E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret në Vlorë, arrestohen dy persona

Vatrat e shumta të zjarrit, si dhe dëmet që ka shkaktuar ai, kanë intensifikuar punën e policorëve për identifikimin e autorëve dhe personave përgjegjës për këto situata. Pas arrestimeve të djeshme, policia ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë. Siç bën me dije zëdhënësja e drejtorisë së policisë së Vlorës Rezarta Leli, është vënë në pranga Klemend Rrapushi 24 vjeç nga fshati Oshtimë. Personi në fjalë, matematicien, rreth orës 10 ka qenë duke pastruar ullishten në pronësi të tij, por era ka bërë që zona e zjarrit të shtrihej më gjerë nga çka ka synuar i riu. Pas kësaj zjarri ka përparuar duke u përhapur në përmasa të mëdha dhe shkatërruar 5 dynymë tokë të mbjella me ullinj. 24 vjeçari nga Oshtima është vënë në pranga me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia. Po në pranga në orët pasdites është vënë dhe Bari Lamaj 49 vjeç, lindur e banues në fshatin Trevllazër. Ai ka qenë duke pastruar kullotën,  në vendin e quajtur Shamogjin, duke i vënë zjarrin sipërfaqes dhe nga dalja jashtë kontrollit e vatrës janë djegur 10 dynymë tokë frutore. 49 vjeçari është vënë në pranga me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr me dashje. Kjo e çon në katër numrin e të arrestuarve në Vlorë me akuzën e zjarrvënës, përgjatë harkut kohor të 24 orëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›