A ka abuzime me pagesënetë sëmurëve?
I nderuar Shekulli! Bashkë me falenderimin për rubrikën, desha që nëpërmjet Jush të ngre këtë herë një shqetësim që më duket se po merr përmasa të mëdha e shqetësuese përsa i përket mirë administrimit të Buxhetit të Shtetit. Bëhet fjalë për pagesën e paaftësisë për persona me aftësi të kufizuar kryesisht të verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Një bazë ligjore model si ligji 9355 dhe VKM 787 përcaktojnë qartë se si fitohet ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë për personat në nevojë, por kur shikon shumat e parave të harxhuara nga Buxheti i Shtetit për këtë kategori të sëmurësh, shifrat dalin marramendëse. Duke shprehur mendimin personal se të sëmurët realë duhet të trajtohen akoma dhe më mirë se sa sot nga ana financiare, nuk ke si të mos hedhësh hijet e dyshimit për pastërtinë e vendimeve të komisioneve mjekësorë e më tej, kur ka edhe raste që të sëmurë realë nuk mund të plotësojnë dokumentacionin apo të marrin vendimet në këto komisione, e ndërkohë, shifra e parave të dala nga Buxheti i Shtetit rritet vazhdimisht.
Për sa më sipër u referohemi disa shifrave të çertifikuara nga qarku i Dibrës.
Ky qark më 31 komuna e 4 bashki më 31 djetor 2007 numëronte 193.566 banorë në 45604 familje. Nga këto familje rreth 12500 (27.4%) u trajtuan mesatarisht çdo muaj me ndihmë ekonomike me një fond vjetor të paguar prej 386 milionë lekë.
Nga ana tjetër fondi vjetor i pagesës së paaftësisë, të sëmurëve me diagnozat e mësipërme dhe shoqëruesve të tyre në këtë qark ishte gjithsej 568 milionë lekë ose 182 milionë më shumë se sa janë paguar 12500 familjet me rreth 50000 frymë me ndihmë ekonomike për një vit rresht.
Në shumicën absolute të njësive vendore të qarkut Dibrës sasia e fondeve vjetore të harxhuara për pagesën e paaftësisë është më e madhe se ajo për ndihmën ekonomike.
Kështu bie fjala nëse rreth 900 familje me rreth 4000 frymë në bashkinë Peshkopi në rrethin e Dibrës për vitin 2007 përfituan gjatë gjithë vitit 32 milionë lekë ndihmë ekonomike, pagesa vjetore e paaftësisë për këtë qytet arriti në 45 milionë lekë, në bashkinë Klos në Mat rreth 800 familje të trajtuara mesatarisht çdo muaj me ndihmë ekonomike përfituan një fond vjetor prej 18 milionë lekësh, ndërsa për pagesën e paaftësisë 58 milionë.
Ligjërisht ndihma ekonomike për çdo familje miratohet me vendim të këshillave të njësive vendore, ndërsa për pagesën e paaftësisë këshillat miratojë formalisht vetëm sasinë e fondit që akordohet nga Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta e jo emrat, pasi emrat janë caktuar nga raportet mjekësore.
Duke parë këto shifra dhe diferencën marramendëse midis ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë, natyrshëm lindin pyetjet: A ka abuzime në lëshimin e raporteve mjekësore nga komisionerët? A duhet të ndërhyjë Ministria e Shëndetësisë me kontrolle në këtë drejtim për të rritur masën e shpërblimit për të sëmurët realë dhe eleminuar rastet e përfitimit të padrejtë?! Personalisht mendoj; po, absolutisht, po, është emergjente.
*Autori është Anëtar i Këshillit Bashkiak Peshkopi (për katër mandate)