SHBA, takim me kryenegociatorin bërthamor iranian
Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, William Burns, do t'i bashkohet shefit të politikave të jashtme të BE-së, Havier Solana në një takim këtë fundjavë, me kryenegociatorin bërthamor iranian, Saeed Jalili.
Bisedimet në Gjenevë do të fokusohen në reagimin e Iranit ndaj disa iniciativave për të ndaluar pasurim të uraniumit. Sipas korrespondentit të BBC-së, ky është ndryshim dramatik në politikë nga administrata e Bushit.
Megjithëse, SHBA-ja ka qenë pjesë e përpjekjeve për të bindur Teheranin për të ndaluar aktivitetet pasuruese të uraniumit, diplomatët amerikanë asnjëherë nuk kanë qëndruar ballë për ballë me iranianët për të diskutuar çështjen.
Një zyrtar i departamentit amerikan ka konfirmuar për BBC-në se kjo pjesëmarrje do të jetë e vetme.
Por vetë fakti që SHBA-ja do të qëndrojë përballë një diplomati të lartë iranian është një ndryshim i rëndësishëm në politikën amerikane.