Rikthehen protestat, policia serbe përgjak rrugët e Prishtinës
Agjencia jugosllave e lajmeve, “Tanjug”, njoftoi se dje në Prishtinë u zhvilluan demonstrata të reja me pjesëmarrjen e një numri shumë të madh studentësh e nxënësish. Për të evituar demonstratat në Kosovë, siç ka bërë të ditur shtypi jugosllav, ishin marrë masa të jashtëzakonshme. Përveç mobilizimit të aparatit të LKJ-së, të organeve shtetërore e organizatave të ndryshme, në Kosovë ishin sjellë forca të shumta të ushtrisë e të policisë, ishin shtuar patrullat nëpër rrugë dhe ishin vendosur roje të forta në shkollat e larta, të mesme e në mjaft qendra pune. Me gjithë këto masa sigurimi, të enjten, siç bën të ditur “Tanjug”, qindra të rinj e të reja të shkollave të larta demonstruan në fillim përpara ndërtesës së Akademisë Pedagogjike dhe Fakultetit Teknik duke hedhur parullat: “Kosova-Republikë”, “Bashkim”, etj. Pas ndërhyrjes së policisë, një grup edhe më i madh njerëzish, i përbërë kryesisht nga nxënës të shkollave të mesme, u grumbulluan në rrugën e gjimnazit “Ivo Lola Ribar” dhe të shkollës teknike, kënduan këngë patriotike, tundën shalle kuq e zi, që simbolizojnë flamurin shqiptar, si dhe hodhën parulla të ndryshme. Agjencia “Tanjug” bën të ditur gjithashtu se me demonstruesit u bashkuan një numër i madh nxënësish të shkollave të mesme, të cilët braktisën mësimet. Në një njoftim të Komitetit të LK-së së Komunës së Prishtinës, të mbledhur urgjentisht me këtë rast, theksohet se manifestime të tilla ka patur edhe në Shkollën Ekonomike të Prishtinës ku një grup prej 400 nxënësish bojkotuan mësimet. Mësimet u bojkotuan edhe në shkolla të tjera në Prishtinë dhe Obiliq. Lajme për këto demonstrata kanë dhënë edhe agjenci të tjera si AFP, DPA, AS, PRRES, ROJTER etj. Agjencia gjermanoperëndimore DPA njofton se në përvjetorin e parë të fillimit të demonstratave në krahinën e Kosovës, mijëra veta, kryesisht të rinj shqiptarë, demonstruan përsëri në favor të krijimit të Republikës së Kosovës. Të enjten paradite, qindra studentë dhe nxënës shkolle u mblodhën në Prishtinë në oborrin e qendrës studenteske, ku më 11 mars të vitit të kaluar u bënë demonstratat e njohura. Menjëherë pas kësaj, njësi të milicisë bllokuan rrugët e qytetit. Lidhjet telefonike me pjesët e tjera të vendit u ndërprenë. Gjatë demonstratës, forcat e sigurimit u përleshën me demonstruesit. Kur më në fund disa qindra veta u mblodhën përballë ndërtesës së Kuvendit të krahinës, policia përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata. Ndërkohë, u zhvilluan demonstrata në katër qytete të tjera. Në Prishtinë, gjatë mbrëmjes disa mijëra veta u mblodhën për të bërë një marshim të qetë. Agjencia franceze e lajmeve AEP në njoftimin e saj me titull “Gjendja në Kosovë vahdon të jetë e nderë”, ndër të tjera shkruan: “Më 12 mars në mëngjes dukej se demonstratat e shpërthyera njëra pas tjetrës në pesë qytete morën proporcione shumë më të mëdha se ç’lë të kuptohet komunikata zyrtare e Komitetit të LK të Prishtinës. U zhvilluan përleshje, duke shkaktuar dy të plagosur në Podujevë, ndërsa në Prishtinë policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë. Demonstratat që filluan në mëngjesin e 11 marsit në Prishtinë vazhduan në mbrëmje në shëtitoren e kryeqytetit, ku, sipas shtypit, mijëra të rinj manifestuan të veshur shumica me rroba me ngjyra të kuqe dhe të zezë të flamurit shqiptar. Sot në drekë, të gjitha shkollat ishin mbyllur, sipas së përditshmes “Novosti”. Në Podujevë, 30 km në veri të Prishtinës, ku përleshjet ishin më të ashprat vitin e kaluar, ishin mbledhur një numër më i madh demonstruesish kundër të cilëve policia ndërhyri brutalisht. Në Suharekë, qindra nxënës të një shkolle të mesme u grumbulluan në oborr duke thirrur: “Kosova-Republikë”, “Bashkim, bashkim” dhe “Lironi shokët tanë”. Shkolla u mbyll për dhjetë ditë. Edhe në dy qytete të tjerë në Obeliq afër Prishtinës dhe në Pejë, në jugperëndim të krahinës, u zhvilluan demonstrata dhe përleshje. Sipas njoftimeve që ka marrë me telefon nga Kosova, agjencia angleze e lajmeve “Rojter” vë në dukje se demonstrata të tilla proteste me kërkesën “Kosova-Republikë” dhe për lirimin e të burgosurve u bënë edhe në qytete të tjera. Agjencitë e lajmeve vënë në dukje se këto manifestime e protesta koincidojnë me përvjetorin e parë të fillimit të demonstratave që ndodhën në këtë krahinë, që popullohet kryesisht nga shqiptarë dhe që arritën kulmin me përleshjet e përgjakshme të zhvilluara në fund të marsit e në fillim të prillit të vitit të kaluar. Ato theksojnë gjithashtu se aktualisht në Kosovë janë shtuar masat shtypëse dhe rrugët e qyteteve, sidomos ato të Prishtinës, janë mbushur me reparte të shumta të ushtrisë, të policisë e të sigurimit.
Jugosllavia kundër kulturës, gjuhës dhe arsimit
Në të gjitha instancat e Lidhjes Komuniste dhe të Republikës së Serbisë vazhdojnë të ndërmerren sulme të egra kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të bëhen kërkesa për t’u mohuar e shkelur atyre çdo të drejtë. Disa ditë më parë, në një mbledhje të Këshillit Koordinues për Marrëdhëniet Ndërnacionale të Konferencës Republikane të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Serbisë, që u mbajt në Beograd, u kërkua që të rishqyrtohen dispozitat për njohjen e obligueshme të gjuhës shqipe, që formalisht janë akoma në fuqi në Kosovë. Përdorimin e gjuhës shqipe në administratën dhe institucionet shoqërore të Kosovës në Jugosllavi, propaganda jugosllave e reklamonte si një shprehje të afrimit kombëtar dhe të barazisë së popujve e kombeve. Por tani serbomëdhenjve, siç duket, nuk u nevojiten reklamat. Me heqjen e kësaj dispozite, ata duan që nëpunësit shqiptarë t’i zëvendësojnë me nëpunës serbë, për të vendosur në Kosovë një administratë krejtësisht serbe. Po ashtu, në këtë mbledhje kryetarët serbë kërkuan që të rishqyrtohet dhe regjistrimi proporcional në fakultet sipas numrit të banorëve. Kjo është në kundërshtim të plotë me praktikën e zbatuar deri sot nga sekretariati për Arsim, Kulturë e Shkencë i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, sipas së cilës regjistrimi i studentëve në universitetet dhe shkollat e larta bëhet në bazë të strukturës kombëtare të popullsisë. Qëllimi duket qartë. Ai synon që të pakësohet akoma më shumë numri i studentëve shqiptarë e të shtohet ai i serbëve, që shqiptarët të mos kenë një arsim të lartë kombëtar të tyre. Këto kërkesa bëhen në një kohë kur në Kosovë kanë filluar përgatitjet për regjistrimet në vitin e ardhshëm shkollor në Universitetin e Kosovës. Ato janë një presion për të ndryshuar jo vetëm kriteret e deritanishme të pranimit, por edhe karakterin e vet si universitet. Mbledhja që u mbajt në Beograd kërkoi gjithashtu që të rishikohet përpjesëtimi i përcaktuar në programet e radios dhe të televizionit të Prishtinës, të cilat në përshtatje me strukturën kombëtare të popullsisë kanë qenë në pjesën më të madhe në gjuhën shqipe. Serbomëdhenjve nga Beogradi aq u bën nëse populli nuk do të marrë vesh se ç’flet radioja e televizioni, ata interesohen vetëm që në Kosovë të mos dëgjohet fjala shqip. Në Beograd mesa duket janë akoma të pakënaqur me tërë ato masa të egra shkombëtarizuese që kanë marrë në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara nga shqiptarë kundër arsimit, kulturës e gjuhës shqipe.
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, datë 5 shkurt 1982
Jugosllavia u kundërpërgjigjet provokimeve të studentëve
Më tepër se tre mijë veta, që ishin mbledhur në Pallatin e Sportit për të ndjekur një ndeshje basketbolli midis ekipeve të femrave të Universitetit të Prishtinës dhe Jezhica të Ljubljanës, gjatë dhe pas ndeshjes hodhën parulla kundër shtypjes dhe persekutimeve që serbomëdhenjtë ushtrojnë në Kosovë, si dhe kënduan këngë patriotike. Në fillim të ndeshjes, spikeri njoftoi përbërjen e ekipeve në gjuhën shqipe dhe kur u përpoq ta bënte këtë edhe në gjuhën serbe spektatorët filluan të fishkëllenin dhe të protestonin, kështu që spikeri e ndërpreu të folurin. Pas ndeshjes, me spektatorët që dolën nga pallati i sportit u bashkuan studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët marshuan nëpër rrugë dhe u grumbulluan pranë konvikteve të Universitetit. Siç vë në dukje “Tanjug”, demonstruesit hodhën parullat: ”Kosova-Republikë”, “Bashkim”, “Lironi shokët”, “Duam statusin e Republikës me hir ose me pahir”, “Poshtë tradhtarët”, etj. Kundër demonstruesve u dërguan reparte të policisë. Në lidhje me demonstratën e mësipërme, dje u thirrën në një mbledhje të përbashkët urgjente Komiteti i Lidhjes së Komunistëve dhe kryesia e Konferencës së Lidhjes Socialiste të Komunës së Prishtinës. Në këtë mbledhje, siç njofton “Tanjug”, kjo demonstratë u konsiderua më seriozja nga demonstratat e pranverës së vitit të kaluar. Me këtë rast u bë përsëri thirrje për të shpartalluar forcat që kundërshtojnë procesin e stabilizimit, prapa të cilit siç dihet maskohet fushata e egër e ndjekjeve ,e persekutimeve të ashpra dhe e diskriminimit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Mbledhja kërkoi që të merren masa më energjike që të bëhet një luftë e hapur, që, sipas gjuhës së Beogradit, do të thotë të thellohet akoma më tej procesi i dënimeve dhe i ndjekjeve policore në Kosovë.
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, datë 17 shkurt 1982
Shkrimi kryesor është botuar në gazetën “Bashkimi” më 13 mars 1982
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
4 Mars 2008