E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një turk përforcon Dritën

Pas rikthimit në Superligë, Drita po bëhet gati për të garuar denjësisht në sezonin e ri. Në vazhdën e përforcimeve, bardhekaltrit kanë arritur ta huazojnë nga klubi turk Kasimpasa mbrojtësin Anit Senguler, i cili në vitin 2005 ishte pjesë e Galatasarayt. Gjilanasit janë në bisedime edhe me disa futbollistë tjerë të njohur kosovarë. Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 12:06

Pasi u rikthye nga Liga e Parë, Drita ka nisur të bëhet gati për të garuar denjësisht në Superligën e Kosovës, kur kampionati do të fillojë kah mesi i muajit gusht.

Klubi gjilanas ia ka dalë t’i sigurojë shërbimet e një futbollisti turk. Anit Senguler të mërkurën do t’i bashkohet ekipit bardh e kaltër. Mbrojtësi i ri 20 vjeçar do të huazohet për gjashtë muaj në ekipin gjilanas nga klubi turk Kasimpasa.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën kryetari i Dritës, Sedat Pajaziti. “Anit Senguler do të luajë në Dritë për gjashtë muaj në formë huazimi nga klubi turk. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës shumë të mirë, i cili ka luajtur për ekipin e dytë të Galatasarayt dhe ishte provuar te skuadra angleze Bolton”, deklaroi Pajaziti për Express.

Ai e tregoi edhe mënyrën se si skuadra e tij ka arrit ta huazojë këtë futbollist nga klubi turk, i cili sivjet e humbi statusin e anëtarit të elitës.

“Unë i kam disa miq atje dhe ata kanë punuar shumë në këtë drejtim që Anit Senguler të huazohet në klubin tonë. Përveç Dritës, kjo i konvenon edhe vetë futbollistit, pasi ai do të ketë hapësirë të madhe për të luajtur në klubin tonë”, theksoi ai.

Në vitin 2002, Senguler ishte futbollist i Gaziosmanpasa, kurse në vitin 2005 kishte luajtur në Galatasaray. Në vitin 2006, Senguler ishte rikthyer sërish në Gaziosmanpasa, ku në vitin 2009 u bë futbollist profesionist. Ndërsa së fundmi ka luajtur për Kasimpasa.

Njëherësh ky është përforcimi i tretë deri më tani që ka bërë Drita. “Para tij kemi nënshkruar kontratë me futbollistin e deritanishëm të Drenicës, Samir Ramizin dhe atë të Rahovecit, Bashmir Gashin, por edhe me dy lojtarë të rinj nga Tërnovci i Bujanovcit”, shtoi Pajaziti.

Mirëpo, gjilanasit nuk do të ndalen me kaq deri në fund të afatit kalimtar të verës. Pajaziti paralajmëroi se skuadra e tij do të përforcohet edhe me disa futbollistë tjerë cilësorë. Madje, ai tregoi se është në bisedime edhe me disa futbollistë tjerë – emra të njohur në Superligën e Kosovës.

“Jemi në negociata edhe me Suad Saliagiqin, Berat Hysenin, Kastriot Rexhën, Labinot Jetullahun dhe Fidan Hasanin. Shpresoj të gjejmë gjuhë të përbashkët”, përfundoi ai.

Pas dy viteve të kaluara në Ligën e Parë, Drita kohëve të fundit është riorganizuar, me ç’rast si kampion i asaj lige u rikthye në elitën e futbollit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›