Një tragjedi kosovare
Kosovarja Salihe Pajaziti, në pikë të ditës, kishte vrarë dhëndrin e saj. Ai e kishte mbyllur në shtëpi dhe e kishte abuzuar vajzën e saj - bashkëshorten e tij 17 vjeçare. Ngjarja kishte ndodhur para 11 vjetësh në Basel të Zvicrës. Pas vuajtjes së dënimit në burg, dorasja u dëbua nga Zvicra, përkundër vendimit të gjykatës që ajo të mos dëbohet. Por, tash ajo është kthyer te bashkëshorti, fëmijët, nipërit dhe mbesat e saj.
Rrëfimi për gruan kosovare është kthyer në mediat zvicerane. Regjisori i filmave dokumentarë, Alai Godet, e përshkruan këtë kronikë tragjike nëpërmjet një rrëfimi të dashurisë, e cila u shndërrua në ankth dhe e cila tash po merr një përfundim pajtues. Por, si kishte rrjedhur ngjarja?
Në një park në Basel, Teuta Pajaziti, 16-vjeçare, ishte dashuruar në bashkëkombësin e saj, Arifin. Prindërit e kishin kundërshtuar lidhjen e saj me mashkullin 12 vjet më të vjetër nga Kosova. Por, vajza adoleshente ia kishte arritur qëllimit të saj. Ishte martuar me Arifin dhe çifti ishte vendosur në një banesë të përbashkët. Por, në vend të lumturisë martesore, Teuta përjetonte një ankth të vërtetë: Arifi xheloz kishte filluar ta kontrollojë bashkëshorten e tij, e kishte mbyllur atë në shtëpi dhe kishte nisur ta rrahë. Teutën nuk e lejonte të takohej më me prindërit e saj, Salihe dhe Isuf Pajazitin.
Më 18 prill të vitit 2000, Salihja kërkon dhëndrin e saj për të folur me të. Fillon një përleshje, fillimisht në banesën e Arifit e më pas edhe në rrugë, ku ai hip në veturën e tij. Në momentin kur Arifi bën një lëvizje të shpejtë me dorë, Arifja e ndjen veten të rrezikuar. Nxjerr revolen nga çanta dhe shkrep shtatë plumba në drejtim të dhëndrit.
Gjykata e dënoi nënën e katër fëmijëve me gjashtë vjet e gjysmë burg, por nuk mori vendim për dëbimin e saj nga Zvicra.
Pas lirimit të parakohshëm të Salihes nga burgu, për shkak të sjelljeve të mira, në qershor të vitit 2004, policia megjithatë mori vendimin për dëbimin e saj. Për vite me radhë, Salihja jetoi në një banesë primitive në Prishtinë. Pa familje, pa miq, pa mundësi për t’u punësuar dhe në frikë të vazhdueshme nga hakmarrja nga ana e familjes së viktimës.
Avokati nga Baseli dhe kritiku i drejtësisë, Peter Zihlman, shkruan një libër për këtë ngjarje dhe lufton për kthimin në Zvicër të dorases. Kur televizioni zviceran shfaqi fatin e Salihes në emisionin ”DOK“, nisi një fushatë e madhe e solidaritetit me një numër të madh të letrave, të cilat iu dërguan Këshillit Komunal të Qytetit të Baselit.
Dhe, pati sukses: dhjetë vjet pas veprës dhe pesë vjet pas dëbimit, për policinë vjen vendimi i papritur: Salihja, tash 50 vjeçare, mund të kthehet në Zvicër. Më në fund nëna u bashkua sërish me familjen e saj.