E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitjet me pakicë më pak se vjet, fuqia blerëse shumë e dobët

Nga Fitim Zekthi

Shitjet me pakicë në këto ditë dëshmojnë qartësisht rënien e fuqisë blerëse të popullatës. Çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm, por edhe ato të artikujve të festës, duke nisur nga lodrat, nuk kanë pësuar rritje të dukshme dhe megjithatë të gjithë tregtarët thonë se blerjet janë shumë të pakta krahasuar me vitet e kaluara. Është viti i parë që çmimet nuk ngrihen në mënyrë të thekshme dhe Ministria e Financave këtë vit ka bërë përpjekje shumë më të vogla sesa vitet e tjera për të detyruar mosngritjen e çmimeve. Pavarësisht kësaj, Ministria e Financave tha se ajo do të llogarisë tatimet në bazë të çmimeve të rritura dhe kështu ajo mendon se mund të ndalë rritjen e çmimeve, gjë që s’ka ndodhur asnjë vit. Këtë vit këtë gjë e ka bërë fuqia blerëse e popullatës, e cila është vërtet shumë e rënduar. Në këtë drejtim qeveria shqiptare ka mundur për herë të parë të sigurojë çmime të zakonshme për ditët e festave, si edhe në ditët kur nuk ka festa. Fuqia e blerëse e rënë dëshmohet edhe nga statistikat e institutit që mbulon këtë lëmë. Të dhënat zyrtare thonë se konsumi nuk ka rënë, madje është rritur me 11%, por, sipas këtyre të dhënave, kemi një thellim të hendekut social. Konsumi që kryen pjesa e pasur e popullatës është rritur shumë - kjo ka bërë që të rritet konsumi në total - dhe ai që kryen pjesa e varfër është ulur. Pjesa e pasur, që llogaritet nga INSTAT të jetë 10%, konsumon rreth 35% të totalit dhe pjesa tjetër prej 90% e popullatës konsumon vetëm 65%. Kjo gjë ka bërë që shitjet me pakicë për festa të jenë më të ulëta sesa vjet nëpër tregje. Pjesa e pasur kryesisht nuk blen në tregjet e zakonshme. Pamja e tregjeve dhe ankesat e tregtarëve janë një shenjë shumë dëshpëruese që tregojnë gjendjen e familjeve shqiptare. Qeveria është kujdesur që sektori publik, i cili ka 100 mijë njerëz në punë, të marrë një pagë shpërblim, por qeveria asfare nuk ka në llogari pjesën tjetër të punonjësve të sektorit privat, të cilët, sipas INSTAT, numërohen të jenë rreth 800 mijë syresh. Kategoria e njerëzve që punojnë në sektorin privat me paga të ulëta është ajo që ka bërë që tregjet të shesin më pak. Qeveria dha 62 milionë euro shpenzime për shpërblime për festa për punonjësit buxhetorë dhe pensionistët, një shifër vërtet shumë e lartë. Më herët FMN dhe BB kanë thënë se familjet më të varfëra në vend nuk janë ato të punonjësve buxhetorë, por familjet e reja dhe familjet me të papunë. Qeveria ka menduar ndryshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›