Socialistët bojkotojnë mitingun e Edi Ramës
- Zhurma për mbështetjen e faktorëve të majtë e të djathtë është shfryrë dje, pasi të reklamuarit nuk kanë qenë të pranishëm, por edhe Vangjel Dule që erdhi, u la në mes të sheshit, në mëshirën e njerëzve të paguar prej Edvinit
- Pandeli Majko mbajti një fjalim të sulmonte figurat historike të Shqipërisë dhe u klasifikua si një politikan i denjë për 10 tetorin, ditën që përkujton Shëndetin Mendor
- Para mitingut, vlen të përmendet sherri i madh që ka shkaktuar Edi Rama, i cili ka kërkuar llogari për 500 mijë eurot që kishte dhënë për pjesëmarrjen, por që i “ikën për lesh” nga “grabitja” që i kishin bërë sekserët vendorë
- Ndre Legisi, “rishtari” i mitingut, me kostumin e ri të falur nga Edi Rama, por me të brendshmet e vjetra...
Mitingu protestë i opozitës dje në Tiranë, nuk shkaktoi asnjë surprizë. Sikurse pritej, pjesëmarrja linte shumë për të dëshiruar, aq sa dhjetëra autobusët me protestues nga rrethe të ndryshme të vendit, megjithëse më të shumtë në numër nga protestuesit e Tiranës, nuk mjaftonin as për të mbushur segmentin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryeministria te ura e Lanës.
Aq e vërtetë është bojkoti i protestës së PS-së nga socialistët e Tiranës, sa kjo nuk kaloi pa i rënë në sy edhe vetë Edi Ramës, i cili pakënaqësinë e vetë për injorimin e thirrjes për pjesëmarrjen në protestë, fillimisht, një ditë para protestës nga ndoca deputetë socialistë të Tiranës, mandej edhe nga ai vetë, për të vazhduar dje me ndoca deputete gra të PS-së, e shprehu dje sipas mënyrës së tij, vetëm pak çaste para çeljes së sezonit të dështimeve.
Vetëm pak minuta para fillimit të protestës së djeshme, mësohet se Edi Rama ka debatuar ashpër me organizatorët-sekserë të protestës. Halli i Edi Ramës në këtë debat, ishte i pleksur, mes bojkotit që i kishin bërë protestës së tij, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ikjes “për lesh” të rreth 500 mijë eurove, që ai kishte hedhur “për financimin” e pjesëmarrjes në protestë.
“Ku janë njerëzit, kam hedhur 500 mijë euro për të mbushur këtë pjesë të bulevardit”, mësohet t’ju jetë hakërryer Edi Rama dje, vetëm pak minuat para, organizatorëve-sekserë të protestës.
Nga ana e tyre, organizatorët-sekserë, duke (mos)kuptuar këtë injorim të kësaj proteste, janë mbrojtur nën justifikimin, “Nuk e dimë ç’ka ndodhur, paratë i kanë marrë njerëzit, por nuk e dimë pse s’kanë ardhur në protestë”.
Këtu, mësohet se Edi Rama, nuk është përmbajtur. Për të përligjur edhe ditën e djeshme, të njohur si “Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor”, mes thirrjeve çjerrëse, kërcënuese e fyese, Edi Rama nuk ka kursye pa ofenduar organizatorët-sekserë të protestës, por edhe njerëzit që “i kishin ngrënë paratë” dhe nuk kishin marrë mundimin të dukeshin në segmentin e bulevardit para kryeministrisë...
Kjo është mossurpriza e parë, për sa i përket pjesës së pjesëmarrjes në protestë.
Tjetra ishte mungesa e bujshme e të gjithë atij faktori që thuhej se përfaqësonte të djathtën, dhe që ishte dëmtuar disi nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në miting nuk kanë qenë të pranishëm Dashamir Shehi e Nard Ndoka, të trumbetuar si mbështetës të fuqishëm të protestës, ndërkohë që nuk është dukur në linjat e para as Spartak Ngjela, i cili në ditët e shkuara u duk se pat gjetur veten tek broçkullat revolucionare lidhur me rrëzimin e pushteteve. Në tribunë nuk është shfaqur as Vangjel Dule, i cili boll halle pati me partinë që të dalë nga shtëpia dhe selia me 10 tetor, por mediat e majta u përkujdesën fort që të nxirrnin dhjamë nga pleshti, teksa e fokusuan që ishte diku, mes minatorëve të paguar, apo dërgatës së socialistëve, të ardhur nga qarku i Vlorës.
Mungesa e surprizave të tjera më pas, nuk ka lënë shenja për të menduar për ndonjë gjë ndryshe, kur kanë hipur njëri-pas tjetrit në podiumin para kryeministrisë, i pari Pandeli Majko.
I ndërgjegjshëm, për rëndësinë që mbartte data 10 tetor, jo aq për protestën e djeshme, se sa për 10 tetorin që Majko ka përkujtuar, një, dy, tri..., e disa vite më parë, për atë që kjo datë, prej vitesh përkujtohet nga OKB-ja si “Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor”, ai (Pandeli Majko) nuk mund të shmangte simbolikën e kësaj date në fjalimin e djeshëm të tij, në 10 tetorin e radhës. Për ata që e ndoqën dje fjalimin e Pandeli Majkos, ndërsa dëgjonin të folurën e tij përçart për Zogun, Nolin e të tjerët, kuptuan se Majko, më tepër kishte lidhje dje me 10 tetorin si datë simbolike e OKB-së, se sa me 10 tetorin si datë e përzgjedhur e PS-së. Shkurt, Pandeli Majko, vetëm lidhje me “hallin” e vërtetë që kishte mbledhur mitingashët dje, nuk kishte.
Jo aq e pakuptimtë ishte dje hipja në tribunën para kryeministrisë e Ndre Legisit. Pa i hyrë atyre që ai thoshte, sepse nuk ia vlen, ai asnjëherë nuk mbahet mend të ketë thënë gjëra që të ngelën në mendje, nuk mund të lihet pa “analizuar”, look-un e tij. As më shumë e as më pak, Ndre Legisi dje binte në sy për faktin si kishte veshur një kostum të ri, por se i kishte të brendshmet të vjetra... të politikës. Ndre Legisi, duke veshur dje një kostum të ri, pretendonte t’i dukej vetja si rishtar... Mirëpo, shfaqja e tij dje, nuk ndryshonte nga shfaqja e tij në vitin 1997, ku sërish Ndre Legisi nuk i linte gjë mangët, një Legisi të vjetër, të përçmuar nga Fatos Nano, nga partia e tij, ndërsa tashti dukej i vetëushqyer me iluzionin se Edi Rama, duke e veshur me kostum të ri, do t’i ketë rezervuar një të ardhme politike. Por fakti i kostumit të ri me të brendshme të vjetra i Ndre Legisit, jo shumë larg, por nga krahina e Mirditës, vihet në dukje për të evidentuar “burrin që ka kohë me u koritë”. Këtë shprehje mirditore zgjodhi për veten e tij dje Ndre Legisi, pra që të vetëkoritej... Por harron se sa kthen krahët, edhe Edi Rama e tall...
Dhe pas këtyre dy burrave, burrat dhe gratë e tjerë që folën, nuk thanë ndonjë gjë, që mund të mbetej në mendje, sepse vetëm me votat nuk kishin lidhje dhe punë. Biles, biles edhe vetë Edi Rama, në respekt të “Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor”, për të mos ngelur pas nga përçartjet e tipit “Majko”, foli, e foli dje në protestën për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, deri edhe për fabrikat e çimentos.
Hajde gjeje, apo merre me mend, domethënien e kësaj përçartje...
Gjithsesi “mos harroni”, dje ishte 10 tetori, që sipas OKB-së korrespondon me “Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor”.