Kërcënoi me vdekje një shtetas, pranga 21-vjeçarit
30/05/2005 LUSHNJE - Një tjetër kërcënim me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 23 e 30 në lagjen “Skënder Libohova” të qytetit të Lushnjës. Shtetasi Julian Sinani, 21-vjeç, banues në këtë lagje të qytetit myzeqar, ka kërcënuar dhe ka tentuar për të vrarë shtetasin Arqile Rrushi 44-vjeç, banues po në këtë lagje të Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nuk dihen ende motivet e tentimit të kësaj vepre penale. Po të njëjtat burime, nuk kanë pranuar që të japin më shumë hollësi duke u sqaruar se hetimet për këtë çështje, akoma nuk janë mbyllur dhe se po punohet për zbardhjen e plotë të saj. Burime të tjera policore kanë thënë për gazetën “Metropol” se, “sharra në gozhdë” për këtë ngjarje, është vëtë i kërcënuari, i cili duket se nuk bashkëpunon sa duhet me grupin e hetimit, duke mos pohuar asgjë rreth saj. Mbetet vetëm pohimi i autorit Julian Sinani, që siç mësohet nga burime jozyrtare, por të besueshme, se ka kundërshtuar faktin se ka tentuar të vrasë 44-vjeçarin. Materialet iu kaluan prokurorisë së rrethit për ndjekje të mëtejshme.
Irena Mërtiri
Irena Mërtiri