E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u ndryshua ligji për dosjet nga mazhoranca

Nga top-channel.tv

“Na del se në mënyrën më të pafytyrë e të papranueshme, se ligjin, thonë zëdhënësit e Edi Ramës, po e bëjmë për 5 prokuroret apo gjyqtarët që po hetojnë disa çështje. Ligji nuk ka asnjë lidhje, ai është dërguar në Kuvend pa pasur asnjë kërkesë”.

Pas kësaj deklarate të zotit Berisha, në fillim të javës në mbledhjen e grupit të PD, Top Channel arriti të siguroje draftin e parë të PD të dorëzuar në Kuvend të ligjit për pastërtinë e figurës, në datën 25 tetor 2006 dhe që mban firmën e kryetarit të grupit të asaj kohe, zotit Bamir Topi, e që pas largimit të tij drejt Presidencës në korrik të vitit të kaluar, ky draft është rikonfirmuar me firmën edhe të kryetarit të ri të grupit parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi.

Top Channel zotëron edhe draftin aktual që u miratua nga Komisioni i Ligjeve në dhjetor të këtij viti. Dy projektet kanë ndryshime të dukshme në kontrollin e pastërtisë së figurës në sistemin e drejtësisë, por edhe në postet që nuk duhet të kenë patur ata që verifikohen.

Në draftin e vitit 2006, te subjektet që verifikohen nuk është parashikuar KLD, një institucion që është përfshirë te subjektet që verifikohen në draftin e vitit 2008, neni 3 ligji 2006, po ashtu në nenin 4 të këtij drafti, pra të atij të 2006 në pikën e papajtueshmërisë së funksioneve, thuhet se zyrtarët që verifikohen, nuk duhet të kenë qenë mes disa funksioneve të tjera edhe hetues, prokurorë, gjyqtarë apo ndihmësgjyqtarë në proceset politike speciale.

Procese politike speciale quheshin gjyqet ndaj anëtarëve të Byrosë, kur shpalleshin armiq, si rasti i Kadri Hazbiut, Beqir Ballukut, apo një proces special politik ka qenë dhe gjyqi famëkeq i deputetëve ne vitet ‘45-‘46. Trupat gjyqësore ishin speciale me persona të Sigurimit dhe hetuesisë dhe rezulton përgjithësisht se vendimin e jepte hetuesia dhe gjykata e zbatonte.

Ky është një shpjegim për termin “special”, sepse kjo pikë e ligjit të 2006 ndryshon në këtë formë në draftin e PD në vitin 2008, hiqet fjala “speciale”. Dhe zyrtarët e sotëm që verifikohen nuk duhet të kenë qenë hetues, prokurorë ose ndihmësprokurorë, gjyqtarë apo ndihmësgjyqtarë në proceset politike.

Heqja e fjalës “speciale” në mënyrë direkte zgjeron ndjeshëm rrethin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kohës së diktaturës, tashme në fokus të lustrimit, sepse gjyqet politike në atë kohë, në bazë të nenit famëkeq 55 për agjitacion dhe propagandë mbushën burgjet e regjimit më të egër komunist në Evropë.

Në këtë mënyrë figurat që sot do verifikohen kryesisht nga radhët e drejtësisë janë më shumë të prekur nga heqja e fjalës “speciale”, pasi këto ishin gjyqe të zakonshme dhe zhvilloheshin në gjykatat e rrethit dhe ato të larta.

Përveç këtij ndryshimi, nga drafti i PD në vitin 2006 dhe atij të vitit 2008, ka dhe disa ndryshime të tjera, por dallimi i lartpërmendur është një prej të cilëve, që hedh poshtë deklaratën e shefit të qeverisë, se ligji është depozituar rreth tre vjet më parë, kur nuk kishte procese hetimore, pra bëhet fjalë ndaj ministrit të tij Basha, apo për ngjarjen tragjike të Gërdecit dhe kur Bamir Topi ishte ende në PD dhe Ina Ramën nuk e njihte askush.

Heqja e fjalës “speciale” nga gjyqe politike shton gamën e prokurorëve që në kohën e diktaturës mund të kenë pasur çështje politike, por nga ana tjetër detyron të lënë detyrën disa prokurorë që sot kanë në hetim ministra të qeverisë, ngjarjen e Gërdecit apo dhe çështjen “Fazlliç”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›