E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia mban stok diamantet, në pritje të rritjes së kërkesës

Recesioni global ka ulur kërkesën për të gjitha llojet e produkteve - si çeliku apo drithërat - ndërkohë që qeset prej cohe të trashë mbërrijnë papushim në kompaninë shtetërore ruse të diamanteve. Çdo ditë gurët brenda qeseve vendosen në rafte metaliku në sallën e mbërritjes. Më pas diamantet lahen dhe klasifikohen sipas përmasave, pastërtisë, trajtës dhe cilësisë. Në fund, në vend që të dërgohen për t‘u shitur nëpër botë, mbështillen me letër dhe vendosen në një dhomë të blinduar. Bëhet fjalë rreth 3 milionë karatë gurë të çmuar çdo ditë.

"Secili prej tyre është i ndryshëm", thotë Irina Tkaçuk, një prej disa qindra të punësuarave (më së shumti janë gra) që merren me klasifikimin e diamanteve. Sheh çdo ditë mijëra prej tyre. "Nuk jam robot. Ndonjëherë ndalem dhe i them vetes: ‘Oh, çfarë diamant i bukur. Do më pëlqente një i tillë‘. Janë shumë të bukur".

Por mund të duhen vite përpara se një grua tjetër të ketë rastin ta admirojë atë gur. Rusia me qetësi hodhi një hap të madh këtë vit: la prapa kompaninë gjigande "De Beers", e cila deri dje ishte prodhuesi më i madh i diamanteve në rang global. Por tregu botëror i diamanteve është aq i dobët, sa kompania "Alrosa", 90 për qind e së cilës zotërohet nga shteti, nuk ka shitur as edhe një gur të vetëm që nga dhjetori. Duke parë si shkojnë gjërat, është vendosur që gurët të magazinohen dhe të lihen në pritje për mbërritjen e ditëve më të mira.

Si rezultat, Rusia është kthyer në arbitrin e çmimeve të diamanteve në tregun global. Vendimet e saja mbi prodhimin dhe shitjet do të përcaktojnë vlerën e diamanteve për vitet që do vijnë, që është edhe një prej pasojave më të habitshme të krizës ekonomike globale. Kjo, pasi gjendja financiare e mbretit të industrisë së diamanteve, "De Beers", është rënduar shumë së fundmi. Për më tej, recesioni përkoi me një vendim të autoriteteve antitrust të Bashkimit Evropian, që e detyroi kompaninë "De Beers" t‘i jepte fund politikës së mbajtjes stok të diamanteve (në bashkëpunim me rusen "Alrosa"), në mënyrë që të garantonte çmime të larta.

Megjithëse është ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë në shumë industri, Rusia tradicionalisht nuk u është përmbajtur politikave që mbajnë artificialisht lart çmimet e produkteve apo lëndëve të para. Në tregun e naftës, për shembull, Rusia përfiton nga uljet e sasisë së prodhimit të ndërmarra nga organizatat e shteteve prodhuese, por pa u bërë vetë pjesë e tyre. Diamantet përbëjnë një përjashtim. "Në rast se nuk kujdesesh për çmimin, tha Andrei Poliakov, një prej zëdhënësve të kompanisë ‘Alrosa‘, diamantet kthehen në copa karboni pa vlerë".

Në përpjekje për të rikalibruar kthimin në këtë treg global, Rusia po ngulmon në dy drejtime: te depozita e gurëve të çmuar të epokës sovjetike - e krijuar për të mbajtur bizhuteritë e konfiskuara nga aristokracia pas revolucionit të vitit 1917 - dhe investuesit e kapitaleve, të cilët, siç shpreson "Alrosa", do t‘i blejnë diamantet në formë investimi, siç veprohet me floririn.

Por po punon për të marrë rolin e liderit në këtë drejtim edhe në drejtime të tjera. Sergei Vibornov, shefi ekzekutiv i "Alrosa", tha se ka ndihmuar në bindjen e bankës qendrore të Angolës - e cila, si Rusia, ka të ardhura të konsiderueshme nga tregtia e naftës - të blejë 30 për qind të prodhimit të minierave të diamanteve në vend, në mënyrë që t‘i mbajë ata gurë larg nga tregu.

Deri vitin e shkuar, "De Beers" prodhonte rreth 40 për qind të sasisë së përgjithshme globale të gurëve të papërpunuar, dhe "Alrosa" vetëm 25 për qind. Por "De Beers", së cilës i është ndaluar krijimi i stoqeve nga Bashkimi Evropian, i mbylli minierat si pasojë e ngopjes së nevojave për gurë të papërpunuar. Rusia ngurron ta bëjë këtë, teksa autoritetet në Moskë u shqetësohen protestave të mundshme në rast se vendosin ndërprerjen e prodhimit dhe nxjerrjen e punonjësve në rrugë.

Në tremujorin e parë të këtij viti, "De Beers" e reduktoi sasinë e prodhimit me 91 për qind në raport me vitin e mëparshëm. Edhe kompani të tjera që operojnë në këtë industri e pakësuan prodhimin.

Ndërkaq, tregu i shitjes së diamanteve, me vlerë rreth 21.5 miliardë dollarë, pritet të bjerë në 12 miliardë në vitin 2009. Çmimi i diamanteve të papërpunuar ra me 75 për qind në raport me verën e vitit të shkuar.

Për rënien drastike të industrisë, Vibornovi fajëson kryesish tregtarët që i përdorën gurët e tyre si garanci ndaj bankave për të marrë kredi. Me shfaqjen e krizës financiare, bankat dhe kreditorët e tjerë ua morën ata gurë dhe i shitën, duke mbushur tregun plot e përplot. Në dhjetor, kompania e tij vendosi të tërhiqej fare nga tregu, në vend që të ulte edhe më tej çmimet.

Rusia ka qëndruar historikisht pas skene në industrinë e diamanteve, duke qenë se autoritetet sovjetike nuk e kishin të lehtë të promovonin një produkt të konsumuar në pjesën dërrmuese të rasteve nga të pasurit dhe bota kapitaliste. Kështu që sovjetikët nënshkruan një marrëveshje gjysmë të fshehtë me "De Beers" (në epokën e aparteidit), që të shiste diamantet e Siberisë pa rënë shumë në sy.

Me rënien e Bashkimit Sovjetik, industria ruse e diamanteve krijoi një aleancë formale me "De Beers", duke i shitur kompanisë afrikano-jugore gjysmën e prodhimit rus me çmim të arsyeshëm. Por tani janë rusët ata që kanë marrë në dorë timonin. Çarls Undham, ish-vlerësues në "De Beers", që tani zotëron një shoqëri konsulence në këtë industri, thotë se deri tani Rusia e ka menaxhuar mirë këtë ndryshim rolesh: ka vendosur të mbajë gurët në gjendje stoku, në pritje të fitimeve të mira në terma të gjata kohore, se sa në përfitime të vogla të momentit. "Çfarëdo të thuash për rusët, diçka është e sigurt, nuk janë aspak të trashë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›