E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vizitë që ka lënë pas shumë pikëpyetje

Share

Nga Piro Misha

Si kurrë ndonjëherë më parë, vizita e një kryeministri shqiptar në një vend të konsideruar përgjithësisht mik si Turqia, ka lënë pas një sërë pikëpyetjesh, e pse jo dyshimesh. Shkak janë bërë deklaratat e kryeministrit Berisha, por jo vetëm. Shkak është bërë sigurisht, dhe konteksti i përgjithshëm në të cilin u bë kjo vizitë, duke nisur nga situata gjithnjë e më e komplikuar e raporteve Shqipëri – BE, deri te fakti se tashmë është e qartë se Turqia, një vend me një popullsi që po i afrohet të 80 milionëve dhe një zhvillim ekonomik të shpejtë, ka ambicje të kthehet në një fuqi globale që kërkon të ketë zonën e saj të influencës, kryesisht në ato territore ku dikur shtrihej Perandoria Osmane. Jo rastësisht një pjesë e madhe e propagandës së sotme turke ka për qëllim të promovojë të ashtuquajturën trashëgimi të Perandorisë Osmane, e shoqëruar kjo me fonde të konsiderueshme si të qeverisë turke, ashtu dhe të një sërë organizatash të tjera që veprojnë në Shqipëri apo dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Në një shikim një strategji e tillë mund të konsiderohet mëse e natyrshme për një fuqi të re që kërkon hapësirën e vet. Problemi është se në Ballkanin Perëndimor këtij projekti i duhet të konkurrojë gjithnjë e më hapur me një tjetër projekt, atë të BE-së, që prej vitesh e konsideron këtë pjesë të Europës si territorin e vet. Ndaj dhe sështë e rastit pse një gazetë si Today Zaman, varianti anglisht i gazetës më të madhe turke, Zaman, e njohur për afërsinë e saj me qarqet qeveritare, shtron pyetjen: A mos Shqipëria, apo dhe Kosova dhe Bosnja, po shndërrohen në pikë përplasjeje mes BE-së dhe Turqisë. Dhe vetë titulli i shkrimit është domethënës: Ballkani mes dy botëve: Turqisë dhe Europës (tetor 2011). A si di këto kryeministri ynë? Sigurisht që i di. Atëherë si shpjegohet që gjatë vizitës së tij në Turqi ai zgjodhi qartazi të mbronte disa prej tezave qëndrore me të cilat përligjet strategjia e re e politikës së jashtme turke në Ballkanin Perëndimor, që shtypi ndërkombëtar shpesh e quan neo-otomane. Sdo ishte e udhës të nxitohej duke nxjerrë përfundime. Por ndërkohë, disa prej atyre që tha kryeministri padyshim meritojnë të diskutohen, për shkak të implikimeve që mund të kenë.

Së pari, le ta themi se, ndoshta për herë të parë gjatë historisë tashmë 100 vjeçare të shtetit shqiptar, një drejtues kaq i lartë i tij bën një përpjekje të tillë serioze jo vetëm për një rivlerësim tërësor të vendit që zë trashëgimia e periudhës osmane në historinë dhe qenien shqiptare, por madje duke këmbëngulur për të parë tek ajo një faktor me një domethënie të veçantë politike. Siç dihet, që me krijimin e lëvizjes kombëtare shqiptare, e aq më shumë pas krijimit të shtetit shqiptar, qëndrimi i mbajtur ndaj kësaj trashëgimie ka qenë përgjithësisht stigmatizues, qartazi i ndikuar nga klishetë romantike nacionaliste të shekullit të XIX. Në ligjërimin mbizotërues të gjithë kësaj periudhe, trashëgimia osmane fajësohej jo vetëm për prapambetjen e trashëguar, por dhe për hendekun e madh që na ndante nga pjesa tjerë e kontinentit. Mallkuar qoftë dita kur shkeli këmba e aziatikut në tokën tonë shprehej në vitet 20-t të shekullit të shkuar Mithat Frashëri, një ndër korifejtë e nacionalizimit shqiptar, me një gjuhë që, çështë e vërteta, sot zor se mund të përdoret. Në të njëjtën mënyrë trashëgimia osmane u stigmatizua edhe në Turqi gjatë gjithë periudhës kemaliste. Vetëm pas vitit 2002, pra pas ardhjes në pushtet të AKP, partisë me orientim islamik të kryeministrit Erdogan, ky qëndrim jo vetëm ndryshon, por bëhen përpjekje maksimale për ta rehabilituar, duke e konsideruar trashëgiminë osmane si një ndër elementët qendrorë (sigurisht, krahas fesë muslimane) të identitetit kombëtar turk. Duke e kthyer dhe në një instrument të politikës së jashtme.

Në këtë kontekst, pra, smund të konsiderohet diçka e rastit kur kryeministri i një vendi si Shqipëria, e kthen temën e trashëgimisë osmane në lajtmotivin kryesor të mesazhit të tij politik. Në fakt, kjo nisi që gjatë vizitës së fundit në Azerbajxhan, ku po ashtu u përmend e ashtuquajtura çati e përbashkët osmane, temë kjo që, sigurisht, në Ankara u shtjellua mjaft më gjerë. Në mesazhin e tij zyrtar Berisha shpalli se kjo e shkuar e përbashkët, sipas tij madhështore, jo vetëm përbën bazën e lidhjeve të fuqishme që bashkojnë dy kombet e vendet tona, por është dhe një frymëzim për horizonte të reja bashkëpunimi. (RD, 7 prill 2012). Gjatë digresionit të tij në histori, ai hodhi dhe dy ide të tjera, njëlloj të diskutueshme. Sipas tij, Perandoria Osmane na paskesh qenë një Perandori në të vërtetë gati gati duale. Dmth, turko-shqiptare. Pra, gjithnjë sipas tij, frenat e komandimit aty i paskan patur jo vetëm turqit por dhe ne shqiptarët. Sigurisht, po të pranohet ky variant i historisë, tash e tutje sdi nëse kemi më arsye ta shohim si pushtuese një Perandori të cilën e paskemi drejtuar. Përkundrazi, duhet të jemi krenarë. Sigurisht, ka një problem, psh. me një figurë si ajo Skënderbeut që siç dihet, luftoi për një çerek shekulli pikërisht për të mos lejuar pushtimin nga kjo perandori. Por në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së pas kthimit nga Turqia, kryeministri i dha zgjidhje dhe këtij problemi. Duke qenë krenarë për heroin tonë kombëtar, tha ai, sdo të thotë se sduhet të krenohemi dhe me Hajredin Barbarosën që, për ata që se dinë, është një pirat i famshëm i shekullit të 17-të, që nga Algjeri, në Afrikën e veriut, i binte kryq e tërthor detrave, duke u bërë tmerri i Mesdheut. Sipas kryeministrit, Barbarosa na paska patur gjak shiptar në damarë dhe kjo duhet të na bëjë të ndjehemi krenarë? Sna mbetet veç të urojmë që kjo histori do lihet me kaq dhe sdo bëhet pjesë e idesë së kryeministrit për rishkrimin e historisë.

Sidoqoftë, duke iu kthyer idesë së dualitetit së Perandorisë Osmane, le të mjaftohemi duke thenë se sado që të kërkosh në vëllimet e panumërt të shkruar për Perandorinë Osmane, vështirë të gjesh ndonjë historian serioz që të pranojë një ide të tillë. Ska asnjë dyshim se ka patur jo pak individë apo qoftë dhe familje me prejardhje shqiptare, që u ngjitën në nivelet e larta të piramidës së shtetit osman, por siç e sqaron më së miri prof. E. Çabej, kjo situatë skish të bënte aspak me Shqipërinë në tërësi, që mbeti një ndër provincat më të paqeta e të shtypura të Perandorisë. Sidoqoftë, meqë gjatë fjalës së tij në Ankara kryeministri Berisha përmendi Faik Konicën, le ta mbyllim këtë kapitull, duke kujtuar dhe një herë atë që ky shkruante në vitin 1903, duke iu kundërvënë propagandës së disa qarqeve turkoshake të kohës kundër lëvizjes sonë kombëtare, që çuditërisht përdornin argumente mjaft të ngjashëm me këta që përdoren sot, duke pretenduar se shqiptarët paskeshin qenë të privilegjuarit e Perandorisë Osmane, ndaj dhe skishin arsye përse të ngriheshin kundër saj. Çuditem si u perhap ky gomarllëk (se shqiptarët komandojnë në Perandorinë Turke). shkruante Konica te Albania. – Shqiptarët janë një e katërmbëdhjeta pjesë e Turqisë (llogariten dy milion). Në Turqi ka 80 vilajete. Vetëm Abedin pasha është val

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›