E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse s’ka Institut Riedukimi për të mitur?!

Jani Papandile

Kam ndjekur me interesim vit pas vit reformimet, masat organizative, administrative që strukturat e Ministrisë të Drejtësisë kanë kryer hap pas hapi në drejtim të përmirësimit të kushteve për ata që duhen të veçohen nga jeta e lirë për shkak të zbatimit të vendimeve gjyqësore-penale. Deri në vitet 90, për shumë vite jam marrë me institucione të kësaj natyre veçanërisht me atë që quhet “ Shkolla e Riedukimit” Pas viteve 90 kam përgatitur programe konkrete që së paku një Institut Riedukimi për të rritur 14-18 vjeç duhet të funksionojë në Shqipëri. Në dy raste me përkrahjen edhe të strukturave të Ministrisë së Drejtësisë (në vitin 1999 dhe 2004 është përgatitur edhe terreni paraprakisht me synimin që Këshilli i Ministrave të vendoste hapjen e Institucionit, por praktikisht edhe aktualisht shteti shqiptar në kundërshtim me “Konventat Ndërkombëtare për të miturit e inkriminuar”, nuk e ka plotësuar angazhimin e marrë nga Qeveria Nano dhe Berisha).
Lexova me vëmendje “Fëmijët në burgun e Vaqarit (në një nga gazetat e përditshme shqiptare) dhe do të ndjehesha mirë me pyetjen që shtroi zoti Fatos Lubonja, kur me ndjenjë të thellë shqetësimi nënvizon: Pse vallë nuk kemi kohë të merremi me këtë punë që nuk kërkon shumë mundim? Pse nuk kërkojmë të adoptojmë edhe ne format alternative të dënimit të minoreneve.
Do të shfaq disa mendime për shqetësimin që shfaq dhe e bën publik Fatos Lubonja, që solidarizohem plotësisht me thelbin e problemit që trajton duke marrë shkak nga ai realitet i hidhur i burgut në Vaqar, por nuk mund t’i shmangem dhe traditës shqiptare të ashtuquajturit “Makarenko”.
Është e natyrshme që Shqipëria brenda ish kampit komunist ka adoptuar shumë institucione sipas përvojës të ish - Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1957 u ngrit një Institut Riedukimi për të miturit e implikuar në vepra penale në qytetin e Gramshit. Drejtori i parë i kësaj qendre me rreth 70 të mitur, Henrik Çoba, shkoi në Rusi disa ditë dhe pa nga afër përvojën e quajtur “Makarenko”. Ky Institucion që i ngjante një burgu për të rritur, u transferua në Tiranë në vitin 1960, ku edukatorët u morën me arsim të lartë pedagogjik. Kryesisht mësues të shkollave të mesme dhe 8 –vjeçare të Tiranës. Institucioni u mbyll në vitin 1968 në kuadrin e shkurtimeve administrative dhe luftës kundër burokracisë!
Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr .123, dt 10.07.73 u ringrit Shkolla e Riedukimit por me disa ndryshime nga e para, kryesisht për të mitur deri në moshën 17 vjeç, mbi këtë moshë nuk pranoheshin.
Do të përmend vetëm disa tregues:
• Pas një viti nga hapja e Institucionit, të miturit konkurronin me nxënësit e shkollave të Kryeqytetit dhe disa vjet rresht zinin vendin e parë në aktivitete-teatrore.
• Konkurronin dhe zinin vende kyçe të klasifikimit dhe ne konkurrime mësimore dhe sportive.
• Pas dy vjetëve, shkonin pranë familjeve nga kishin ardhur mesatarisht 50 të mitur, me profesionin e zdrukthëtarit, farkëtarit, tornitorit, bojaxhiut-muratorit, dhe vendoseshin ne punë.
• Drejtoria e shkollës zbatonte programin mësimor të miratuar nga Ministria e Arsimit.
• Aktivitetet mësimore, kulturore sportive etj janë çmuar të kualifikuara dhe cilësore nga profesorë te njohur shqiptare.
Pas shumë viteve, unë që kam drejtuar dhjetë vjet atë institucion, takoj ish nxënës që janë inxhinierë, teknikë të kualifikuar, punonjës të mediave-televizive, në organe administrative etj. Them me bindje se shumica prej këtyre njerëzve radhiten në qytetarët e nderuar, punëtorë dhe të civilizuar.
Sigurisht që s’mund të ndodhë që të presësh të rehabilitohen 100 për qind. S’ka pse i bej komente këtij realiteti.
Me pak fjalë, ky institucion ndodhej brenda strukturave të ish shtetit monist dhe s’mund t’u shmangej mjaft dukurive e faktorëve negative të sistemit, por nga që kam parë nga afër pas viteve 90-të institucione të kësaj natyre në Itali, Bullgari dhe ShBA e them me sinqeritet dhe me kompetence se shkolla e riedukimit në Shqipëri konkurronte me secilindo institucion të kësaj fushe… .
Shkolla e Riedukimit nuk ishte burg se rreth 40 ditë në vit e kalonin në plazhin e Golemit pa asnjë roje, civile dhe ushtarake…. Megjithatë është diçka e kapërcyer dhe po kthehem në ditët e sotme.
Se Pari, s’ka shtet demokratik në Europë por edhe në ShBA të mos ketë institute riedukimi për të mitur që kryejnë akte antiligjore.
Së Dyti, këto institucione janë të disa kategorive dhe llojeve ne përshtatje me seksin, moshën dhe shkallën e inkriminimit e të rrezikshmërisë.
Së Treti, si rregull pjesa më e madhe janë të tipit të mbyllur, do të thotë që ruhen e sigurohen si burg, por me kushte dhe regjim të përshtatshëm për moshën.
Pa shumë komente, hapja së paku e një Instituti Riedukimi për të mitur është urgjent dhe duhet mbajnë përgjegjësi ata që akoma sot nuk njohin apo nuk duan të njohin vlerat parandaluese dhe të rehabilitimit për të miturit që kryejnë vepra penale.
Dëshiroj të mos jetë shkaku që përmend zoti Lubonja kur thotë:
“Mos vallë atë botë e konsiderojmë një botë që nuk na përket, sepse ata fëmijë i konsiderojmë tashmë të humbur”…

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›