Një vizitë në ferr... (2)
SHËNIM I REDAKTORIT: Materiali i mëposhtëm është VIJIM i artikullit vëzhgues të përgatitur nga një lexues që jetoi disa ditë me të motrën e sëmurë, në spitalin ku ajo kurohej në Tiranë. Pjesën e parë e botuam të premten. Të plotë, materialin mund ta gjeni në Blogun e Shekullit Online
Vijon nga numri i së premtes
Mafia e infermiereve
Po ju shpjegoj si funksionon mafia e infermiereve dhe e sanitareve. Principi është i thjeshtë: duhet të paguash, përndryshe, i afërmi yt, e ka pisk.
Ta marrim me radhë. Janë tre turne, me nga tre infermiere dhe dy sanitare. Në total, brenda 24 orëve, alternohen 15 gra.
Si paguhet: Në fillim të çdo turni, infermieret fillojnë të bërtasin e të bëjnë potere. Të gjithë të afërmit duhet të dalin jashtë. Nëse dikushrefuzon, kërcënimi është një: nuk të prek të sëmurin. Ndëshkohen edhe ata që paguajnë me vonesë: një shembull është të rrish në korridor për dy orë, dhe të presësh në këmbë derisa të të lenë të hysh. Le të bëjmë dy llogari: gjashtë krevate, shumëzim për mesatarisht dy të afërm, bëjnë dymbëdhjetë persona që dalin në korridor. Ndërkohë, ti e di që, nëse nuk hyn përsëri, asnjëri nuk do të kujdeset për të afërmin tënd. Taksa e hyrjes, varion nga minimalisht 200 lekë (të reja), deri 500 lekë. Të duhet të vësh lekët në xhepin e çdo infermiereje dhe sanitareje dhe gjatë gjithë këtij turni, shërbimi është i sigurt. Natyrisht, cilësia varet nga çmimi. Janë një mijë lekë për ç'do turn, dhe efekti i drogës zhduket sapo turni mbaron. Si në një skenar tragjikomik, piskamat, dalja jashtë dhe kërcënimet përsëriten. Një mijë lekë turni, herë tre, bëjnë tre mijë lekë në ditë vetëm për të marrë ilaçet dhe për t'u larë. Një rrogë mesatare shqiptare mund të rezistojë vetëm për 10 ditë. Pas kësaj, të ngelet vetëm të vdesësh.
Mafia e mjekëve.
Principi i mafies së mjekeve është po i njëjti: paguaj, përndryshe vdes.
Po ju shpjegoj në detaj si funksionon: është mjeku i turnit që viziton çdo ditë pacientët; është shefi i pavionit që viziton më rrallë; dhe pastaj është mjeku i parë që viziton me kërkesë. Radha është hierarkike, dhe tarifat ndryshojnë. Për mjekun e turnit, paguan 3 mijë lekë. Në këtë rast, metodat janë pak më fine: vendosen lekët në xhepin e tij, ai buzëqesh dhe thotë: "Po lëre, ç'e do atë!". Pastaj me dorën brenda xhepit i numëron me mënd dhe vazhdon vizitën. Nëse nuk paguan, fytyra i transformohet: bëhet një egërsirë gati për të gjuajtur, dhe nuk përshkruan as barnat dhe as të jep informacione. Një eksperiment i tillë, nuk është i këshillueshëm.
Tarifat rriten deri në 5 mijë lekë për vizitën e shefit të pavionit. Dënimi është i njëjtë, dhe të njëjta janë mënyrat.
Një kapitull më vete duhet hapur për mjekun kryesor, i cili të viziton në bazë të dy parametrave: jo vetëm duhet ta paguash, por duhet dhe një i tretë për ta bërë këtë. Këtu tarifa varion mjaft, por kurrë nuk ulet poshtë 10 mijë lekëve, fundja i takon një copë e madhe, si mjek i parë që është.
Le të bëjmë përsëri llogaritë: 3 mijë lekë në ditë, shtoju këtyre ato të shefit të pavionit dhe mjekut kryesor, shkojnë 31 mijë lekë në javë.
Shërbimet ekstra, nuk janë të përfshira në këtë shifër. Fundja, qejfi paguhet. Përndryshe, e njëjta pasojë: Vdes!
Mafia e vizitave
Është një copë letër e shkruar me dorë, mbi derën e repartit të vizitave. Është lista e çmimeve për çdo tip kontrolli. Rezonanca magnetike, kushton 35 mijë lekë (gjithmonë të reja). Nëse nuk ke lekë, nuk mund të bëhet diagnoza. Për më tepër, nëse e ke me ngut, duhet të paguash më shumë, për të mos pritur radhën. Mund të arrish deri në 60 mijë lekë.
Nëse, fatkeqësisht, të duhet të operohesh, ke shpresa të mbesësh gjallë, vetëm nëse e bën mjeku kryesor. Tarifa për një operacion në tru, është në euro, ndoshta sepse tingëllon më mirë, dhe është 8 mijë: dhjetë milionë lekë të vjetra. Do më pyesni nëse ka një rrugë të dytë po nuk pate lekët. Ka: Vdekja.
Mafia e ilaçeve
Për të kuptuar mirë si funksionon, po ju tregoj çfarë ndodh në spital. nëse ka një rast urgjence. Infermieret vërdallosen në repart dhe, nëse gjejnë ilaçe të blera nga familjarë, ua kërkojnë hua, në të kundërt, mund ta imagjinoni vetë.
E fillojmë me radhë: mjekët, mbi një copë letre, të shkruajnë barnat që duhen blerë, duke saktësuar farmacinë ku duhet t'i blesh. Kujdes! Mos bëni gafë ta ngatërroni, mund të hasni në telashe të mëdha. Kontratat duhen respektuar! Ka ilaçe, veçanërisht ato për pacientët në gjendje të rëndë, që shkojnë deri në 10 mijë lekë për kuti. Natyrisht, spitali nuk ka asgjë: edhe për urgjencat, troket në dyert e familjareve, lëre pastaj për kurat e përditshme.
Kuriozitete
A. E dini si i jepet aspirina një pacienti që nuk mund ta gëlltisë? S'ka më thjesht: merrni një fletë gazetë, mbështeteni mbi komodinë, merrni një kavanoz dhe shtypni aspirinën mbi të. Më pas, hidheni pluhurin në një gotë me ujë, dhe derdheni përzierjen me shiringë në sondë. Është e njëjta metodë e veterinerëve, po kush tha që infermieret s'kanë bërë të njëjtën shkollë?
B. A e dini ç'ndodh me një të vdekur në reanimacion? Nuk e lëviz njeri. E lajnë, e pastrojnë, e veshin përpara syve të të tjerëve: të bësh dy rrugë, është tepër e lodhshme. Për më tepër është një mënyrë e mirë për të treguar çfarë ndodh nëse nuk paguan. Nazistët vrisnin dhjetë fshatarë, për çdo ushtar gjerman të vdekur. Ne tregojmë një të vdekur, për pesë pacientë që nuk duan të paguajnë.
C. E dini ç'ndodh nëse nuk sillni dorashkat për infermieret? Ndodh që me të njëjtat që kanë pastruar një të vdekur, vijnë t'i masin temperaturën të afërmit tuaj. Nuk ka lekë për të hedhur me gjëra të kota, si dorashkat. Nëse do këtë luks, duhet të paguash. Nëse nuk e do... e dini vetë përgjigjen.
D. E dini ku mbahet ushqimi për të sëmurët? Provoni ta imagjinoni këtë skenë: jeni në një qoshe të ngushtë, me një furrë të ndryshkur gazi, me një lavaman të mbytur nga pisllëku, me tenxheret e nxira pa kapak. Në fund të qoshes, është një dritare e hapur me perdet që kanë vënë dy gisht pluhur. Ushqimi qëndron në tenxhere deri sa të hahet i gjithi, dhe shërbehet në gota plastike. Kjo të pret, nëse nuk sjell diçka nga shtëpia.
Një kafshë shtëpiake, në çdo cep të perëndimit, ushqehet më mirë.
Të bëjmë dy llogari
Sistemi shëndetësor në Shqipëri është publik. Por ne shqiptarët, kemi një koncept të çuditshëm, mbi atë që quhet publike. Pa nevojë për makinë llogaritëse, më ndiqni në këtë llogari të thjeshtë.
Sa kushton të mbash një pacient për një javë?
-Infermiere: 3000 lekë në ditë X 7 ditë = 21000 lekë
-Mjeku i turnit: 3000 lekë në ditë X 7 ditë = 21000 lekë
-Shefi i pavionit: 5000 lekë në ditë X 2 ditë = 10000 lekë
- Ilaçet: mesatarisht 20000 lekë
-Diagnostikimet:mesatarisht 60000 lekë
Siç e shihni, tarifa bazë për të mbajtur një pacient në reanimacion, për një javë shkon te 132000 (një milionë e treqind e njëzet mijë lekë të vjetra).
Pastaj ka shërbime ekstra: 10-20 mijë lekë (të reja) për vizitën nga mjeku kryesor, ndërsa operacioni shkon te 100 mijë lekë.
Janë çmimet e llogaritura minimalisht dhe nëse nuk paguan... nëse nuk paguan, pasoja është një: Vdes, si një qen i braktisur!
Përfundime
Ju thashë që në fillim që motra ime shpëtoi, dhe që tani u ktheva në Itali dhe po pi një filxhan kafe me tim bir dhe tim shoq. Po u tregoj gjithçka dhe reagimet janë të ndryshme. Burri im pohon me kokë, dhe jam e sigurt që arrin të më kuptojë. Nuk është i habitur, vetëm i dorëzuar, dhe më thotë që prej pesëmbëdhjetë vjetëve, nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë. Përkundrazi, të vetmet ndryshime janë bërë për keq.
Kurse im bir, më shikon me mosbesim. Ai është rritur në Itali, dhe nuk e ka idenë se sa poshtë kemi rënë. Jo, ai nuk kupton dhe nuk mundet. Por jam e lumtur që nuk e ka jetuar këtë ferr, jam e lumtur që mundëm ta rrisim në një vend, ku e gjitha kjo duket një trillim.
Po ju them sa kam paguar: ia dolëm ta blinim jetën e motrës sime, me njëmijë e njëqind euro unë, dhe gjashtëqind euro secila motër në emigracion. Por tetë të tjerë që pashë gjatë dy javëve në reanimacion, nuk ia dolën.
Fundja, kjo është Shqipëria: një xhungël primitive, ku fiton vetëm leku dhe ku nga njerëzimi ka ngelur vetëm aparenca. Jam e sigurt që, për shumë nga ju që kini jetuar të njëjtën gjë, nuk është një surprizë, veçse një konfirmim i asaj që nuk kini patur forcën ta tregoni.
Të tjerët, ca më naivë, mund të më pyesin përse nuk kam denoncuar dhe, mbi të gjitha, përse nuk përmend emrat.
Përsa i përket të parës, nuk denoncova, sepse nuk kisha rrugë tjetër. Mbi të gjitha, qëndronte jeta e motrës sime, të tjerat vinin pas. Nuk denoncova, sepse nuk desha që të vdekurit të bëheshin nëntë.
Së dyti, nuk dua të përmend emrat për arsyen e thjeshtë, që do binin në vesh të shurdhët. Të gjithë e dinë, por askush nuk ndërhyn. Nuk ka drejtësi apo prokuror aq njerëzor sa t'i japë fund. Pothuajse harrova: nga njerzillëku, ka ngelur shumë pak.
Shkruajta këtë artikull për nderin e atyre tetë të vdekurve që mbetën të vrarë nga sëmundja, me ndihmën ekskluzive të çakejve. Ky është imazhi më i qartë: kafshë parazitare, që ushqehen me kufomat e njerëzve të mposhtur nga sëmundja. Është një organizim kriminal perfekt: një shembull edhe për mafiat më të përparuara. Pasurohen me dhimbjen e të tjerëve, dhe kjo i bën akoma më të pështirë për moralin tonë. Moral: fjalë që ka kuptim vetëm për qeniet humane, ose thjesht për njerëzit. Në dy javë turnesh nate, shërbimesh dhe lodhjeje, kam gjetur njerëz vetëm te ata që nuk ishin veshur me të bardha. Ua dedikoj këtë shkrim atyre tetë të vdekurve, me shpresën që një ditë mund tua falin këmishave të bardha, që u vodhën dinjitetin.
Im bir hap televizorin dhe, si për ironi të fatit, shfaqet Ministri i Shëndetësisë. Një valë zemërimi me përfshin të tërën, ia rrëmbej telekomandën nga duart dhe ndërroj kanal. Im bir më kupton, dhe duke më buzëqeshur, më pyet nëse një ditë do doja të kthehesha në Shqipëri.
I përgjigjem që një ditë do kthehem, ndoshta për çastet e mia të fundit, për të mos prishur atë imazh që kam të një Shqipërie fisnike, që tashmë nuk ekziston më.