E Diel, 1 Nëntor 2026

Alban Bushi tregon sekretin: Nuk dorëzohem kurrë!

Gazeta greke "Goalday" vlerëson shumë egon e sulmuesit shqiptar, i cili kërkon të luajë ende me kombëtaren

Goli që shënoi në ndeshjen e fundit me Levadhiakosin, ka bërë që Alban Bushi të kthehet edhe një herë si protagonist jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në mediat greke. Kështu, gazeta "Goalday" ka vënë në dukje disa nga sekretet e futbollistit shqiptar, që nuk dorëzohet kurrë, teksa edhe tani në moshën 34-vjeçare kërkon medoemos të rikthehet në kombëtare.

Alban Bushi është nga ata futbollistë, që nuk i pëlqen të ulet në stol. Në çdo skuadër ku ka luajtur, ka pasur rolin e protagonistit. Në tri ndeshjet e para të këtij sezoni në kampionatit grek, shqiptari luajti vetëm 8 minuta ndaj Ergotelisit dhe tifozët e Levadhiakosit menduan se sulmuesi nuk është akoma gati. Por ishte e paktë koha, kur Bushi u fut në lojë, dhe kjo erdhi në ndeshjen e fundit, kundër Asteras Tripolis. Në 70 minutat aktivizim, 35 vjeçari bëri të pamundurën për të treguar se vazhdon të jetë protagonist, falë egos së tij. "Veterani" i dha fitoren Levadhiakosit, duke shënuar me kokë në pjesën e dytë. Një ditë pas ndeshjes, ai tha: "Nuk jam akoma i gatshëm. Nuk mund të luaj 90 minuta. Megjithatë, ndeshje pas ndeshjeje do të jem në formën më të mirë."

Dashuria e vjetër për kombëtaren

Mospraninë në kombëtaren shqiptare, golashënuesi më i mirë i kuqezinjve e vuan shumë. Rikthimi në kombëtare është një nga objektivat më kryesorë për sulmuesin. Por duket se çdo gjë ka koston e vet. Para dy ndeshjeve të para eliminatore, që Shqipëria luajti me Suedinë dhe Maltën, trajneri i kombëtares Ari Han dëshiroi të kontaktonte në telefon me Bushin, por ky i fundit në atë periudhë nuk ndodhej në Greqi pranë ish ekipit të tij, Apollon Kallamaria. Interesimi i holandezit i krijoi përshtypjen futbollistit se do të ishte në planet e tij, por kjo nuk ndodhi. Kombëtarja është një dashuri e vjetër dhe Alban Bushi nuk dëshiron të dorëzohet. "Dua që të luaj sa më shumë ndeshje me kombëtaren në këto eliminatore, për të treguar se e meritoj atë vend e natyrisht të largohem me kokën lart."

Terapia në Gjermani

Pas dëmtimit, në muajt e verës ai pushoi shumë, për të qenë i gatshëm në këtë fillim sezoni. Kështu, sulmuesi shkoi në qendrën mjekësore të Hertës në Gjermani, ku për një periudhë dymujore kreu një terapi intensive për të kaluar dëmtimin që pësoi në fundin e sezonit të kaluar. Terapia në Gjermani dha rezultate pozitive dhe Bushi gradualisht hyri në ritmin e grupit te Levadhiakosi. Në këtë moment ambiciet e tij ishin minimale. Ndërkohë, në skuadër besonin se sulmuesi do të kthehej në gjendjen e tij më të mirë.

Miqësia me presidentin

Futbollisti shqiptar njihet si një njeri i afërt me presidentin e Levadhiakosit, Jani Koboti. Miqësia e tyre lindi në sezonin 2005 2006, kur për herë të parë, Alban Bushi u bë pjesë e Levadhiakosit. Sulmuesi tregoi talentin e tij në këtë sezon, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Që nga ky moment, Bushi dhe Koboti janë shokë të ngushtë, dhe jo më kot e vazhduan bashkëpunimin në këtë sezon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›