E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet vazhdojnë të rriten

Të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se inflacioni në muajin mars 2011 është 10.8 për qind më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ekspertët thonë se kjo rritje do të vazhdojë deri kah mesi i vitit. Nga Albulena Maloku më 15 prill 2011 në ora 10:18

Trendi i rritjes së çmimeve nuk ka të ndalur. Që nga fillimi i këtij viti, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje të vazhdueshme prej muajit në muaj. Kosovarët do ta kenë të vështirë të përballojnë këtë situatë, për shkak se fuqia e tyre blerëse po bie vazhdimisht.

Së paku, krahasuar me vitin e kaluar, fuqia blerëse është për 10.8 për qind më e vogël. Kaq është inflacioni i matur për muajin mars nga Enti i Statistikave të Kosovës. Por, edhe më keq kur kjo krahasohet prej muajit në muaj.

Mes periudhës shkurt-mars është shtrenjtuar buka, vaji, mishi, qumështi, djathi dhe produkte tjera. Në përgjithësi, indeksi i tërësishëm i çmimeve, sipas Entit të Statistikës se Kosovës, është më i lartë për 1,1 për qind në muajin mars 2011, krahasuar me muajin shkurt të këtij viti.

“Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2011 me muajin mars 2010 ishte 10.8 për qind”, thuhet në raportin me të fundit të ESK-së.

Produkteve të shtrenjtuara u prijnë sërish buka dhe drithërat për 3.5 për qind, me një ndikim prej 0,4 për qind. Pasojnë perimet për 4.8 për qind, nafta dhe benzina për 4.8 për qind me një ndikim prej 0.2 për qind, mishi për 0.6 për qind, kafja dhe çaji 3.12 për qind me një ndikim 0.1 për qind në indeksin e tërësishëm të çmimeve. E, nëse krahasohen me vitin e kaluar, situata duket të jetë shumë më e rëndë.

Mes kësaj periudhe çmimi i bukës dhe drithërave është rritur për 47.5 për qind, pasuar nga vajrat dhe yndyrat 48.9 për qind, mishi 3.5 për qind dhe përdorimi i pajisjeve për transportin personal për 22.9 për qind.

“Sheqeri, reçeli, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsirat 24.1 për qind me një ndikim prej 0,6 për qind”, thuhet në raportin e fundit të ESK’së. Edhe ekspertët tërheqin vërejtjen se një përkeqësim i fuqisë blerëse mund ta rendojë situatën edhe më shumë. Por ata thonë se kjo rritje do të vazhdoj deri ka mesi i vitit.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, ka thënë se stabilizim të çmimeve mund të ketë ka mesi i vitit. Kurse sa i përket inflacionit, sipas tij, ne raport me shkurtin, shihet se ka rritje, mirëpo është më e ngadaltë sesa në mes janarit e shkurtit.“Kjo është shenjë që çmimet janë në rritje më të vogël dhe deri ka mesi i vitit kur mund të plasohen edhe produkte nga prodhimi i brendshëm mund të kemi stabilizim të çmimeve”, theksoi Rukiqi.

E rritja e çmimeve gjatë kësaj periudhe të këtij viti nuk i ka dëmtuar vetëm qytetarët dhe blerësit e zakonshëm. Hiç më mirë këtë me këtë situatë nuk po e kalojnë as tregtarët e vegjël, që në Kosovë përbëjnë 95 për qind të bizneseve. Ata kanë thënë se prej rritjes se çmimeve ka rënë interesimi i blerësve, e me këtë edhe fitimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›