Integrimi i suksesshëm

Pesë futbollistë shqiptarë luajnë me sukses për Kombëtaren U-21 të Zvicrës e disa prej tyre janë pjesë edhe e ekipit senior. Ky nuk është fillimi i një përralle, por një e vërtetë që vjen nga shteti helvetik e që ka marrë zhvillim në periudhën e fundit.
Xherdan Shaqiri, Pajtim Kasami, Admir Mehmedi, Granit Xhaka dhe Amir Abrashi janë anëtarë të Kombëtares U-21 të Zvicrës, që bëri një rrugëtim mjaft të mirë në Kampionatin evropian në Danimarkë, i cili përfundoi javën e kaluar, duke dalë në pozitën e dytë. Ata u mposhtën në finale nga Spanja me rezultat 2-0, por deri këtu kishin regjistruar vetëm fitore dhe atë pa asnjë gol të pranuar.
“Për ne nuk ka rëndësi a je Abrashi, Shaqiri apo Meier”, tha Abrashi për televizionin Schweizer Fernsehen. Derisa integrimi i të huajve në jetën e përditshme është proces i cili shkon më ngadalë, sporti sjell shembuj të funksionimit të suksesshëm të integrimit.
“Futbolli është shembull i mirë për shoqërinë tonë”, tha eksperti i integrimit Hamit Zeqiri. “Ne duhet t’i shohim gjërat më tepër nga ky këndvështrim: Nuk ka rëndësi se prej nga vijnë njerëzit, por duhet të shohim se çka mund të bëjmë së bashku”, u shpreh ai.
‘Gjenerata e dytë e emigrantëve në ekipin U-21 të Zvicrës’ mund të bëjë shumë, siç treguan edhe së fundmi në Kampionatin evropian në Danimarkë. Të udhëhequr pikërisht nga kreativiteti dhe karakteristikat e një lideri që i posedon mesfushori Shaqiri dhe golat e Admir Mehmedit (3), ata arritën deri në finale.
“Ata na sjellin shumë besim dhe kjo është shumë me rëndësi në futboll”, tha mbrojtësi Timm Klose, shtetas gjermano-zviceran.
Për integrimin e suksesshëm të futbollistëve shqiptarë në ekipin U-21 të Zvicrës ka folur edhe selektori Pierluigi Tami. “Dëgjoj tani se kemi pesë futbollistë shqiptarë në ekip. Kurrë nuk i kam numëruar”, tha ai. Tami ka treguar filozofinë e tij që dha fryte jashtëzakonisht të mira në garën e sapo përfunduar në Danimarkë.
“Nuk ka rëndësi se çfarë kombësie ka një futbollist. Me rëndësi është se ku duam të shkojmë së bashku”, u shpreh ai.
Shaqiri, Xhaka e Mehmedi përveç që janë futbollistë kryesorë në ekipin U-21 të Zvicrës, të tre ftohen edhe në skuadrën seniore dhe së fundmi u paraqitën në barazimin 2-2 kundër Anglisë në fushatën kualifikuese për Euro 2012. Përveç tyre, në ekipin senior të helvetikëve bëjnë pjesë edhe Valon Behrami, Albert Bunjaku e Blerim Xhemajli.