përdorur pseudonime apo epitete për ta, shpesh i mbështjell edhe me mistere, me mitologjinë e së përditshmes, në të cilën shpërfaqet gati gjithnjë përralla e Sarajevës nëpërmjet narratives epike të Ballkanit.
Sidran është gjithashtu edhe njeri i madh i kinemasë. Ai ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me regjisorin Emir Kosturica si skenarist i filmave të tij. Filmi "Të kujtohet Dolly Bell?", është vlerësuar me çmimin "Luani i Artë" në Venecia, ndërsa "Babai është në udhëtim pune" është vlerësuar me "Palmën e Artë" në Kanë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›