E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit pa gjyqtarin Konomi, e veja dhe fëmijët ruhen me policë

Gazeta Shqip

Vrasja mafioze

Babai i gjyqtarit: Ia kemi lënë në dorë drejtësisë gjetjen e autorit

Mikel Marsi

Sot bëhet viti që në familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në mënyrë mafioze në mes të Vlorës, mbizotëron heshtja, ashtu siç mbizotëron edhe për grupin hetimor prej 14 vetash, të cilët ende nuk kanë një autor për ekzekutimin e tij. Me gjithë deklaratat e familjarëve të gjyqtarit për vrasjen e birit të tyre, deri më sot nuk ka asnjë reagim nga ata që premtuan se shumë shpejt do të zbardhin vrasjen.

Në një banesë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, mbi ish-kampin e punëtorëve, jetojnë prindërit e Skerdilajdit, i ati Fotaqi dhe nëna e tij. Kjo portë që ka qenë e hapur dhe me hyrje- dalje të afërmish dhe miq të gjyqtarit, prej një viti ka mbetur e mbyllur dhe ndonjëherë Fotaqi 75-vjeçar, babai i gjyqtarit del nga shtëpia për të bërë ndonjë shpenzim, pazar, dhe për të hyrë sërish në shtëpi. Shpeshherë, dy prindërit e gjyqtarit të vrarë shkojnë për të vizituar dy fëmijët dhe nusen e djalit të tyre të vrarë. Kjo familje, tashmë pa baba dhe burrë, pikërisht Enkelejda, bashkë me dy fëmijët, Siborën 5 vjeçe dhe Fajtonin 2 vjeç, jeton në një pallat, ku janë zhvendosur prej një viti, përballë shtëpisë së prindërve të burrit.

Në hyrjen kryesore të pallatit, që tashmë jetojnë familja e Skerdilajdit, ndodhet edhe një punonjës policie, i cili kryen shërbim 24 orësh, që nga dita e vrasjes e deri më sot, duke mos lejuar asnjë që nuk është banor i pallatit, të ngjitet në ato shkallë. Enkelejda, e cila punon në portin e Vlorës, që nga dita e vrasjes së burrit të saj nuk është shprehur asnjëherë, përse, dhe arsyet që ajo dyshon se ia vranë të shoqin. Ajo gjithmonë është e heshtur dhe nuk ka dëshirë të flasë me mediat. Fotaqi , i cili shkon shpesh te fëmijët e djalit, pasi dhe banesat e tyre nuk janë më shumë se 30 metra larg, me një qese në dorë, ku ka psonisur, i pyetur nga mediat nëse ka ndonjë reagim, pasi po kalon viti dhe drejtësia nuk ka bërë asgjë, ai shprehet shkurt, se ia kemi lënë në dorë drejtësisë gjetjen e autorëve. Këto janë fjalët e vetme të tij, duke mos pranuar të komentojë më tepër, ndërsa të kujtohen deklaratat nga pushtetarë dhe krerë policie se vrasja e tij do të zbardhet shumë shpejt.

Gjykatësi Skerdilajd Konomi u ekzekutua mëngjesin e 9 shtatorit 2011, teksa po udhëtonte me makinën e familjes, pasi një sasi e madhe tritoli shpërtheu, duke i marrë jetën. Ai njihej nga të gjithë si gjykatësi i çështjeve civile me reputacion të mirë, i ndershëm e familjar i rregullt, baba i dy fëmijëve. Pas vrasjes, prokuroria ngriti disa pista hetimi, ku më kryesorja ishte ajo e pronave, por që deri më sot nuk është vërtetuar asgjë dhe nuk ka asnjë të dyshuar.

Deklarata

Gjyqtarët e shqetësuar: Hetimet, ogur i zi për drejtësinë

Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar, duke kërkuar zbardhjen e vrasjes së Konomit sa më shpejt në 1-vjetorin e ekzekutimit të tij, duke konstatuar se nuk është bërë asgjë rreth dokumentimit të saj. Me një letër të hapur, ata shprehen se më datë 09 shtator 2012 bëhet një vit nga vrasja makabër e tipit mafioz e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Drejtësia humbi një gjyqtar të nderuar, të aftë e kurajoz; familja humbi njeriun më të dashur; ne gjyqtarët humbëm kolegun e shokun, ndërsa shoqëria mori një goditje domethënëse në sigurinë e saj në jetën e përditshme. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në këtë përvjetor të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal. Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Ndaj gjejmë rastin tu bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse për të intensifikuar punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj. Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend, shprehet bordi drejtues i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Një vit pa gjyqtarin Konomi, e veja dhe fëmijët ruhen me policë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›