E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel zbeh shpresën e turqve

Pas takimit me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi sot në në Stamboll edhe disa takime të tjera me zyrtarët turqë.

Ajo mori pjesë në një takim të forumit ekonomik turko-gjerman dhe në një diskutim të përbashkët me nxënësit. Në takimin me Erdoganin, kancelarja Merkel ka shprehur gatishmëri për negociata sa i përket mundësisë së hapjes në Gjermani të shkollave në gjuhën turke.

Kryetarja e CDU-së theksoi njëkohësisht se imigrantët turqë në këtë vend duhet të mësojnë edhe gjuhën gjermane. Kancelarja Merkel edhe një herë u shpreh skeptike për mundësinë e anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE.

Merkel dhe partia e saj demokristiane angazhohen për një partneritet të posaçëm të Turqisë me BE-në.

Por Merkel në bisedimet e saj nuk e vuri theksin tek fuqia ekonomike e Turqisë por tek problemet e pazgjidhura me fqinjët.

"Natyrisht që ne biseduam edhe për çështjen e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë pikë ne kemi thënë se marrëveshjet bëhen për t'i respektuar, pra që ne do t'i vazhdojmë negociatat. Nga pikëpamja ime problemi më i rëndësishëm për t'u zgjidhur është Protokolli i Ankarasë. Aktualisht kemi një gjendje ku nuk është sqaruar ende çështja e Qipros... Unë besoj që kohën që na ka mbetur do ta shfrytëzojmë për të biseduar për çështjen e Qipros dhe për të gjetur një zgjidhje për të. Besoj që kjo është në interesin e të gjithëve”, tha Merkel.

Një temë tjetër në bisedimet Merkel-Erdogan ishin edhe zënkat për programin bërthamor iranian. Erdogan u shpreh të hënën edhe një herë kundër sanksioneve kundër Iranit.

"A ka vende të tjera në rajon që posedojnë armë bërthamore? Po. Por a ka sanksione kundër këtyre shteteve? Jo", tha Erdogan duke aluduar hapur në bombat atomike izraelite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›