Papa Benedikti XVI dhe krokodili
Së bashku me Papën, i cili së shpejti do të jetë në Kubë, do të jetë edhe një krokodil i bukur. Kafsha ishte sjellë ilegalisht në Itali nga ishulli dhe Papa Benedikti XVI ka vendosur ta kthejë në vendin e tij, ndoshta për të treguar që Kuba mund të kthehet e të rifitojë vendin e merituar në botë. Kur dy do të prekin tokën e aeroportit të Santiago de Kuba, gjithçka do jetë e qetë dhe një turmë që me brohoritje do të mirëpresë Papën. Ngjarja është përgatitur kohë më parë. Në javët e fundit, në të gjitha vendet e punës janë mbajtur takime për të bindur Kubanët që të marrin pjesë në meshën e drejtuar nga Papa. "Askush nuk duhet të mungojë ", thonë zyrtarët. Si gjithmonë, këto takime kanë qëllimin e një urdhri. Qeveria dëshiron të japë një pamje normaliteti, për të bindur botën se reformat e Raul Kastros po ecin papengesa. Por realiteti nuk është kaq i thjeshtë.
Ka disa javë, para ardhjes së madhe, temperatura u rrit. Havana më 13 mars, një grup prej 13 njerëzish zaptuan faltoren e Nuestra Señora de la Caridad del Cobre, duke kërkuar që disa kërkesa t’i jepeshin Joseph Ratzinger. Dy ditë më vonë, në mesnatë, hierarkia fetare ka autorizuar dëbimin e “banorëve”. Marrëveshja ndërmjet policisë politike dhe Kardinalit Jaime Ortega është parë nga shumë veta më gojë hapur dhe janë rishfaqur dyshimet mbi rolin social të klerit. Edhe ata që në vitin 2010 kishin duartrokitur dialogun mes kishës dhe qeverisë për lirimin e të burgosurve politikë kanë qenë të zhgënjyer nga kjo histori. Dëbimi i detyruar ka dëmtuar imazhin e kishës kubane, deri në pikën sa ka rrezikuar rolin e hierarkisë së kishës në procesin e tranzicionit.
Ndërkohë janë arrestimet pa dallim nga ana e policisë. Nga ana tjetër duhet të mbahet "pastër" ishulli, kur bariu i shenjtë do të festojë omëlinë e tij. Një teknikë e përdorur është kërcënimi preventiv duke u kërkuar atyre që të mos dalin në rrugë gjatë vizitës së papës. Protestat e fundit të Blanco de Damas kanë përfunduar me arrestimin e demonstruesve. Ndër të tjera, Papa arrin në ishullin disa ditë pas përvjetorit të nëntë të pranverës së zezë të vitit 2003, kur u arrestuan 75 disidentë dhe gazetarë të pavarur. Çdo vit në përkujtimin e kësaj ngjarje përkon me një javë tensionesh ndërmjet policisë dhe kundërshtarëve të qeverisë.
Këtë vit, protestat kanë qenë të shoqëruara me një kërkesë nga aktivistë për të drejtat civile që të priten nga ana e papës. Të njëjtën gjë ka ndodhur në Damas de Blanco ku kanë kërkuar që Papa Benedikti XVI të ketë të paktën një minutë për të dëgjuar historinë e Kubës tjetër, atë që autoritetet nuk dëshirojnë të tregojnë. Aktualisht nuk ka shenja të një gatishmërie të Papës për të takuar ndonjë përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo mund të jetë gabimi kryesor i vizitës së papës, një vizitë që ka ngjyresa të njëjta me atë të Gjon Palit II në vitin 1998, kur papa polak shqiptoi frazën e famshme " Kuba të hapet ndaj botës dhe bota të hapët ndaj Kubës”. Katërmbëdhjetë vjet më vonë ne jemi ende me shumë shpresë që të paktën "Kuba të hapet ndaj Kubës." Por qëllimi përfundimtar mund të arrihet vetëm nëse Papa do të jetë zëdhënës për të gjithë kubanët, madje edhe të atyre që jetojnë në këtë ishull, por janë të padukshëm si një krokodil në gjumë.
*Yoani Sánchez, gazetare e re kubane, ditari i saj në internet Generación Y, është bërë shumë i njohur në të gjithë botën, aty ajo mban një lloj kronike të jetës së përditshme në Kubë, në mënyrë kritike ndaj veprimeve të regjimit komunist