E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit nga ekzekutimi i Adem Tahirit, Burgaj thotë se nuk shkon në përvjetore vdekjesh

Adem Tahiraj

Adem Tahiraj

Nga Lindita Çela

U vra në krye të detyrës, por një vit pas ekzekutimit, drejtësia ende nuk ka shpallur asnjë fajtor.

Askush nga drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk është kujtuar të organizojë një ceremoni përkujtimore për kryekomisarin Adem Tahiri, madje as kanë denjuar të kryejnë një vizitë në shtëpinë e Dëshmorit të Atdheut.

Si sot një vit, kryekomisar Adem Tahiri u ekzekutua gjatë ushtrimit të një kontrolli rutinor në një prej zonave më problematike të vendit, në Shijak.

Megjithëse autori i kësaj vrasje, një nga të fortët e zonës, u arrestua pak kohë pas ngjarjes, gjykata ende nuk ka vendosur asnjë masë dënimi ndaj Ilir Xhakjes.

Procesi gjyqësor në ngarkim të tij vazhdon ende në gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, ndërkohë që zyrtarisht askush nuk është kujtuar për Dëshmorin e Atdheut.

Kanë qenë vetëm familjarët e Adem Tahirit, ata të cilit kanë organizuar privatisht një drekë përkujtimore, ku përveç miqve, kanë ftuar dhe kolegë të kryekomisarit.

Asnjë prej drejtuesve të Policisë së Shtetit nuk ka shkuar, qoftë dhe për një kafe, në shtëpinë e kryekomisarit të vrarë, një zakon ky shqiptar në përvjetorin e vdekjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka justifikuar mungesën e tij duke u shprehur tek familjarët e kryekomisarit të vrarë se ai nuk shkon tek askush në përvjetore vdekjesh.

Me kaq, kryepolici ka larë duart nga detyrimi i tij për të nderuar Dëshmorin e Atdheut.

Më 13 shtator të vitit 2012, shefi i komisariatit të Shijakut ekzekutohet pas një konflikti me Ilir Xhakjen.

Sipas prokurorisë, autori i krimit e ka identifikuar Tahirin si punonjës policie dhe e ka qëlluar pas një konflikti të krijuar për shkak të kontrollit të makinës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgimin të përjetshëm  për Ilir Xhakjen për vrasjen e kryekomisar Adem Tahirit, dhe 10 vjet burg për plagosjen e Lena Ndokajt.

Aksioni që çoi në ekzekutimin e komisarit

Rreth orës 17.00 të datës 13.09.2012, me urdhër të Shefit të Komisariatit të Policisë, të ndjerit Adem Tahiraj, forcat e policisë të Komisariatit të Shijakut u urdhëruan të kryejnë patrullime në qytetin Shijak dhe rrethinat e tij, deri tek lapidari në Katundin e Ri.

Fillimisht në operacion u përdorën tre automjete policie dhe pesë efektiva nën drejtimin e Shefit të Komisariatit.

Qëllimi i patrullimit ishte verifikimi i dokumentacionit dhe titullit të pronësisë së automjeteve me targa të huaja, pa targa dhe me xhama të errët.

Në automjetin tip Chevrolet, me targë Policia 2085 patrullonin Shefi i Komisariatit dhe punonjësi i policisë F. H.

Patrulla e përgjithshme e policisë, e përbërë nga punonjësit e policisë dhe H. SH. dhe K. SH. patrullonin me automjetin tip Chevrolet me targë Policia 2084, kurse punonjësit e policisë V. Xh dhe A. T. patrullonin me një automjet tip fuoristradë, edhe ai me mbishkrimet dhe të gjitha shenjat dalluese të policisë.

Në vijim të patrullimit u shoqërua një automjet i tipit VW Golf pa targa, që i përkiste shtetasit S.G.

Nga ky çast, automjetet në patrullim rreshtohen si vijon: autokolonën e printe automjeti me targë Policia 2085, i drejtuar nga punonjësi i policisë F.H.

Në sediljen e parë të tij ndodhej Shefi i Komisariatit. Pas tij vinte automjeti tip VW Golf, në kabinën e të cilit ndodheshin S.G dhe J.G (babë e bir), kurse pas tij vinte automjeti me targë Policia 2084, i drejtuar nga oficeri K.G.

Shefi i Komisariatit urdhëroi shoferin F.H të zhvendosej majtas për ti bllokuar rrugën një automjeti tip Opel, me ngjyrë të zezë, me targë të huaj, i cili po vinte në drejtim të kundërt me automjetet e policisë.

Në kabinën e tij ndodhej vetëm një person, i cili u identifikua më pas si L. Krasni, 17 vjeç, banues në Katund Sukth.

Drejtuesi i mjetit iu bind urdhrit duke ndaluar mjetin me të cilin udhëtonte.

Shefi i Komisariatit dhe dy punonjësit që e shoqëronin zbritën nga automjetet për të verifikuar rastin.

U urdhërua shoqërimi i automjetit për në Komisariatin e Shijakut, pasi rezultoi pa dokumente regjistrimi sipas ligjit. L. Krasni nuk kundërshtoi, F.H u urdhërua të hipte në kabinë për të siguruar shoqërimin dhe drejtuesi filloi manovrën për kthimin e automjetit mbrapsht, me drejtimin për Shijak.

Si u vra kryekomisari

Teksa automjeti VW Golf lëviz, në vendngjarje afrohet një automjet Mercedes, tip Regina 320, i pajisur vetëm me një targë të huaj në pjesën e pasme, i cili ndaloi përbri automjeteve të policisë.

Prej tij zbriti një person, i identifikuar më pas si Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë kriminalë.

Ky person u drejtua tek automjeti tip Opel, hapi derën e pasagjerit dhe nxori përjashta me dhunë policin F.H, duke iu drejtuar me fjalët: Çpunë ke ti me nipin tim?

Polici F.H. u prezantua menjëherë dhe personi që sulmoi ndërpreu për një çast veprimet ndaj tij.

Pikërisht ky është dhe çasti fatal kur në këtë konflikt u përfshi Shefi i Komisariatit, i cili, në ushtrim të detyrës, e pyeti personin kush ishte dhe çfarë kërkonte.

Sipas dëshmisë së bashkë të pandehurit F.H, Xhakja reagoi menjëherë në mënyrë të dhunshme, duke u shprehur Unë jam ai që të q motrën dhe nxori pistoletën nga brezi.

U provua gjatë gjykimit se në këtë moment Shefi i Komisariatit bëri prapa duke i bërë thirrje Ilir Xhakjes që të mos afrohej, kurse polici F.H ndërhyri duke i dalë para autorit dhe duke bërtitur disa herë me zë të lartë: Është Shefi i Komisariatit!

I pandehuri Ilir Xhakja, duke shtyrë me trup policin F.H, mundi të vendosë dorën mbi supin e tij dhe qëlloi gjashtë herë rresht mbi trupin e kryekomisarit.

Polici F.H u mundua të mbante në krahë Shefin e Komisariatit teksa po rrëzohej dhe menjëherë pas kësaj njoftoi Komisariatin e Policisë për ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›