E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari: Përgjegjëse për Gërdecin janë forcat ushtarake

Ish-drejtori i MEICO: Ushtarakët po bëjnë një lojë të pandershme në gjykatë

Ish-drejtuesi i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, i marrë i pandehur pas tragjedisë së Gërdecit dhe i gjykuar me masën e arrestit me burg, ka akuzuar ushtarakët për moszbatim të urdhrave të ministrit të Mbrojtjes që shkaktuan më pas tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Pinari ka thyer heshtjen në seancën e djeshme gjyqësore duke pohuar se ushtarakët kanë injoruar dhe nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të kuptuar tre urdhrat e ministrisë. Në deklaratën që ka bërë para trupit gjykues, ish-drejtori i MEICO ka shtuar se është për të ardhur keq që ushtarakët, megjithëse me detyra të rëndësishme, janë shprehur para gjykatës se “kështu menduam” ose “nuk kam dijeni për urdhrin”. Deri në seancën e djeshme, Pinari kishte zgjedhur si linjë mbrojtëse mospranimin e akuzave të ngritura nga organi i akuzës dhe në fillim të shqyrtimit gjyqësor avokatët e tij sulmuan prokurorinë në lidhje me një shkresë që “shpërthimi i fabrikës së demontimit në Gërdec ishte sabotim dhe jo një aksident”. Linja mbrojtëse e Pinarit ka qenë e njëjtë edhe me disa të akuzuar të tjerë, të cilët nuk kanë pranuar në asnjë rast akuzat, por kanë deklaruar se një përgjegjësi të madhe kanë edhe forcat e ushtrisë, të cilat nuk kanë bërë as më të voglin mundim për të kontrolluar kushtet e kësaj fabrike, megjithëse kishin dijeni. Nga ana tjetër, të pandehurit ushtarakë kanë nënvizuar në shumicën prej deklaratave apo dëshmive para trupit gjykues se “janë anashkaluar nga demontimi i municioneve nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga MEICO”. Duket se midis të pandehurve civilë dhe ushtarakë në procesin e Gërdecit ka filluar akuzat dhe kundërakuzuat dhe për organin e prokurorisë një gjë e tillë është pozitive, pasi “zbulon shkeljet gjatë ndërtimit dhe funksionimit të punishtes famëkeqe të Gërdecit”.

“është për të ardhur keq kur këta ish ose edhe që janë ushtarakë të lartë me detyra të rëndësishme komanduese, gjeneralë, kolonelë, nënkolonelë me detyra drejtorë, komandantë brigadash e shefa shtabi, jo vetëm që nuk i kanë zbatuar urdhrat e ministrit apo detyrat funksionale për detyra të rëndësishme ushtarake, madje pa e vënë fare në dijeni apo, dhe këtu para gjykatës në mënyrën me absurde po e injorojnë duke përdorur shprehjet: ‘Kështu u mendua’, ‘u mjaftuam vetëm me njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm’, ‘nuk jam njohur me urdhrin, ishte detyrë e komandantit’”, tha Pinari, duke shtuar se në këtë proces gjykohet një administratë që punon mbi bazën e ligjeve, VKM, rregulloreve, urdhrave e udhëzimeve. Ndërsa shtoi se marrëdhëniet e MEICO-s me KFB-në për projektet e Gërdecit kanë qenë të lidhura me tre urdhra të ministrit të Mbrojtjes. Sipas tijm urdhri i parë ka qenë ai me numër 550 i datës 24 prill 2007, urdhri i dytë mban numrin 1800 i datës 22 tetor 2007 për kalimin e pronës dhe urdhri i tretë lidhet drejtpërsëdrejti me detyrat e tyre funksionale ushtarake. Sipas Pinarit, ushtarakët jo vetëm e kanë injoruar dhe shpërfillur në praktikë me moszbatim, por me shpjegimet e tyre e kanë shpërfillur dhe injoruar tërësisht rëndësinë dhe karakterin absolutisht të detyrueshëm të urdhrit edhe para gjykatës. Pinari foli edhe për lojë të pandershme, që sipas tij janë duke bërë disa prej dëshmitarëve ushtarak. Ndërkohë që pa emra etiketoi edhe disa të pandehur me rolin e ish-kuadrove të lartë, duke i quajtur persona të pandershëm dhe që kanë luajtur me urdhrat dhe tashmë duan të fshehin gjithçka.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›