Një trajner shqiptar dyshohet për korruptimin e portierit
Kanë tentuar të korruptojnë portierin Saviur Darmain të ekipit maltez Marsakslok, por dje janë arrestuar. Bëhet fjalë për trajnerin shqiptar Ilir Pelingu dhe gjyqtarin maltez Joe Atard, i cili mban edhe stemën e FIFA s dhe ka gjykuar ndeshjen Shqipëri-Slloveni 0-0, luajtur më 24 mars 2007 në "Loro Boriçi" të Shkodrës. Lajmin e bëjnë të ditur mediat malteze.
"Trajneri shqiptar Ilir Pelinku bashkë me gjyqtarin ndërkombëtar Atard janë arrestuar me akuzën për tentativë të korrupsionit në ndeshjen e vlefshme për Kupën UEFA, Marsakslok-Sllaven Belupo. Pelingu, në bashkëpunim me gjyqtarin, ka kontaktuar me portierin e skuadrës malteze, duke i ofruar atij parà për të manipuluar rezultatin e ndeshjes. Por portieri e denoncoi episodin përpara ndeshjes dhe më pas hetimet e Federatës Malteze të Futbollit mbetën të fshehta. Presidenti i kësaj të fundit, Joe Mifsud, ka lajmëruar policinë, që dje kreu arrestimet. Çështja është paraqitur edhe pranë UEFA s nga vetë Mifsud, i cili është pjesëtar i ekzekutivit të organizmit europian,"shkruante ndër të tjera uebsajti "timesofmalta". Për sa i përket trajnerit shqiptar, mësohet se ai kohët e fundit ka drejtuar ekipin Lija Atletik, që bën pjesë në divizionin e dytë të Maltës. "Në momentin e parë unë nuk e thashë se për cilën ndeshje bëhej fjalë, sepse nuk doja të komprometoja hetimet. Por tani unë mund t'i them emrat e dy të dyshuarve, të cilët janë një shqiptar, i cili ka shumë vite që punon në vendin tonë, si dhe një arbitër shumë i mirë maltez. Pra, Ilir Pelingu dhe Joe Atard,"konfirmoi gjatë një konference për shtyp kreu i Federatës së Futbollit të Maltës. Kujtojmë që ndeshja ka përfunduar 4 0 në favor të ekipit kroat Sllaven Belupo.