Një shtet pa kujtesë
Lidhja e Veriut, partia e vetme që në këtë moment mund t'i vendosë kushte Silvio Berluskonit, ka një veti të pamohueshme: qartësinë.
Është e qartë kur përshkruan raportet me "Don Zhuanin" plak ("Berluskoni deshi të martohej me Lidhjen? Tani duhet të ndjekë urdhrat". Maj 2008).
Është po ashtu transparente kur flitet për emigrantët ("Importi dhe emigracioni janë dy fytyrat e të njëjtit problem. Kështu që duhen kufizuar emigrantët ashtu si mallrat. Përkundrazi, do jetë një kaos social").
Pak më i "ngjyrosur" në fjalor, por me të njëjtin thelb, shprehej Borgecio, euorparlamentar i "Këmishëve të gjelbra". "Neve, klandestinëve bastardë, u japim një mijë shqelma në b... me ligjin Bossi-Fini".
Kjo frymë konstruktive dhe e moderuar, përcolli edhe nismën ligjore të re të qeverisë italiane: krimi i klandestinitetit.
Pra, një gjendje administrative dënohet si vepër penale dhe ka si pasojë izolimin e një ushtrie të tërë personash në një "geto" vetmie.
Gjykimin më konciz dhe kuptimplotë të këtij ligji, e jep peshkopi i qytetit të Agrixhentos. "Të ishte për të djathtën, do dëbonte edhe Shën Kaloxhero-n, shenjtin tonë të dashur me lëkurë të zezë. Shenjti pa leje qëndrimi. [...] Ky ligj është ofendues për dinjitetin e njeriut".
Racizmi dhe ksenofobia e pushtetarëve italianë është një mjet elektoral i fuqishëm, por shfaqet tej mase ironik nëse shikohet me sytë e historisë.
Nga viti 1901 deri në vitin 1961, italianët që kanë braktisur vendin e tyre për një jetë më të mirë kanë qenë 17 576 120.
Dhe, si dokumenton Xhan Antonio Stella në një prej librave të tij më të shitur ("Hordhia. Kur shqiptarët ishim ne."), nuk kishin një reputacion të lartë. Përkundrazi, nuk ka fyerje dhe stereotip të ngjitur pas shpinës së të huajve në Itali që, disa dekada më parë, nuk është përdorur kundër vetë italianëve në mbarë globin.
Çurçilli dora vetë, emëronte italianët "gajdexhinj rrugësh" dhe Italinë "kurva e Europës". Rusvelti, para hyrjes në luftë, kishte pak frikë nga gjermanët, kurse italianët nuk e merakosnin shumë, sepse ishin vetëm "një tufë këngëtarësh të operës".
Por më fyesi ka qenë Richard Nikson, ish-Presidenti i SHBA-së, i cili në 1973-shin, flet në telefon duke mos ditur që është i përgjuar. "Italianët nuk janë si ne. Diferenca është në erën e ndryshme, në imazhin e ndryshëm, në mënyrën e të vepruarit, që është ndryshe. Megjithatë, nuk mund t'i fajësojmë, nuk kanë patur çfarë kemi patur ne. Problemi është që nuk gjen dot një që të jetë i ndershëm."
Dhe faktikisht, në vitin 1904, vrasësit e huaj të burgosur në të gjitha qelitë amerikane ishin si në vijim: 22 kanadezë, 6 francezë, 9 anglezë, 16 irlandezë, 13 polakë, 10 rusë dhe 96 (96!) italianë.
Për më tepër, sipas një raporti zyrtar, në vitin 1967 " [...] zemra e krimit të organizuar në Amerikë, përbëhet prej 24 grupesh kriminale që veprojnë në të gjitha qytetet më të mëdha të kombit tonë. Anëtarët janë ekskluzivisht me origjinë italiane, dhe janë në lidhje të vazhdueshme midis tyre."
Por kjo nuk i bën më të vërteta gjykimet idiote dhe raciste të Niksonit, sepse për disa keqbërës, nuk mban përgjegjësi një popull i tërë.
Një "spot" tjetër elektoral që në Itali korr sukses, është ekuacioni "mysliman baras me terrorist".
Por, një shekull më para sesa Osama Bin Laden të hynte në skenë, ishin anarkistët italianë, të cilët përcollën terrorin në gjithë botën. Në shtator të vitit 1920, Mario Buda, një fanatik nga Çezena, shpik autobombën.
Vendos përpara bursës së Wall Street-it një karro plot me dinamit dhe me gozhda, dhe hedh në erë zemrën ekonomike amerikane. Tridhjetë e tre persona të vdekur dhe dyqind të plagosur.
Në 1897-tën, Michele Angiolillo vret në Santa Aguada, Kryeministrin e Spanjës, Antonio Canovas de Castillo. Në 1993-shin, Giuseppe Zangara, shkarkon gjithë karikatorin e pistoletës së tij në drejtim të Presidentit Roosvelt, i cili, për mrekulli, nuk lëndohet. Plagosen pesë persona dhe vdes kryebashkiaku i Çikagos.
Historia e popullit italian mbart edhe periudha emigracioni dhe vuajtjeje; shpresa dhe përbuzje; paragjykime dhe urrejtje.
T'i përsëritësh ato mbi të pafajshëm të tjerë, domethënë të harrosh të kaluarën tënde, të shkulësh rrënjët mbi të cilat ke ndërtuar gjithçka.
Dhe një komb pa rrënjë, i ka punët pisk.