E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një triumf i dashurisë njerëzore

Siç po dëshmon koha, libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” i shkrimtarit Zija Çela, mbetet unikal. Binomi atë-bir në këtë rrëfim elegjiak është një nga mrekullitë njerëzore që mund të ketë jeta mbi tokë, dhe një nga marrëdhëniet më prekëse që mu
Bardhyl LONDO
Kur fillova ta lexoja qysh në dorëshkrim librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, gjeja një mijë arsye për ta shtyrë leximin sa më shumë të ishte e mundur. Ndërsa kur shfletova një numër të madh faqesh, përpiqesha të gjeja përsëri një mijë e një arsye për të mos arritur në faqet fatale, ku përshkruhet vdekja e Tanit. Megjithëse tashmë ajo ishte një fakt i kryer, madje kishte kohë që kishte ndodhur, vdekja në libër, për çudi, kishte po të njëjtën peshë që ka edhe në jetë. Ajo ishte njëlloj e papranueshme dhe me të asnjëherë nuk mund të pajtoheshe. E kur kjo ndodhi edhe në libër, atëherë si në ditët e mia më të vështira, më lindi dëshira për doza të shtuara alkooli apo për të përdorur qetësues.
E kisha njohur Tanin (përkthyesi Dritan Çela mbylli sytë me 4 mars 2006) për shkak të lidhjeve të ngushta që kisha me të atin e tij, por e kisha dashur më shumë se të atin. Gjithmonë duke e parë, duke e dëgjuar, duke e lexuar. Tashti më kujtonte diçka prej engjëlli. Madje, fytyra e tij e zbehtë më kujtonte atë fisnikëri që kanë familjet e ngritura, të rangut të lartë shoqëror, ndërsa herë-herë më kujtonte zbehtësinë fisnike, si prej dylli, të engjëjve. Jo rrallë më dukej sikur në vend të krahëve duhej të kishte flatra, jo rrallë thosha me vete ku i ka flatrat? Asnjëherë nuk kisha dyshuar në talentin e tij të jashtëzakonshëm si përkthyes dhe sidomos në gjenialitetin e tij të pashoq për të qenë njeri. Dhe ai ishte njeri, vërtet kampion i të qenit njeri. Ndaj si i tillë, shumë shpejt u shndërrua në engjëll dhe Zoti e mori në qiell pikërisht për t’i dhënë dritë qiellit, për të zbukuruar vetë qiellin. Gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos duke jetuar me atmosferën e librit “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më kanë rrahur si çekan në tru vargjet e famshme të Çajupit: “deshe dritë o qiell/ more dritën time!”
Letërsia botërore dhe ajo shqiptare ka perla të vërteta me këtë temë, sepse humbjet e tilla kanë një dhembje dhe pikëllim që nuk është karakteristik për njerëzit e zakonshëm, por për perënditë. Libri i Zija Çelës, me përmasat e një dhembjeje që është e denjë vetëm për perënditë, të fut në një atmosferë nga e cila nuk del dot lehtë. Duke qenë një vdekje krejt unikale, edhe libri është unikal. Kam dëgjuar ta krahasojnë me “Paolën” e Izabelë Alendes. Dikush tjetër mund të sjellë ndër mend vjershën e famshme, njërën prej më të bukurave të Viktor Hygoit për rastin analog. Një tjetër mund të kujtojë “Vajet” e Çajupit apo “Një vajzë e vdekur, një lule e fishkur” të Naimi Frashërit.
Por libri dhe Tani i Zija Çelës janë vetëm vetvetja dhe askush tjetër. Zija Çela shkrimtar ka ditur të krijojë një Tan-personazh të papërsëritshëm, ashtu siç diti të krijojë një Tan-bir jo vetëm atlet të jetës, por edhe kampion të artit të madh e të vështirë të të qenit njeri. Libri mbetet një rrëfim tronditës për jetën e vdekjen dhe sidomos për marrëdhëniet njerëzore. Binomi atë-bir në këtë libër është një nga mrekullitë njerëzore që mund të ketë jeta mbi tokë, dhe një nga marrëdhëniet më prekëse që mund të ketë letërsia dhe arti. Por jo vetëm kaq. Marrëdhëniet Zija - personazh dhe atë-bir i tejkalojnë këto caqe dhe vijnë në libër si marrëdhënie të njeriut me njeriun, të dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë. Pikërisht ky binom, që në fakt përbën vetëm një qenie njerëzore por me dy trupa, vjen në letërsi ashtu siç kanë qenë në jetë: shembull i dashurisë dhe mirëkuptimit universal njerëzor.
Libri, ashtu si jeta dhe vdekja e Tanit, kanë me të vërtetë një frymë jashtëtokësore, që të kujton skenat madhështore të tragjedive të antikitetit. Në të marrin pjesë njerëz të gjallë e të vdekur, njerëz të njohur e të panjohur, njerëz të zakonshëm dhe personalitete politike, poetë e kryeministra, shkrimtarë e ministra. Në të merr pjesë toka por edhe qielli, zymtësia e spitaleve por edhe sendet e përditshme të jetës, që na kujtojnë se njeriu është njeri dhe pikërisht për këtë ai ka diçka prej perëndie.
Ishim mësuar deri tashti të kishim një Tan djalosh të talentuar dhe njeri të papërsëritshëm, tashti kemi edhe një Tan personazh po aq të bukur e njerëzor. Dhe ndërsa perënditë u treguan të pamëshirshme duke na e marrë Tanin-njeri për të zbukuruar veten, ato janë krejt të pafuqishme për të na e marrë Tanin-personazh, personazh të një vepre sa unikale, aq dhe universale. Ato janë të mundura në betejën e tyre me Tanin si një atlet i madh i jetës, si një dëshmi e pavdekshme se si duhet të jetë njeriu, të mundura përballë këtij rrëfimi të mistershëm që triumfon mbi vdekjen, këtij libri elegjiak e skalitës të marrëdhënieve atë-bir dhe, sidomos, të marrdhënieve njeri-njeri.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›