Shkodër, qindra shtëpi të përmbytura nga prurjet e ujit
Si pasojë e reshjeve në rrethin e Shkodrës janë përmbytur qindra shtëpi në disa fshatra. Kështu, probleme ka pasur në fshatrat Kuç, Baçallëk e Vukatanë. Sipas ekspertëve, kjo ka ardhur për shkak të sasisë së madhe të ujit që shkarkohet nga diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Reshjet e shumta të ditëve të fundit, që u shoqëruan edhe me shkrirjen e dëborës në zonën e veriut, kanë rritur prurjet në lumin Drin tej mase, duke bërë që liqeni i Fierzës, Komani e Vau i Dejës të ndodhen në limitet maksimale.
Për të mbajtur ujin nën kontroll nevojitet që të hapen portat e hidrocentralit. Por, një gjë e tillë do të çojë drejt përmbytjes sipërfaqe tokash në Shkodër.
Ditën e djeshme, si pasojë e ujit të shumtë, ka pasur përmbytje në tre fshatra, ku për pasojë u përmbytën shumë banesa.