E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi do debatojë për rastin e Albin Kurtit

PRISHTINë- Kuvendi i Kosovës do të debatojë lidhur me rastin e liderit të lëvizjes 'Vetëvendosje', Albin Kurti. Vendimi u mor sot, tre javë pasi në Kuvend është dorëzuar një peticion me afro 146 mijë nënshkrime me kërkesë për mbylljen e procesit kundër tij.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës "mbi bazën e Rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion e Gjyqësi dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, vendosi që të caktojë një seancë debati lidhur me rastin e Albin Kurtit, e cila do të mbahet më 8 prill", bëhet e ditur në një komunikatë nga mbledhja e sotme e Kryesisë.

Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit i ka dorëzuar më 10 mars kryeparlamentarit Jakup Krasniqi kërkesën për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit të vitit 2007. Kërkesa shoqërohet edhe nga peticioni me 145769 nënshkrime, që konsiderohen legalisht të pranueshme.

"Debati parlamentar rreth kësaj çështjeje nuk nënkupton përzierje në punët e gjyqësorit, përkundrazi do të ishte një ndihmë për sistemin e drejtësisë në Kosovë", theksohet në kërkesën e Këshillit.
Gjyqi ndaj Albin Kurtit është shtyrë së fundi për në 13 prill, pasi për të tretën herë, nga seanca e parë më 15 shkurt, ai nuk u paraqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Lëvizja

Albin Kurti akuzohet për pjesëmarrje në një turmë njerëzish që ka kryer vepër penale; pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe për thirrje për rezistencë. Këto tri vepra pretendohet se janë kryer gjatë demonstratave që u zhvilluan më 10 shkurt 2007 në Prishtinë. (e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›