E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një super Bajern përmbys gjithçka me Mançesterin

Bajerni i Mynihut ka triumfuar 2-1 ndaj Mançester Junajtid në çerekfinalen e parë të Champions League luajtur në “Allianz Arena”. Falë shpirtit gjerman dhe besimit deri në çastet e fundit, skuadra e Luis Van Gal ka arritur një fitore madhështore, duke mposhtur vetëm në sekondat e fundit “Djajtë e Kuq”.

Një hakmarrje e bavarezëve për atë humbje në finalen e vitit 1999, por edhe një hap përpara drejt gjysmëfinaleve. Në fakt, ka qenë një takim i jashtëzakonshëm për gjermanët, të cilët pësuan gol pa prekur asnjë top. Mançesteri mori një faull në anësore që në minutën e parë dhe krosi i Nanit ka gjetur të lirë Uejn Runin, i cili nuk ka falur duke mposhtur Jorg But. Një gol shokues për të pranishmit në “Allianz Arena”, por edhe për futbollistët bavarezë që në pjesën e parë janë dominuar nga anglezët.

Por, gjithçka ka ndryshuar në fraksionin e dytë. Bajerni ka sulmuar vazhdimisht dhe ka krijuar raste, por nuk barazoi shpejt vetëm falë formës së Edvin Van der Sar. Kjo deri në minutën e 77-të, kur pas një goditje dënimi në hyrje të zonës Frenk Riberi barazoi shifrat, pas një devijimi vendimtar të gjuajtjes së tij nga Uejn Runi. Më pas, Mançesteri goditi traversën me Nemanja Vidiç, i cili kërceu më lart ngë të gjithë pas goditjes së këndit të Gigs. Në minutën e dytë dhe të fundit shtesë, një rrëmujë në zonë e mbrojtësve të Mançesterit bëri që Ivica Oliç të përfitonte dhe të realizonte golin e dytë për Bajernin. Festë në “Allianz Arena” për një fitore të merituar. Në takimin tjetër ndërkohë Lioni ka bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Champions League duke mposhtur 3-1 në “Gerland” Bordonë. Lisandro Lopez dy herë dhe Bastos shënuan për skuadrën e Klod Pyel, ndërsa për zhirondinët barazoi përkohësisht Maruan Shamak.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›