Topi: Jemi me fat që kemi në krah Shtetet e Bashkuara
Presidenti flet në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në lidhje me çështjet e drejtësisë, ligjin për pastërtinë e figurës, rikthimin e Kodit Zgjedhor. Topi shpreh keqardhje për dekorimin e Brecës
Për qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Drejtësisë se në drejtësi ka klane
Kam përdorur termin klane në fushën e drejtësisë dhe kam bërë thirrje që hap pas hapi, drejtësia në përgjithësi duhet të çlirohet nga mentalitete arkaike dhe nga varësia politike.
Ka një tendencë që në krye të institucioneve të drejtësisë të ketë njerëz që nuk kanë background-e nga e kaluara, në moshë të re, nga 30 deri në 40 vjeç, me njerëz që vijnë nga shkolla e Magjistraturës.
Jam i bindur që çdo ditë ne do bëjmë progres për sa i përket pastrimit të sistemit të drejtësisë nga elementë të korruptuar.
Besoj se pika më e saktë është referenca popullore. Aty shprehet nevoja që institucionet e drejtësisë të jenë të pavarura.
Problemet janë komplekse, por këto probleme meritojnë një orientim të përbashkët të të gjitha institucioneve. Ajo që kam thënë është që institucionet e drejtësisë duhet të kenë sensin e autopastrimit dhe kjo vjen në radhë të parë përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Për votimin në Kuvend nga ana e mazhorancës të ligjit për pastërtinë e figurës
Besoj se duke respektuar institucionin e presidentit duhet të jem mjaft i kujdesshëm për të mos paragjykuar termat ligjorë të përdorur në këtë ligj.
Ligji i miratuar në Kuvend ende nuk ka ardhur në zyrën e presidentit.
Që në ditët e para të demokracisë, politikisht, unë jam shprehur për hapjen e dosjeve. Aq më shumë kur bëhet fjalë për persona që influencojnë në vendimmarrje.
Për qëndrimin ndaj projektligjit që ka firmosur si kryetar i grupit parlamentar të PD dhe ndryshimet nga ai projekt në aktualin
Unë nuk mund të vendosem në një pozicion të dyfishtë. Ai dokument i nënshkruar në vitin 2006 ka qenë i ndërtuar mjaft mirë, bazuar mbi vullnetin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Unë i qëndroj atij varianti, përderisa e kam nënshkruar, sa për definicion. Ndërsa sot, duhet të qëndroj në këtë pozicion, për t’u konsultuar dhe për të marrë vendimin që duhet marrë.
Për qëndrimin e ndërkombëtarëve para dhe pas votimit të ligjit për pastërtinë e figurës
Unë personalisht dëshiroj të mos interferoj në këtë debat. Natyrisht, unë kam bindjet e mia për këtë çështje, por ndryshe nga koha kur jam marrë me politikë aktive, sot jam i kufizuar nga konturet e pozicionit.
Ligji ende nuk ka ardhur në zyrën e presidentit. Por, gjithmonë kam qenë vlerësues për ndihmën që partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për SHBA, që kanë qenë dhe mbeten aleatët kryesorë.
Dëshiroj ta theksoj për ta përmbyllur që çështja e hapjes së dosjeve është e vonuar.
Jemi të vonuar, se pas 18 vitesh duhej të ishin hapur.
Për sulmin nga kryeministri për dekorimin e prokurorit të periudhës së komunizmit, Skënder Breca
Pa dyshim ndjej keqardhje dhe bëhet fjalë për një personazh që nuk e kam njohur ndonjëherë. E gjithë procedura e dekorimeve që bën Presidenca ndjek një rrugë institucionale. Për fat të keq, qoftë te propozimi, qoftë te filtrimi ka patur një handikap. Me bindje them se është një procedurë për t’u rivendosur, për t’u riparë. Stafi është mjaftuar vetëm në referenca shumë sipërfaqësore. Ka marrë parasysh që ky njeri ka punuar në institucione të rëndësishme gjatë kohës së demokracisë. Ndjej keqardhje dhe gjithçka do vendoset në moralin e vet.
Për kundërvënien e kryeministrit Berisha ndaj SHBA se ata nuk e kanë njohur komunizmin
Këtë përgjigje mund ta japin më mirë ata që ju iu referoheni. SHBA kanë qenë, janë dhe do jenë kampionë të demokracisë. Është një fat i jashtëzakonshëm që në momente të rëndësishme kemi patur në krah një mik të tillë. Kjo ka bërë të mundur që Shqipëria të jetë në prag të hyrjes në NATO, pa përmendur këtu pavarësinë e Kosovës dhe përgatitjen e saj në rrugën si shtet. Unë besoj se SHBA do vazhdojnë të asistojnë Shqipërinë dhe ne padyshim e konfirmojmë si aleatin numër një.
Kemi qenë bashkudhëtarë dhe kemi qenë me shpresën se do i kemi partnerë dhe ky partneritet duhet respektuar dhe në bazë të këtij partneriteti duhen ndërtuar marrëdhëniet mes një vendi të vogël dhe SHBA.
Për zgjatjen e hetimeve për Durrës-Kukës nga ana e prokurorisë dhe perceptimin e këtij veprimi si ndikim politik
Nuk mund të futem në çështje të perceptimit të punës së prokurorisë. Kam qenë i parimit që institucionet e pavarura duhet të jenë të pavarura. Në asnjë term nuk kam kuptuar që sistemi i drejtësisë duhet të operojë në këtë mënyrë ose jo. Është një çështje ligjore e këtij institucioni.
Unë uroj që prokuroria të mos jetë e kompleksuar nga asnjë lloj situate. Nga presidenti kanë një pavarësi absolute.
Për miratimin e dispozitës kalimtare për shpalljen e datës së zgjedhjeve
Unë besoj që ka qenë një reflektim i nevojshëm, i domosdoshëm dhe dëshiroj të përgëzoj përfaqësuesit politikë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilët morën në konsideratë një shqetësim të presidentit që kishte të bënte me një domosdoshmëri teknike dhe jo kushtetuese. Pa dyshim më vjen mirë që reflektuan në këtë mënyrë. E kam të qartë që politika reflekton në mënyrë emocionale. Ajo çka e dallon një politikan me një president është se mua nuk më lejohet të marr vendime pasiononte. Kthimi ishte një moment teknik, jo politik. Më vjen mirë që ky komision ka reaguar në këtë mënyrë.
Unë kam qenë i drejtpërdrejtë në këtë rast. Unë uroj të jenë zgjedhje standarde dhe të pakontestueshme.
Për ndryshimet që kërkon në Kodin Zgjedhor LSI dhe që konsiderohen prej saj si kushtetuese
Kjo është një çështje që ka të bëjë me vendimmarrjen parlamentare dhe vullnetin e partive. Mendoj se kjo është një çështje e tejkaluar tashmë edhe për shkak të vendimit tim dhe qëndrimit që ka mbajtur komisioni i reformës zgjedhore.
Për mundësinë e një pakti mes PD dhe LSI për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Unë i referohem një momenti tjetër. Presidenti, edhe kur ishte çështja e prekjes së kompetencave të tij, nuk i ka konsideruar si çështje personale, por duke i marrë në konsideratë, unë kam bërë një dekretim në kohë rekord. Nuk kam hezituar vullnetin prej 115 votash.
Unë kam kërkuar megjithatë konsultime dhe nga konsultimet nuk i vjen askujt e keqja. Pastaj është vullneti politik.
Për ndryshimet kushtetuese që prekin kompetencat e presidentit dhe komunikimin me mazhorancën
Për mua është shumë e rëndësishme të ketë dhe të konsolidohen raportet njerëzore. Dhe këto raporte në marrëdhënie institucionale janë në funksion të detyrave. Nuk bëhet fjalë për çështje të debatit personal.
Unë nuk bëj analizë për të tjerët.
Për komunikimet e fundit me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli
Janë marrëdhënie të karakterit institucional. Unë besoj se prevalon marrëdhënia institucionale.
Për ndikimin e prokurorisë dhe hetimeve të saj ndaj skandaleve qeveritare në këto marrëdhënie
Përderisa ju thashë që presidenti ka bindjen e plotë se nuk është interferent në autonominë e këtyre institucioneve, do të thotë që unë jam larg këtyre influencave.
Për klimën në prag të hyrjes së vendit në vitin zgjedhor
Nga ajo që ka ndodhur në Komisionin e Reformës Zgjedhore, unë besoj se jemi në afate kushtetuese dhe besoj me standarde të duhura.
Për çështjen e minoritetit grek dhe problemeve të fundit
Mund të them që është edhe në misionin e medias që të mos fryhen çështje që janë shumë periferike. Flas në parim. Ndonjëherë persona fare periferikë, persona që mund të kenë tendenca individuale, ose dhe në grup nuk duhen marrë në konsideratë. Shqipëria ka institucionet e veta. Ka një mentalitet shoqëror për sa i përket historisë dhe së ardhmes së saj. Nuk duhet të lëmë vakuume në asnjë hapësirë, në mënyrë që tendencat ultranacionaliste të mos ekzistojnë më. Shqipëria ka një rol, gati në rolin e lidershipit në rajon dhe kërkon që t’u largohet skenarëve që kanë sjellë luftërat në Ballkan. Zërat ultranacionaliste nuk duhet të ndihen, duhet të jenë të mekur. Natyrisht, kur preket ligji, ai duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Unë besoj se jemi shumë të lavdëruar për sa i përket të drejtave të njeriut.