E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë me avazin e vjetër

Skuadrat kosovare të hendbollit vazhdojnë me avazin e vjetër. Zhgënjimi i tyre në garat evropiane tashmë është bërë i zakonshëm. Rasti i fundit ishte ai i kampionit të Kosovës, Kastrioti, i cili pësoi humbje të thellë në shtëpi, 25:35 nga HC Sutjeska Niksic, në rrethin e parë të EHF Cup. Kjo humbje ua zbeh gjasat ferizajasve për kualifikim të mëtutjeshëm. Nga Moral Pozhegu më 05 shtator 2011 në ora 12:08

Eksperienca e skuadrave kosovare në garat evropiane vazhdon të jetë zhgënjyese. Rast konkret është ai i Kastriotit të Ferizajt, i cili ka zhgënjyer në ndeshjen e parë, të vlefshme për rrethin e parë të EHF Cup, të zhvilluar të shtunën mbrëma, duke pësuar humbje të thellë në shtëpi nga HC Sutjeska Niksic me rezultat 25:35.

Ekipi malazez ka qenë më i mirë në çdo aspekt, duke e zgjidhur enigmën e fituesit qysh në pjesën e parë, të cilën e mbylli me epërsi prej 11 golash, 21:9. Në pjesën e dytë, fqinjët e ruajtën me kujdes kapitalin e krijuar në pjesën e parë, duke fituar në fund me 10 gola dallim.

Ferizajasit, për garat evropiane këtë sezon nuk kishin angazhuar asnjë lojtar të huaj, kështu që ishte evidente se do ta kishin vështirë. I vetëdijshëm për këtë ishte edhe trajneri i ferizajasve, Sami Çerkini. “Sutjeska, si teknikisht, po ashtu edhe taktikisht ishte shumë më e mirë. Hendbolli te ne po shkon veç prapa dhe nuk po lëviz para”, theksoi ai.

Në anën tjetër, malazezët pothuajse e kanë siguruar kualifikimin në xhiron e tretë të këtij evenimenti. Ata do ta zhvillojnë ndeshjen e kthimit në qendrën sportive të Nikshiçit vetëm sa për ta konfirmuar kualifikimin në fazën pasuese. Mysafirët e pranojnë se kishin pritur rezistencë më të madhe nga kampioni kosovar.

“Me punë dhe vetëmohim, kemi arritur deri te këto rezultate. Kemi pritur rezistencë më të madhe të ferizajasve, por kështu nuk doli. Ndeshjen e kthimit e presim të qetë dhe jemi duke u përgatitur për ligën ballkanike. Ferizajasit ishin korrektë dhe i falënderoj edhe për mikpritje”, ka thënë pas ndeshjes, trajneri malazez, Zoran Kastratoviq, i cili ua dha rastin pothuajse të gjithë hendbollistëve të tij.

Te Kastrioti, më të dalluarit ishin Trajkovski (8), Syla (5) e Dobroshi (4), ndërsa në radhët e Sutjeskës, më të mirët ishin Majiq 10 e Gjorgjiq (5). Ndeshja e kthimit ndërmjet Sutjeska Niksic dhe Kastriotit do të zhvillohet javën tjetër, më 10 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›