Një sezon i shkuar huq

Transferimi i Alban Dragushës dhe Liridon Lecit në fillim të këtij viti nga Superliga e Shqipërisë në Kalmar kishte bërë jehonë të madhe në futbollin suedez.
Mediat në skandinavi reprezentuesit kosovar i konsideronin si dy përforcime ‘bom’ për Kalmarin. Por, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të kampionatit në Allsvenskan, dy mbrojtësit ende nuk kanë debutuar me fanellën e skuadrës suedeze.
Madje, dy kosovarët pranojnë se gjasat janë të vogla që të debutojnë me ekipin e ri të tyre në këtë sezon. Dragusha, i cili ishte transferuar te Kalmari nga skuadra shqiptare, Skënderbe e kishte pësuar një lëndim të rëndë, i cili e detyroi t’i nënshtrohet një operacioni, që e la jashtë fushës për disa javë.
“Nënshtrimi në operacion për shkak të lëndimit e bëri të veten. Ekipi eci mirë gjatë kohës sa isha i lënduar. Andaj, është problem të debutoj shpejt, sepse kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për t’i zhvilluar. Megjithatë, unë jam i gatshëm të debutoj, atëherë kur më thotë trajneri”, deklaroi Dragusha për Express.
Mirëpo, ish-mbrojtësi i Besës së Kavajës është i bindur se bashkë me Liridon Lecin do të jenë dy shtylla të rëndësishme të Kalmarit prej fillimit të sezonit të ri.
“Edhe pse jemi në fund të garave, është vështirë të debutoj shpejt. Megjithatë, unë shpresoj sepse ndihem i gatshëm. Por, edhe nëse nuk debutojmë në këtë sezon, prej fillimit të kampionatit të ri jam i bindur se do të luajmë standard për Kalmarin”, u shpreh Dragusha, i cili në Superligën e Shqipërisë cilësohej si njëri prej mbrojtësve më të mirë.
29-vjeçari ishte pranë huazimit të tij nga Kalmari në Kastriotit të Krujës për gjashtë muaj. Por, transferimi i tij ka dështuar për shkak se Federata Shqiptare e Futbollit i ka ndaluar kontratat gjashtëmujore.
Bashkë me Dragushën në Kalmar ishte transferuar edhe Liridon Leci. Edhe ai kishte firmosur për tri vite. Sikurse Dragusha, ashtu edhe mbrojtësi i majtë është në pritje të debutimit, derisa me ekipin rezervë luan rregullisht.
“E kemi nisur keq për shkaku i lëndimeve. Pasi u kthyem nga lëndimet kemi qenë të vetëdijshëm se do ta kemi shumë vështirë të zëmë vend në formacion, sepse ekipi kishte luajtur mirë gjatë kohës sa ne ishim të lënduar, andaj trajneri nuk guxon të rrezikojë për të bërë ndryshime në formacion”, thotë Leci.
“Mirëpo, në këto pesë ndeshjet e fundit, ekipi nuk ka funksionuar si duhet, andaj unë e Dragusha jemi në pritje që të na jepet rasti. Por, nuk e di, trajneri nuk po bën ndryshime, as tani në vijën e mbrojtjes, por vetëm në mesfushë. Ne jemi duke u përgatitur rregullisht dhe jemi gati”, pohoi ish-mbrojtësi i Besës së Kavajës.
Sikurse Dragusha, edhe 26-vjeçari është optimist se do të jetë një futbollist i rëndësishëm i Kalmarit nga sezoni i ri.
“Tani është fundi i garave dhe shpresoj të debutojmë. Por, edhe nëse nuk debutojmë sivjet, jam i bindur se nga sezoni i ri do të jemi lojtarë standard. Por, shpresoj mos të lëndohemi sërish në fillim të sezonit. E them këtë, sepse lojtarët e tjerë nuk janë më superior prej nesh. Nuk kanë diçka të veçantë. Nëse as atëherë nuk do të debutojmë, do të ulemi dhe do të bisedojmë me drejtuesit e klubit për të gjetur një zgjidhje”, përfundoi Leci.
Skuadra e Kalmarit, ku aktivizohet rregullisht portieri prishtinas, Etrit Berisha, pas 23 xhirove të zhvilluara në elitën e futbollit suedez, zë vendin e shtatë në renditjen tabelore me 34 pikë të tubuara.