E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e neurologut, mjekët e Vlorës në tubim

Vlorë- Mjekët e spitalit të Vlorës kanë njoftuar se do të zhvillojnë një tubim sensibilizues, përmes të cilit kërkojnë marrjen e masave në mbrojtje të jetës, ndërsa janë në krye të detyrës. Vendimi ka marrë shkas nga ngjarja e ndodhur një ditë më parë, kur mbeti i plagosur rëndë neurologu Kosta Koçi, mjeku i njohur i këtij spitali.

Sot ata kanë nënshkruar një peticion, ku shprehin indinjatën e thellë për shkak se sjelljet e pahijshme, deri në raste të tilla kriminale, po shtohen dhe personeli mjeksor i stresuar, ndjehet i pambrojtur dhe jo i qetë për të kryer detyrën e tij humane dhe fisnike për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.

Në peticionin e datës së sotme thuhet se kudo në botë personeli shëndetësor respektohet për misionin e tij fisnik dhe human që ka në shoqëri, ndërsa tek ne hera herës qëndron dukshëm dhuna verbale dhe fizike.

Bluzat e bardha shprehin dhe njëherë indinjatën e thellë ndaj këtyre qëndrimeve dhe i bëjnë thirrje gjithë opinionit publik për të dënuar dhe shmangur këto sjellje të pahijshme qytetare. Po ashtu gjithë institucioneve shtetërore në varësi të funksionit të detyrave që kanë të marrin të gjitha masat për të siguruar një shërbim shëndetësor normal,e mjekët të kryejnë në qetësi detyrën e tyre fisnike.

Trupa mjeksore e spitalit të Vlorës ka njoftuar se do të zhvillojë një tubim për të sensibilizuar opinionin publik për tu bashkuar kundër këtyre akteve aspak qytetare dhe jo ligjore.

Shpërblim kush tregon për plagosjen e mjekutVlorë- Policia e Vlorës ka kërkuar bashkëpunim e qyetetarëve për të zbuluar autorin e plagosjes me thikë të mjekut neurolog, Kosta Koçi. Në një njoftim të fundit ajo ka bërë me dije se për ata që do të bashkëpunojnë e do të japin detaje do të jepet si shpërblim një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra.

Mjeku e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ka dhënë dëshminë e tij në polici, por nuk ka mudnur të tregojë shumë detaje. Ende nuk ka asnjë autor të dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që burimet policore sqarojnë se janë ende në hetim.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, pranë ambulancës qendrore të qytetit, vend ku neurologu Koçi ka dhe klinikën private. Mësohet se ai ka dalë nga klinika, pasi është kërkuar nga një grua për të kryer një vizitë shtëpi. Pas bisedës me të, pranë mjekut është afruar edhe një burrë, që i ka kërkuar të njëjtën gjë.

Biseda duket se ka rrjedhur se në shtëpinë e kujt duhet të shkonte mjeku e kë duhet të ndihmonte të parin, ndërsa asnjë prej personave që kishte nevojë s’ka dashur të tolerojë tjetrin. Ndërsa Koçi ka vendosur që të shkojë në banesën e gruas, e cila i kishte kërkuar ndihmë e para, burri ka nxjerrë thikën duke e goditur mjekun disa herë: në qafë, shpatull, në trup e në dorë. I mbuluar me gjak, 64-vjeçari është rrëzuar në tokë. Pas kësaj autori është larguar në brendësi të lagjes, nga pjesa e pasme e ambulancës.

“I gjatë, ezmer, veshur me një tip kostumi të lehtë sportiv blu të errët”. Këto kanë qenë të dhënat për vrasësin, të dhëna nga dëshmitarja kryesore. Ajo është një grua, e cila punon shitëse në një nga dyqanet e veshjeve në qytet, dhe ishte pikërisht personi që i kishte kërkuar mjekut të shkonte në shtëpinë e saj për t’i bërë një vizitë të ëmës. Koçi, sipas saj, është nisur për ta ndihmuar, por personi tjetër i është afruar dhe i ka kërkuar të shkonte me të për shkak të një urgjence që kishte.

Por, gruaja nuk ka pranuar që mjeku të shkojë pas tjetrit, duke pretenduar se edhe ajo kishte një rast urgjent. Në dëshminë e saj ajo shpjegoi se burri kishte reaguar menjëherë dhe se fillimisht ajo ishte hutuar duke menduar se dy burrat po përlesheshin. Gjaku para syve dhe mjeku i rrëzuar kishte bërë që ajo të vinte në vete e të fillonte të bërtiste duke kërkuar ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›