E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama po përdor NEWS 24 kundër LSI

LSI-ja e cilësoi si të pavërtetë lajmin se një numër i anëtarëve të kësaj partie kanë kaluar drejt PS-së duke lënë teserat e partisë që mbanin. 

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cilësoi të pavërteta lajmet që kanë dalë nga mediat lokale vizive së fundmi. Vasili doli në konferencë për shtyp së bashku me Mehmet Ramadanin, sekretar i Përgjithshëm i LSI-së në Pukë për të cilin media vizive kishte anonçuar largimin e tij drejt PS-së. “Kam ardhur sot nga Puka e largët përpara jush për të denoncuar publikisht se lajmi i dhënë nga NEWS 24 se gjoja disa anëtarë të LSI-së dhe unë personalisht jemi larguar nga ajo, është krejtësisht i rremë. Jam ndjerë thellësisht i indinjuar dhe i fyer nga një lajm i tillë i pavërtetë”, deklaroi Ramadani. Ndërsa Vasili shtoi se, “Kjo fushatë të pavërtetash që për fat të keq ka gjetur për zëdhënës “Neës 24”, nuk mund ta fshehë dot krizën e thellë të besimit në të cilën gjendet lidershipi i PSSH-së pas shfaqjes hapur të bashkëpunimit me Berishën dhe të ortakërisë me të në cenimin e Kushtetutës, në deformimin e sistemit zgjedhor, shmangien e përgjegjësive të Berishës për tragjedinë e Gërdecit, në kapjen kriminale të institucioneve kushtetuese, në kufizimin antikushtetues të autoritetit të Presidentit të Republikës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›