Arrestimi, endacaku masakroi të moshuarën e sëmurë
Policia e Fierit prangos Fabian Çelnikun. Masakroi Myrvete Abilajn në lulishte
Thimi Samarxhiu
FIER – Fundi tragjik i ish-mësueses shembullore të matematikës, e cila u gjet e vrarë tri ditë më parë në qytetin e Fierit, ka ardhur nga një endacak dhe i sëmurë psikik, i cili ndante të njëjtin fat tragjik si edhe viktima. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dje arrestuan autorin që theri me thikë Myrvete Abilajn. Sipas tyre, autori i krimit është Fabian Çelniku, i njohur në qytetin e Fierit si endacak. 39-vjeçari është i kartelizuar nga autoritetet shëndetësore me probleme mendore. Një konflikt për motive të dobëta mes tij dhe të moshuarës është bërë shkas që historia të mbyllet në një mënyrë të tillë. Kjo ngjarje riktheu problemin e ndodhur disa kohë më parë, kur persona me probleme mendore u bënë autorë krimesh, siç ndodhi në Peshkopi dhe Berat.
Krimi i një endacaku
Pas disa orësh hetimi, policia e qytetit prangosi dy net më parë autorin e vrasjes së shtetases Myrvete Abilaj. Burimet zyrtare pohojnë se autori i vrasjes është Fabian Çelniku, 39 vjeçar, i cili akuzohet se ka qëlluar me thikë mbi të moshuarën pas një sherri për motive të dobëta në vendin ku Çelniku bashkë me viktimën ndanin vuajtjet e përditshme prej endacaku. Çelniku është arrestuar pranë vendit ku ai zakonisht kalonte natën. Policia thotë se edhe autori vuan nga probleme mendore, dhe se gjatë marrjes në pyetje ka pranuar krimin, por nuk ka dhënë detaje lidhur me motivet e vërteta që e çuan drejt krimit. 70-vjeçarja Abilaj është gjetur e vdekur të martën në mëngjes në një nga stolat që ndodhen pranë Zyrës Postare Nr. 2 në Fier. Sipas njoftimit të policisë, ajo është goditur tri herë me thikë dhe kishte humbur jetën për shkak të rrjedhjes së gjakut nga plakët e marra prej goditjeve.
Fundi i një arsimtareje
Myrvete Abilaj, njihej nga gjithë qyteti i Fierit si një ish-mësuese shembullore në shkollën fillore “Andon Xoxe”, e cila ka mësuar me dhjetëra breza nxënësish. Fati i keq i mësuese, nisi rreth 15 vite më parë, ku u nda nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte dhunuar vazhdimisht. Deri përpara 3 vjetësh, viktima, edhe pse ishte me probleme mendore, rrinte në shtëpi dhe nuk endej rrugëve të qytetit. Por, pas “dëbimit” dhe lënies pas dore nga ana e fëmijëve të saj, ish-mësuesja e shkollës “Andon Xoxe”, filloi të flinte nëpër lulishtet e qytetit të Fierit. Banorët e Fierit, ish-nxënës të saj dhe shumë të njohur, e shihnin përditë 70-vjeçaren nëpër rrugë, ku mundohej të mbijetonte dhe të shtynte ditët, pasi jeta i kishte rezervuar një fund të hidhur. Myrvete Abilaj humbi jetën mëngjesin e së martës, vetëm disa qindra metra larg nga shkolla ku për vite më radhë kishte edukuar breza të tërë nxënësish, nga goditja fatale e thikës në dorën e një të sëmuri mendor.
Të rrezikuar nga të sëmurët
Vdekja e të moshuarës vjen disa kohë pas krimeve që bënë disa të sëmurë mendorë në disa zona të vendit. Një 19-vjeçar në Peshkopi përdhunoi dhe vrau një të mitur, trupi i të cilit u gjet disa ditë pas krimit. Ndërsa në Berat, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik. Një djalë masakroi një grua endacake, me synimin për ta grabitur. Akte të tilla kanë ndodhur edhe në rrethe të tjera. Madje, edhe mjekët e qendrave për trajtimin e të sëmurëve mendorë, shpeshherë kanë rënë viktimë e pacientëve. Por, këto krime, si dhe sensibilizimi i medias dhe opinionit, ende nuk kanë shërbyer ende si shtysë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Me dhjetëra persona me probleme mendore enden rrugëve, duke qenë një kontingjent për kërcënimin e qytetarëve normalë; apo ka edhe raste të tjera fatkeqe, kur, në mungesë të qendrave të specializuara rehabilitimi apo trajtimi, shumë familje i mbajnë njerëzit e tyre me probleme të lidhur dhe të ngujuar në banesë.
Box 1
Dhunohej nga burri, policia e merr në mbrojtje
DURRËS – Rritet numri i grave që kërkojnë mbrojtje nga policia, pas dhunimit nga ana e bashkëshortëve. Rasti më i fundit është regjistruar ditën e djeshme ne Durrës, ku një grua 53-vjeçare ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj pasi pretendon se dhunohej prej tij sistematikisht. H. N, ka mbërritur në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrës kur ka kryer një kallëzim në ngarkim të bashkëshortit të saj I. N., 55-vjeç, lindur në Tropojë e banues në lagjen Nr. 13. Burime nga policia thanë se gruaja ka deklaruar para oficerëve të policisë se dhunohej në mënyrë sistematike nga bashkëshorti i saj. Policia kreu materialet procedurale dhe plotësoi kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Materialet në ngarkim të 55-vjeçarit i kaluan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Durrës. Vetëm tri ditë më parë u arrestua në kryeqyteti Ilir Drini pasi keqtrajtoi gruan me të cilën bashkëjetonte, e cila ndodhet prej një jave nën kujdesin mjekësor në Spitalin Ushtarak.
Policia ndalon prostitutën: Shita trupin për të mbajtur fëmijët
DURRËS - E detyruar nga varfëria dhe nga mungesa e të ardhurave, 21-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve është detyruar të prostituoi për të ushqyer fëmijët e saj, pasi bashkëshorti i saj ishte i papunë. Këto kanë qenë shpjegimet e dhëna nga 21-vjeçarja M.D. e ndaluar ditën e djeshme në një hotel pranë “Shkëmbit të Kavajës”. Sipas policisë së qytetit bregdetar, nëna e dy fëmijëve, banore e lagjes Nr. 7, në Durrës është kapur nga policia ditën e djeshme në një hotel te Shkëmbi i Kavajës duke kryer marrëdhënie seksuale me një klient kundrejt shumës së parave prej 50 mijë lekë të vjetra. Burime nga policia thanë se kishin siguruar informacione për aktivitetin e jashtëligjshëm që kryente e nëna e re dhe menjëherë u vunë në lëvizje për të verifikuar informatat. Sipas të njëjta burimeve 21-vjeçarja është kapur teksa kryente seks dhe është shoqëruar menjëherë në komisarit. Klienti i saj deklaroi se do paguante një shumë të majme parash te 21-vjeçarja që ajo t’i përmbushte atij epshet seksuale. Ndërkohë që Polica e Durrësit, ka vendosur të mos e arrestoj 21-vjeçaren por të nisi hetimet për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit” në gjendje të lirë.
21 Janar 2010