E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një vit nga rizgjedhja, vendi ndër të parët për të bërë biznes”

Thuajse tre vjet nga data 3 korrik kur koalicioni i djathtë u rikthye në pushtet pas 8 viteve opozitë, lideri i saj, kryeministri, Sali Berisha, ka nisur të artikulojë nevojën e një mandati të dytë. 

Një gjë të tillë kreu i qeverisë e ka thënë në mbledhjen e radhës së qeverisë, teksa ka bërë edhe premtimin e parë elektoral, afro një vit para nisjes së fushatës zgjedhore. Duke folur për përmirësimin e klimës ndaj biznesit kreu i qeverisë u shpreh se, “dua të theksoj se filozofia jonë ekonomike është filozofi suksesi, që bazohet në lirinë dhe vlerat e saj, në lirinë e tregut dhe të iniciativës së lirë. Kjo filozofi gradualisht po e nxjerr Shqipërinë në çati dhe unë zotohem se jo më larg se viti i parë i mandatit të ardhshëm, nëse shqiptarët na e besojnë atë, Shqipëria do të jetë një nga vendet e para në botë për klimën e biznesit. Dhe këtë nuk e them për qëllim elektoral, por sepse të gjitha këto përpjekje, rezultatet maksimale do t’i kenë vitin që vjen dhe në atë pasa-rdhës”. Ndërkohë, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit master të fakultetit Ekonomik kreu i qeverisë tha se, “dua të zotohem se ashtu si deri sot, për sa kohë shqiptarët të votojnë Sali Berishën, arsimi do të jetë përparësia e të gjitha përparësive. Unë e kam bërë zgjedhjen time, investimi te ju është investimi më i mirë, më i shkëlqyer që mund të bëjmë për të ardhmen e këtij vendi”.
Raporti i BB
Kryefjalë e mbledhjes së djeshme të qeverisë ishte një raport i Bankës Botërore, që ka të bëjë me lehtësirat në vendet e rajonit për të bërë biznes. Duke u fokusuar në dhënien e lejeve të ndërtimit, kreu i qeverisë u shpreh se, “Në këtë aspekt, në qoftë se në studimin e Bankës Botërore, Shkodra dhe Vlora kanë sërish vende të lakmueshme, ta saktësoj se pastaj kryetari i Bashkisë së Tiranës nxjerr Shalsin në konferencë, Shkodra renditet e 7-ta dhe Vlora e 9-ta, Tirana, për fat të keq, renditet në vendin e 17-të në rajon. Për numrin e procedurave për leje ndërtimi, Tirana renditet e 18-ta. Po kështu, Tirana është problematike në regjistrimin e pasurive”. Ndërkohë, megjithë kujdesin e kryeministrit për të mos pasur një reagim nga bashkia pas deklaratës së tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pak orë pas mbledhjes së qeverisë, nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, tha në një prononcim për mediat se, “Zoti Berisha është kthyer në një tregimtar përrallash që dëgjon vetëm veten e tij dhe as anëtarët kukulla të kabinetit të tij nuk e dëgjojnë më, e jo më qytetarët e Tiranës që e shohin përditë me çmimet në treg, me gjendjen e tyre ekonomike e familjare se çfarë kostoje të lartë po paguajnë duke mbajtur një shakaxhi të tillë, një shakaxhi të paaftë, duke e mbajtur në krye të vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›