E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një traditë familjare

Kur pyesim një të moshuar që të na tregojë rrugën për në fshatin Koum-Buha, ai përgjigjet me një theks të fortë të Egjiptit të lashtë: "Fshati me kryetaren ‘Mara‘"? "Mara" është një term arab, përçmues për femrat. I moshuari na tregon drejtimin me një pamje jo shumë të gëzuar, më pas largohet me të shpejtë. Sapo hymë në Koum-Buha, vëmë re disa kafene të vogla. Banorët e quajnë këtë vend El Gesr. Këtu burrat takohen herët në mëngjes, para se të shkojnë për të punuar në ara, ose i kalojnë mbrëmjet duke pirë nargjile dhe duke biseduar për gratë dhe politikën, temat e tyre të preferuara. Konkretisht flasin dhe diskutojnë për Eva Habeil Kirollous, kryetaren e re Koum-Buhas.

"Është një grua, por vlen më shumë se 100 burra", thotë një qytetar. Sipas tij, në këto raste gjinia nuk është e rëndësishme: komuniteti nuk do ta ndalojë t‘i ndihmojë njerëzit vetëm për faktin se është grua. Ai tregon se para se të merrte këtë post, Kirollous ka qenë për shumë vite avokatja e fshatit. Zgjidhte problemet e të gjithë banorëve, madje edhe të atyre që nuk kishin para ta paguanin.

Më pas ndërhyn një tjetër fshatar: "Ia njohim mirë të atin dhe gjyshin. Edhe ata kanë qenë kryetarë të Koum-Buhas. Ishin njerëz të thjeshtë dhe të ndershëm. Nuk duam një kryetar të një familjeje tjetër". Në kafene janë të gjithë në një mendje: një grua mund të jetë drejtuesja e një fshati, po aq sa një burrë.

Pasi qëndroi i heshtur për pak çaste, më i moshuari në sallë tha: "Nuk më intereson nëse është grua, mjafton që të punojë si një burrë".

Eva Habeil Kirollous na pret në shtëpinë e saj, pranë një kishe të vjetër. Është veshur me të zeza, sepse ka qenë për vizitë në shtëpinë e një qytetari i cili ka 40 ditë që ka vdekur. Edhe kjo është pjesë e punës së saj. Ajo merr pjesë në të gjitha ngjarjet sociale të fshatit. "Duhet t‘i heqin këto zakone, më kanë ardhur në majë të hundës rrobat e zeza", thotë duke qeshur, më pas largohet për të marrë një bluzë të kuqe.

Kur bën shaka, Eva nuk përdor theksin arab, por flet sikur është nga Kajro. Është 54 vjeçe dhe jeton prej 20 vitesh në kryeqytet. Babai i saj dëshironte që ajo të kishte një formim të mirë profesional dhe të ishte e edukuar, kështu që e dërgoi në Kajro për të ndjekur studimet e larta. Tashmë Kirollous nuk kishte dyshime për zgjedhjen e saj: "E adhuroja mënyrën se si babai im i trajtonte njerëzit, tregon ajo. Ishte një kryetar i dashur dhe i respektueshëm. Bënte gjithmonë gjënë e duhur dhe për këtë të gjithë e vlerësonin". Që në vogëli, Kirollous është rritur me histori të drejta e të rreme, me etikën dhe korrektesën. Kështu që zgjodhi të ndiqte studimet në Fakultetin e Drejtësisë.

Në përfundim të studimeve, ajo e bindi të atit ta linte të jetonte në një rezidencë femrash, drejtuar nga kisha. Ishte një gjest i guximshëm i vitit 1980: në atë kohë femrat që nuk ktheheshin në shtëpi, akuzoheshin për imoralitet. "E dija se babai im ishte njeri i përparuar, kujton ajo. Në universitet ishte normale që vajzat të vishnin minifunde dhe bluza të tejdukshme, por në Egjiptin e lashtë vajzat nuk visheshin kështu. Ai nuk më ka tërhequr kurrë vëmendjen për veshjen".

Sjellja e të atit e nxiti Kirollousin të synonte edhe për më lart. Punonte si avokate në një zyrë avokatie, së bashku me 18 kolegë të tjerë, por qëllimi i saj ishte të hapte një zyrë të sajën. Rroga ishte e ulët dhe nuk dëshironte që t‘i kërkonte para të atit. "Kështu, tregon ajo, një ditë shkova tek ai dhe i thashë: ‘Si do ndiheshe nëse unë shkoj për të punuar në Irak, që të fitoj më shumë para‘? Në fillim ai e kundërshtoi. Ishte shumë strikt dhe nuk dëshironte që e bija të transferohej jashtë vendit për të punuar. Eva nuk u dorëzua: shkoi në kishë dhe iu lut priftit që t‘ia mbushte mendjen të atit. Pas shumë debatesh dhe lutjesh, familja e pranoi vendimin e saj.

Ishte fillimi i një periudhe të vështirë pune. Eva arriti në Irak ditën që u vra Presidenti egjiptian, Anwar al Salad. Pasi u sistemua në shtëpinë e një të afërmi, me të cilin kishte rënë dakord që të ndante shpenzimet, filloi të kërkonte punë. Pas shumë përpjekjesh, gjeti vend si shitëse në një librari. Pak muaj më vonë gjeti edhe një punë tjetër në Departamentin e Drejtësisë të Universitetit të Bagdadit. "Për pak kohë bëra dy punë. Gjatë gjithë ditës qëndroja në departament, ndërsa në mbrëmje punoja në librari. Kisha nevojë për para dhe në Irak nuk kishte shumë mundësi për të dalë".

Dy vjet më vonë, Kirollous u rikthye në Egjipt. Punoi për disa vjet në studio të tjera ligjore të Kajros dhe në 1988-ën arriti të realizonte ëndrrën e saj. Së bashku me një koleg, hapi një zyrë të specializuar në çështjen tregtare dhe civile.

Në vitin 1990, babai i saj u sëmur rëndë. Eva ishte e vetmja që mund të kujdesej për të, sepse i vëllai dhe pesë motrat ishin të martuar. Kështu që përgatiti valixhet dhe u kthye në shtëpi. Për të, i ati ishte gjëja më e rëndësishme në botë, por mbyllja e studios ishte gjithashtu një vendim shumë i vështirë.

Pasi u akomodua në Koum-Buha, ajo e vazhdoi aktivitetin e saj ligjor duke mbrojtur banorët e fshatit në çështjet kundër shtetit. Arriti të fitonte besimin e njerëzve të thjeshtë. Eva ishte një grua e ndershme dhe e edukuar.

Me miratimin e ministrisë

Pas vdekjes së të atit, në 2002-shin, mbajti zi për shumë muaj, por gjithashtu nuk i la pas dore planet e saj për të ardhmen: detyra e kryetarit të fshatit duhej të mbetej në familje. Në Egjipt, kryetarët e fshatit nuk zgjidhen. Një kandidat i bën kërkesë Ministrisë së Brendshme, e cila kontrollon kualifikimet e personit dhe më pas vendos nëse ky i fundit është i duhuri ose jo. Fillimisht kryetari i fshatit kujdeset për sigurinë e qytetarëve të tij.

Vëllai i Evas, Essam, bëri një kërkesë për këtë detyrë në vitin 2002, por nuk u pranua. Kryetari duhet të jetë shumë i lidhur me fshatin dhe banorët. Në atë kohë, Essam jetonte në Kajro. Kështu, Koum-Buha mbeti për shumë vite pa një udhëheqës.

Në fund të vitit 2006, Kirollous u paraqit në Ministrinë e Brendshme të Asiutit. Kërkonte disa të dhëna sepse do të kandidonte për postin e kryetarit të fshatit. Ishte e bindur se në Egjipt kishte shumë gra që mbanin këtë post. Nëpunësi i Ministrisë i tha se kandidati duhej të vinte vetë që ta plotësonte formularin me të dhënat. Atëherë Kirollous vuri buzën në gaz dhe iu përgjigj: "Unë jam kandidatja, apo duhet të jem burrë që të më pranoni"?

Pas dy vitesh burokraci, Kirollous u bë kryetarja e fshatit Koum-Buhas, duke mundur pesë kandidatë të tjerë meshkuj, mes tyre vëllain dhe dy të afërm. "Nuk ka qenë e lehtë t‘i bindja njerëzit të më pranonin, thotë Kirollous. Më bënin pyetje nga më të çuditshmet, për shembull: Çdo të bëja nëse njëri prej banorëve vritej? Do të isha e zonja të dilja natën? Çfarë pyetjesh pa vend! Unë iu përgjigjesha se do të bëja atë që bëjnë doktoreshat dhe infermieret gjatë turnit të natës. Shohin të vdekur e të plagosur e punojnë deri natën vonë pa u lodhur. Nuk janë këto gjërat që më frikësojnë".

Aleate e grave

Gratë e adhurojnë dhe e mbështesin: tani janë të bindura se në një çast vështirësie, kryetarja e fshatit do t‘i kuptojë. Ato e shohin si një aleate. Një prej këshilltareve është përpjekur ta vërë në provë autoritetin e saj. E vinte në lojë duke e thërritur "omdaya" (kryetar fshati, në arabisht), ndërsa një ditë ajo iu përgjigj duke i thënë se duhej ta quante "e nderuara kryetare".

Pak ditë pas marrjes së detyrës, Kirollous dha një tjetër provë të fortë të personalitetit të saj. Në mungesë të një kryetari fshati, banorët e Koum-Buhas ishin mësuar të mos i respektonin rregullat dhe kafenetë e El Gesr ishin aq të mëdha, saqë bllokonin trafikun. Kryetarja e re i urdhëroi pronarët e lokaleve të respektonin rregullat dhe t‘i linin të lira rrugët, sepse në të kundërt do t‘u hiqte licencat. Pas pak ditësh, rrugët e El Gesr ishin të hapura.

Ndihma për banorët

Eksperienca e saj si avokate e ka ndihmuar të gjejë një mënyrë të re të zgjidhjes së problemeve. Kur dy persona i drejtohen asaj, ajo i detyron të firmosin një raport më të detajuar mbi incidentin, në prani të dy dëshmitarëve. Duke vepruar kështu, u jep atyre një paralajmërim. Nëse çështja përsëritet, ajo mund ta dërgojë dokumentin në Ministrinë e Brendshme dhe të kërkojnë ndërhyrjen e policisë. Kjo është një procedurë e re. Kur ishte babai i saj kryetar fshati, të gjithë e quanin "babai i fshatit". Ai mund të kishte shumë cilësi, por Eva është e bindur se administrata duhet të jetë më moderne.

Problemi më i madh i Koum-Buhas është lakmia. Njerëzit mendojnë vetëm për paratë. Për shembull, kur një i ri kërkon dorën e një vajze për martesë, është i detyruar t‘i paguajë familjes 25 mijë lira egjiptiane. Në raste të tilla nuk mjafton vetëm sensibilizimi apo ndihma e autoriteteve për t‘i bindur njerëzit që të ndryshojnë disa rregulla. "Zgjidhja është të mbështetemi te besimi". Në Koum-Buha ka katër kisha dhe një xhami (95 për qind e banorëve të fshatit janë të krishterë). Kirollous po përpiqet të bindë autoritetet fetare të theksojnë në lutjet e tyre rëndësinë e të jetuarit thjesht dhe me modesti, duke kritikuar afeksionin ndaj parave. Ajo është e bindur se do të duhet kohë, ndoshta dekada që njerëzit t‘i pranojnë këto mendime.

Edhe jeta e Kirollous është shumë e thjeshtë. Orët e para të mëngjesit i kalon duke shëtitur nëpër fshat e duke dëgjuar ankesat e banorëve. Më pas kthehet në shtëpi dhe pret të tjerë njerëz që kanë për t‘i treguar problemet dhe shqetësimet e tyre. Mundohet të zgjidhë mosmarrëveshjet mes tyre, duke u folur me një ton të butë. Rreth orës 15:00 ha drekën dhe më pas pushon. Në orën 17:00 zgjohet dhe pret sërish vizita. Është gjithmonë e zënë, nuk ka kohë të mendojë se çfarë i rezervon e ardhmja, një tjetër detyrë politike, ose një angazhim publik.

"Ndonjëherë njerëzit nuk janë të lumtur, sepse shohin shumë përpara. Harrojnë të tashmen, për të menduar mbi një të ardhme që ndoshta nuk u sjell atë që kanë imagjinuar", thotë ajo.

Kirollous e kërkon lumturinë te gjërat e vogla, si të bëjë një dush të ngrohtë ose të lexojë një libër. Pavarësisht viteve që ka jetuar në qytet dhe karrierës si avokate, e konsideron veten një "fellah", një grua fshati që shijon jetën dhe punon duke mbjellë pemë, duke prashitur tokën dhe duke mbledhur fruta. Nuk lufton për më shumë, por kënaqet me atë që i ofron jeta. Sot jeton ashtu siç dëshiron, pa u shqetësuar se ç‘thonë të tjerët.

Kirollous nuk është e martuar dhe mendon se njerëzit nuk duhet të shqetësohen për këtë gjë. Nuk ka asnjë angazhim dhe është "vetë zot e vetë shkop". I pëlqen martesa, por jeta aktive nuk i ka dhënë kurrë mundësinë të ndalet dhe kryesorja është se nuk ka arritur të gjejë njeriun e duhur. "Nuk mendoj se duhej të martohesha medoemos dhe të qëndroja në shtëpi. Nuk mund të mësohesha me mendimin se isha e destinuar të kisha një rol dytësor. Gjithmonë kam ëndërruar dhe dëshiruar të bëja atë që mundja. Për këtë arsye martesa kaloi në plan të dytë".

Pavarësisht të gjithë asaj që ka bërë për mbajtur postin e saj, ka ende njerëz që nuk e pranojnë si kryetare fshati, siç është për shembull një 20-vjeçar i rritur në El Ghanaym, një fshat pranë Koum-Buhas. "Në rast mosmarrëveshjeje, ky fshat nuk do të guxojë kurrë të përballet me fshatrat e tjerë, thotë 20-vjeçari. Banorët e tij e dinë mirë se ç‘do të ndodhte. Të tjerët do t‘i vinin në lojë, sepse drejtohen nga një ‘mara‘ (grua)".

Por banorëve të Koum-Buhas nuk u intereson nëse fqinjët i vënë në lojë. Po punojnë për të përmirësuar jetën e tyre dhe janë krenarë që qeverisen nga një femër, sidomos nga një grua si Eva Habeil Kirollous.

Biografia

Eva lindi më 1955-ën në fshatin Koum-Buhas në Egjipt. Në vitin 1980 u diplomua në Universitetin e Kajros për Drejtësi. Nga viti 1981 e deri në ‘83-shin punoi në Irak. Në 1988-ën hapi një studio ligjore në Kajro. Në vitin 1990 u rikthye në fshat që të kujdesej për të atin, i cili ishte sëmurë. Në vitin 2008 u bë kryetare e fshatit Koum-Buha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›