E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një turk, menaxhonte trafikun e kurdëve që nga Kosova

30/05/2005  Mbetet enigmë emri i tij i vërtetë. Dyshohet se në rrjet ka dhjetËra të tjerë të implikuar

Përgjimet telefonike të kryera nga drejtësia shqiptare në bashkëpunim me atë turke, kanë nxjerrë në dritë gjithë funksionimin e rrjetit që trafikonte kurdë nga Lindja e Mesme drejt Italisë. Disa anëtarë të kësaj bande, shtetas turq, siguronin klandestinët kurdë, të cilët trafikoheshin fillimisht drejt Shqipërisë. Ndërsa më pas, ata dërgoheshin në Kosovë nga një taksist shqiptar dhe një turk që qëndronte aty, siguronte lëvizjen e klandestinëve kurdë drejt Europës. Por, ende kanë mbetur enigmë gjeneralitetet e turkut, që menaxhonte trafikun nga Kosova. Kjo, pasi asnjëherë gjatë bisedave telefonike, nuk është përmendur emri i tij i plotë. Prokuroria ka vërtetuar se ky turk me rezidencë në Kosovë, komunikonte me bashkëatdhetarët e tij që siguronin klandestinët, dhe i priste teksa mbërrinin nga Shqipëria. Ndërsa më pas, në rrugë nga më të ndryshmet, ilegalisht ose me dokumente nënshtetësie të falsifikuara, i trafikonte drejt Sllovenisë e më pas në Itali. Prokuroria shqiptare dhe ajo turke, po thellojnë hetimin ndaj këtij rrjeti që dyshohet të jetë më i gjerë, dhe të ketë në përbërje të tij me dhjetëra anëtarë. Pritet që ditët në vazhdim, të sjellin identifikimin e personave të tjerë të implikuar dhe arrestimin e tyre.

Trafiku

Një hetim disa ditor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka bërë të mundur zbulimin dhe shkatërrimin e një grupi të strukturuar të trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore. Nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, është pohuar se bëhej fjalë për një linjë të strukturuar të trafikut të klandestinëve nga Lindja e Mesme drejt Europës. Mësohet se ata mblidheshin në Stamoll dhe prej aeroportit të këtij qyteti, udhëtonin drejt Tiranës me linjën ajrore “Turkish Airlines”. Ndërsa më pas, klandestinët strehoheshin prej trafikantëve për disa ditë ose javë në Tiranë. Më pas, trafikantët formonin gjithë grupin e klandestinëve dhe i kalonin ilegalisht në rrugë tokësore drejt Kosovës, me destinacion Slloveninë. Ka qenë një prej shqiptarëve të arrestuar, ai i cili i transportonte kurdët deri në Kukës, kundrejt 80 eurove për secilin. Ndërsa në Kosovë, ka qenë një tjetër turk, i cili i priste kurdët që mbërrinin nga Shqipëria dhe i trafikonte drejt Sllovenisë. Ndërkaq, shqiptari që i strehonte në banesën e tij, dyshohet se përfitonte 120 euro për çdo kurd. Po në rrugë tokësore, kurdët trafikoheshin më pas drejt Sllovenisë, për të mbërritur në Itali. Sipas burimeve të akuzës, çdo kurd i trafikuar duhej të parapaguante një shumë prej 3 mijë eurosh, për të mbërritur në Europë.

Operacioni

Pas identifikimit të vendstrehimit të tre kurdëve të parë, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë filluar survejimin e organizatorëve të trafikut. Madje në këtë rrjet trafikantësh, është infiltruar edhe një agjent special policie, i cili ka iniciuar edhe një rrugë tjetër klandestinësh. Kjo, pasi duhen të paktën dy tentativa të dokumentuara të një vepre penale, që të akuzuarit të klasifikohen si anëtarë dhe organizatorë të një bande të strukturuar. Ndërkaq, dy ditë më parë është tentuar nga trafikantët të kryhet rruga e dytë me tre kurdë të tjerë, ku edhe janë vënë në pranga. Sipas burimeve të organit të akuzës, është arritur të provohet se të arrestuarit janë krerët e një bande të trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore. Kështu, mësohet se në cilësinë e provave materiale, janë dokumentuar përgjime bisedash telefonike, para, fotografi, një apartament ku strehoheshin klandestinët, një Benz me të cilin transportoheshin, etj.

Arrestimet

Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, gjatë një konference për shtyp, pohoi të dhënat e një operacioni tre palësh. Ajo pohoi se është bërë e mundur të kapen dhe të arrestohen tre organizatorët e kësaj linje trafiku; një maqedonas, Ali Ademi dhe dy shtetas turq, Yasin Ozel e Ayhan Dogan. Gjithashtu, është prangosur edhe shqiptari Hysni Mali që akuzohet se transportonte klandestinët nga Rinasi në Tiranë dhe Tafil Selfo, i cili kishte përshtatur apartamentin e tij për strehimin e klandestinëve kurd. Policia ka arrestuar edhe gjashtë klandestinët kurd, përfundojnë burimet.

Tafil Selfo e kishte liçensuar apartamentin si hotel

Një nga të arrestuarit shqiptarë, Tafil Selfo, ku ishin strehuar gjashtë klandestinët kurd, kishte në pronësi dy apartamente. Apartamentin ku u gjetën të strehuar kurdët, ai e kishte përshtatur si hotel. Madje ishte kujdesur edhe për të nxjerrë liçensë dhe dokumente zyrtare për aktivitetin e tij. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se ai ka vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e pronësisë dhe liçensimit të apartamentit si hotel. Burimet pohojnë se ai ka pranuar para hetuesve se kishte strehuar kurdët, por nuk ka pranuar të ketë lidhje me trafikun. Selfo ka theksuar se gjithçka e bënte për përfitimet e tij vetjake, dhe se shfrytëzonte hotelin në pronësi të tij, për të cilin i paguante edhe taksa shtetit. Por ka mohuar kategorikisht që të kishte lidhje apo dijeni mbi trafikun e kurdëve, përfundojnë burimet.

Trafikantët, 1750 euro “dhuratë” për punonjësin e pikës kufitare

Policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda, u kanë kanë gjetur trafikantëve edhe 1750 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, këto para ishin destinuar dhe planifikuar nga trafikantët, për të korruptuar punonjësin e kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas. Sipas burimeve të policisë, ka prova materiale që vërtetojnë destinacionin e këtyre parave. Burimet theksojnë se nga përgjimet e bisedave telefonike dhe kontaktet që ka pasur i infiltruari me trafikantët, është arritur të provohet se këto para ishin ryshfeti për të mbyllur sytë e punonjësve të pikës kufitare, ku do të trafikoheshin Kurdët.

Trafikantët e arrestuar:

Ali Ademi (shtetas maqedonas)

Yasin Ozel (shtetas truk)

Ayhan Dogan (shetas turk)

Hysni Mali (transportuesi i kurdëve nga Rinasi në Tiranë)

Tafil Selfo (strehuesi i klandestinëve në Tiranë)

Sekuestrimet:

Një Benz me targë TR 4815 J, pronë e Hysni Malit

Një apartament pranë 15 katëshit, pronë e Tafil Selfos

1750 euro të destinuara për punonjësin e pikës kufitare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›