Clinton uron Thaçin për rizgjedhjen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një telegram urimi nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hilary Clinton, me rastin e rizgjedhjes në krye të Qeverisë.
"Ju uroj për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kujtoj me kënaqësi udhëtimin tim në Kosovë në tetorin e vitit të kaluar dhe diskutimet tona të frytshme mbi rrugën që duhej ndjekur", thuhet në fillim të telegramit të urimit të sekretares Clinton.
Më tutje, sekretarja Clinton inkurajon kryeministrin Thaçi dhe kabinetin e tij të ri që të shtyjnë përpara dhe në mënyrë të shpejtë avancimin e një agjende të qëndrueshme dhe efektive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, integrimin e pakicave në Kosovës dhe ndjekjen e reformave të cilat do ta shpijnë vendin drejt përmbushjes së aspiratave euro-atlantike.
"Angazhimi juaj konstruktiv në dialogun e ndihmuar nga BE-ja do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim. Përshëndes progresin që Kosova ka shënuar në tre vjetët e parë të pavarësisë dhe mirëpres partneritetin përherë e më të ngushtë dhe më të thellë në vitet e ardhshme".
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson Clinton, do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të realizuar të drejtat dhe përgjegjësitë e saj si anëtare sovrane dhe e pavarur e bashkësisë ndërkombëtare.