E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shqiptar shpenzon 17 mijë lekë në muaj

Një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht rreth 17 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 8 mijë lekë për konsum jo-ushqimor. Anketimi është bërë nga INSTAT në periudhën 2006-2007 në 6025 familje shqiptare. Rritja e konsumit mesatar për frymë krahasuar me vitin 2000 kur është bërë dhe anketa paraardhëse është 2.2 herë.  Shuma totale e shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare, që vlerësohet të jenë rreth 752 mijë familje, arrin në 52 miliardë lekë në muaj.

Shpenzimet për ushqime 

Ushqimi (pa përfshirë pijet alkoolike) mbetet një element i rëndësishëm në buxhetin familjar duke zënë 47.6 për qind të tij. Në këtë grup, peshën më të madhe e zë shpenzimi për “mish dhe nënprodukte” që përbën rreth 22.5 për qind të buxhetit brenda grupit. Produktet që vijnë më pas për nga vlera e shpenzuar janë “qumështi, vezët dhe nënproduktet e tij” (me një peshë prej 16.1 për qind) si dhe “bukë dhe drithëra” (15.5 për qind). Nëngrupet që vijnë më pas janë perimet që zënë 14 për qind të grupit kryesor dhe frutat që zënë 8.8 për qind.

Pije alkoolike dhe duhan

Përsa i përket grupit pije alkoolike dhe duhan, rezulton se në familjet shqiptare konsumohet për to rreth 4.3 për qind e buxhetit, ku vetëm duhani zë një peshë prej 50.6 për qind brenda grupit. Konsumi jashtë shtëpisë, në fast food, bar dhe hotele/restorante, përbën 5 për qind të buxhetit të familjeve shqiptare.

Rriten shpenzimet për ilaçe dhe komunikim

Një rritje në krahasim me 1999-2000, përsa i përket kuotës së shpenzimeve totale që familjet i dedikojnë kujdesit për shëndetin si dhe komunikacionit, paraqesin grupet “Kujdes shëndetësor” dhe “Komunikim” ku peshën më të madhe e zënë përkatësisht: blerja e medikamenteve me rreth 71.4 për qind dhe shpenzimet për shërbime telefonie me 92.5 për qind brenda grupeve përkatës.Po me rritje, megjithëse në një shkallë më të vogël, paraqitet grupi “Veshje dhe këpucë” i cili zë 6.2 për qind të konsumit total. Brenda këtij grupi, veshjet zënë një peshë prej rreth 68 për qind ndërsa zëri “këpucë dhe të ngjashme” 26 për qind.

Banesa

Grupi “Banesa” me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qera të paguar efektivisht dhe riparime të vogla zë 7.4 për qind të totalit të buxhetit familjar. Rreth 44 për qind e ketyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike dhe 27.4 për qind për ngrohje, ndërsa 7.8 për qind shkojnë për shpenzimet për qera. Duhet të theksojmë se përqindja e familjeve që deklarojnë se paguajnë aktualisht qera për banesën e tyre është mjaft e ulët, vetëm 3.4 për qind.Grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” paraqet një stabilitet në strukturën e shpenzimeve totale, rreth 6.3 për qind brenda të cilit artikujt shtëpiakë jo-afatgjatë kanë një peshë që zë me shumë se gjysmën e shpenzimeve (rreth 60 për qind).

Bien shpenzimet për Arsim

Ndër grupet që paraqesin një ulje përsa i përket kuotës që zënë ndaj shpenzimeve totale, janë “arsimi” dhe “të tjera mallra dhe shërbime”. Shpenzimet për arsim zënë 1.7 për qind të buxhetit gjithsej. Brenda këtij grupi pagesat në lidhje me arsimin e lartë zënë 62.6 për qind.

Shpenzimet që familjet shqiptare i dedikojnë grupit “të tjera mallra dhe shërbime” zënë një peshë prej 5.5 për qind të buxhetit total. Në këtë grup përfshihen: “shpenzime për kujdes personal”, "shpenzime te jashtëzakonshme të kryera nga familjet në raste ceremonish dhe festash”, "pagesat për shërbime të ndryshme financiare private” si dhe "sigurimet”. Brenda grupit, zëri “artikuj dhe produkte për kujdes personal” zë peshën më të madhe, rreth 54 për qind.

Transporti

Shpenzimet e përfshira në grupin "transport” zënë 6.2 për qind të totalit. Peshën më të madhe brenda grupit e përbëjnë shpenzimet që i referohen lëvizjes me mjete publike apo private, si “shpenzime për transport rrugor”, rreth 32 për qind dhe “karburant dhe lubrifikantë” me 40.3 për qind ndjekur nga zërat “pjesë këmbimi dhe aksesorë” (11.2 për qind) si dhe “mirëmbajtje dhe riparime” (9.2 për qind). Shifrat e fundit tregojnë për një peshë gjithnjë e më të rëndësishme të shpenzimeve për mjete te transportit privat ndaj totalit të transportit në përgjithësi.

Konsumi sipas prefekturave

Anketa e Buxhetit të Familjes mundëson analizën e të dhënave statistikore në 12+1 prefektura.Tirana paraqet konsumin më të lartë në vlerë krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera, një familje e kryeqytetit shpenzon mesatarisht në muaj 83,800 lekë. Prefekturat që paraqesin shpenzimet më të larta për konsum, pas Tiranës, janë Durrësi dhe Gjirokastra me konsum mujor familjar përkatësisht 82,900 dhe 82,800 lekë. Prefektura me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum është ajo e Dibrës dhe e Beratit përkatësisht me 51,300 dhe 54,100 lekë ne muaj për familje.

 Konsumi sipas rajoneve

Realizimi për herë të parë i Anketës së Buxhetit të Familjes në Shqipëri edhe në zonën rurale bën të mundur krahasimin e nivelit të konsumit të kësaj zone me atë urbane.Grafiku i mëposhtëm paraqet nivelin e konsumit të familjeve shqiptare sipas zonave të vendbanimit.

Kuota më e lartë e buxhetit total të familjeve, shpenzimet ushqimore, arrijnë në 49.5 për qind në zonën rurale kundrejt 45.8 për qind në zonën urbane. Në zonën rurale kuota e shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan është më e lartë se në zonën urbane, 4.9 për qind kundrejt vetëm 3.8 për qind. Megjithatë, shpenzimet për hotele dhe restorante zënë një peshë më të vogël në buxhetin e familjeve rurale në krahasim me ato urbane, përkatësisht 4.8 kundrejt 5.2 për qind. Zona rurale paraqet përqindje më të lartë të shpenzimeve për transport: 6.7 për qind kundrejt 5.8 për qind në zonat urbane. Gjithashtu, në zonën rurale vihen re shpenzime më të larta në përqindje ndaj totalit, te grupeve: kujdes shëndetësor, 4.4 për qind kundrejt 3.8 për qind në zonat urbane si dhe mirëmbajtje dhe mobilim i banesës, 4.4 kundrejt 3.8 për qind.Zona urbane konsumon më shumë për sherbimet e banesës: 8.2 për qind kundrejt 6.4 për qind në zonat rurale; për komunikim: 3.5 kundrejt 2.3 për qind; arsim: 2.3 kundrejt vetëm 1.0 për qind; argëtim dhe kulturë 3.5 kundrejt 2.7 për qind si dhe për të tjera mallra dhe shërbime 6.1 kundrejt 4.9 për qind.

Shpërndarja e shpenzimeve të konsumit gjithsej sipas Kurbës së Lorenzit

 Një analizë e shpërndarjes së nivelit të shpenzimeve për konsum tregon se 90 për qind e familjeve shqiptare arrijnë në rreth 77 për qind të vlerës së konsumit total te popullatës duke shpenzuar mesatarisht rreth 60 mijë lekë në muaj. Pra, vetëm 10 për qind e familjeve në Shqipëri shpenzon rreth 23 per qind të totalit duke konsumuar rreth 153 mijë lekë në muaj për familje. Këto rezultate në terma unitarë (konsumi mujor mesatar për frymë) tregojnë për një disnivel në Shqipëri: shumica e popullsisë që korrespondon me 90% të familjeve  shpenzon rreth 16 mijë lekë në muaj, ndërsa një pjesë mjaft e vogël që korrespondon me 10% të familjeve shpenzon rreth 52 mijë lekë në muaj ose 3 herë më shumë.

Shpërndarja e shpenzimeve të konsumit sipas tipit të familjes .

Niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes familjare që ndikojnë në mënyrën e alokimit të buxhetit te disponueshëm. Familjet e përbëra nga një person i vetëm dhe çiftet pa fëmijë, shpenzojnë më shumë për ushqim krahasuar me tipet e tjera të familjeve. Gjithashtu familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë se tipet e tjera të familjeve për kujdes shëndetsor dhe për banesën. Kjo vjen për arsye se familjet më të mëdha në numër përfitojnë dhe nga efekti i ekonomive te shkallës për këto zëra. Ndërsa shpenzimet për arsim ose për veshje dhe këpucë janë më të larta në familjet me 1, 2 dhe 3 fëmijë. Po kështu prezenca e fëmijëve sjell shpenzime më të larta në transport, komunikim si dhe në zërin restorante dhe hotele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›