E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje në PBDNJ, Miço kërkon të kandidojë. Dule: S'është anëtar i partisë

TIRANË- Thellohen debatet brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ku Thoma Miço deklaron kandidimin e tij në postin e kryetarit dhe në këtë mënyrë i kërkon Vangjel Dules të dorëhiqet. Ndërsa ku i fundit i kujton Miços se nuk është më anëtar partie dhe mund të kandidojë tek PD-ja ku prej muajsh.

Gjatë një prononcimi për mediat, Miço u shpreh se "Dule doli nga koalicioni me PD-në, për shkak të një marrëveshje të fshehtë që kishte bërë me Edi Ramën 7-8 muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë në organet drejtuese të partisë".
"Për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë zotit Rama për të qenë në koalicion me të majtën, ai priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në që të aludonte se pikërisht përçarja ose divorci politik me Sali Berishën ka për shkak këtë marrëveshje", tha Miço. I pyetur nga gazetarët ai shprehu ambicien për të drejtuar PBDNJ-në.

Ndërsa Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule deklaron se "Thoma Miço nuk mund të garojë për kreun e PBDNJ-së pasi nuk është më anëtar i kësaj partie. Ai duhet ta ketë fjalën për Partinë Demokratike pjesë e së cilës është bërë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare". Sipas tij, Miço nuk ka asnjë funksion në PBDNJ. Konfliktet brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë nisur muaj më parë pasi Dule kërkoi që të zëvendësonte në detyrën e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barkën me Anasatas Duron. Pas kësaj kërkesë, si Barka edhe Miço, akuzuan Dulen se po punon në kundërshtim me statutin dhe me frymën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Gjatë 4 viteve të kaluara ka qenë pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës, ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit, PBDNJ nënshkroi marrëveshje elektorale me PS-në duke u bërë pjesë e koalicionit të majtë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›