INSTAT: Rritja ekonomike 9,9%, pavarësisht se treguesit e tjerë janë në rënie
Përkundër gjithë klimës ekonomike që po përjeton rajoni jonë dhe përkundër gjithë klimës ekonomike të mbërthyer nga rënia dhe kriza, ekonomia shqiptare është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë tremujorit të tretë. Instituti i Statistikave tha dje se rritja ekonomike gjatë tre muajve të verës ishte 9,9% duke realizuar kështu atë që kishte thënë qeveria mbi shifrat e rritjes ekonomike. Këto shifra të rritjes ekonomike janë me të vërtetë shumë të larta dhe të pakapura asnjëherë nga Shqipëria në gjithë këto vite tranzicion. Në fakt, ajo që nuk tha INSTAT ishte shumë e rëndësishme për besueshmërinë e këtyre shifrave. INSTAT nuk tha se shitjet gjatë këtij tremujori kanë pësuar rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sasia e kredive që kanë dhënë bankat për ekonominë po ashtu ka qenë në nivele më të ulëta sesa ajo ishte për tremujorin e dytë. Niveli i konsumit nuk ka patur rritje dhe çfarë është treguesi më bazë numri i punonjësve që kanë qenë në punë këto tre muaj nuk ka qenë asfare më i lartë në shifra të tilla, sa të dëshmojë rritje ekonomike deri këtë nivel. Në përqindje rritja ekonomike në tremujorin e tretë krahasuar me tremujorin e dytë, në të cilin ajo ishte 6%, është rreth 120% më e lartë. Pra, ekonomia shqiptare në tremujorin e tretë, sipas INSTAT, është rritur me 120% krahasuar me tremujorin e dytë. Kjo sigurisht që është e pavërtetë dhe krejtësisht e pambështetur në një kohë që eksportet kanë rënë, dërgesat e emigrantëve po bien dhe klima ekonomike botërore është shumë e errët. Veç kësaj nga pikëpamja ekonomike është thuajse e pamundur të llogaritet kaq shpejt dhe me kaq saktësi (9,9%) rritja ekonomike e një vendi. Megjithatë, INSTAT ishte në gjendje të detajonte edhe të dhëna sipas zërave të veçantë të ekonomisë kur tha se në sektorin e industrisë së ndërtimit, rritja kryesore është reflektuar në ecurinë e punimeve të autostradës Durrës-Kukës dhe veçanërisht të segmentit më të vështirë të saj, Reps-Kalimash, ku po ndërtohet krahas disa urave edhe një prej tuneleve me dy kalime, në një terren të vështirë, ndër më të gjatët në Ballkan. Gjithashtu, ekspertë të INSTAT thanë se post-telekomunikacioni gjatë kësaj periudhe u rrit me 12.8% dhe shërbimet e tjera me 2.7%, dy sektorë që kanë kontribuar më shumë në rritjen e PBB në këtë tremujor Aktiviteti bujqësor u rrit me 0.1% në tremujorin e tretë të 2008, krahasuar me tremujorin paraardhës, ndërsa krahasuar me të njëjtin tremujor të 2007, është rritur 2.6%, ndërsa industria pësoi një rënie me 6.4% në tremujorin e tretë të 2008, krahasuar kjo me tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo qe e vetmja rënie, sipas INSTAT, gjatë atij tremujori madhështor, ku shërbimet, tregtia telekomunikacioni, ndërtimi etj., lulëzuan duke mos u ndikuar aspak nga klima botërore.